Për disa orë mjediset e bukura të Kalasë së Kaninës, Vlorë, u gjallëruan nga nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Rrapo Hasimi” të Kaninës.
Në kuadër të 18 Prillit, “Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike”, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë organizuan një aktivitet të posaçëm ku u fol për rëndësinë e kësaj dite në shërbim të formimit dhe edukimit të nxënësve.
Aktiviteti u shoqërua edhe me veprimtari të lira, me lojëra e piknik në natyrë, në mjediset tepër interesante që ofron Kalaja e Kaninës, një nga asetet e rëndësishme me karakter historik, kulturor e turistik që menaxhon Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, Vlorë.
Në emër të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Vlorë drejtorit të shkollës, Medin Shakaj, iu dorëzua certifikata “Miku i Monumentit” nga Sejmen Gjokoli, specialist i trashëgimisë në DRKK.
Dita Ndërkombëtare e Monumenteve të Kulturës dhe Siteve kujtohet prej vitit 1983 kohë kur Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s u rekomandoi shteteve anëtare që të shqyrtonin mundësinë e deklarimit të 18 prillit të çdo viti si “dita ndërkombëtare e monumenteve dhe vendbanimeve historike”.
Dita ndërkombëtare e monumenteve dhe vendbanimeve historike paraqet një mundësi për të gjithë Komitetet Kombëtare të ICOMOS-s që të mbrojnë qëllimet e tyre të përbashkëta në të njëjtën ditë. Në këtë ditë ofrohet mundësi për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve, banorëve të zonave historike, rreth vlerave muzeale dhe kërkohet përpjekje për të mbrojtur, konservuar, restauruar dhe rijetësuar dhe vënë ato në dobi të një turizmi kulturor me cilësi. /atsh