Categories Kulture

Misteri pas Syrit të Dashnorëve 

Më 1785-ën, kur Maria Anne Fitzherbert hapi një letër dashurie nga admiruesi i saj, Princi George i Uellsit, ajo nuk priste të gjente një sy, që e kundronte ngultas. Princi britanik ishte i sëmurë nga dashuria dhe i dëshpëruar. Ai kishte rënë keq në dashuri me Fitzherbert, por vardisja kishte rezultuar katastrofë: ligjet mbretërore ia ndalonin një vejushe katolike si e dashura e tij, të bëhej monarke. Për t’i bërë punët edhe më keq, Fitzherbert ishte larguar nga vendi pas propozimit të parë të princit, në përpjekje për të shmangur polemikat. Por princi ishte ngulmues dhe më 3 nëntor, ai i shkroi një letër të zjarrtë, duke iu përgjëruar sërish për martesë. Ky nuk ishte propozim i zakonshëm dhe mbante gjithashtu një dhuratë të rrallë, magjepsëse. “Po të dërgoj një pako”, shkruante George në shënimin poshtë, “dhe në të njëjtën kohë, edhe një sy.” Në fakt pakoja mbante një pikturë të vogël, por shumë të fuqishme, të syrit të djathtë të George-it, që pluskonte në një sfond njëngjyrësh. Asnjë tipar tjetër nuk shfaqej aty, përveçse një vetulle. I gjithë fokusi në zemrën e kompozimit ishte irisi i errët,  që vështronte ethshëm pas një qepalle të butë, të dehur nga dashuria.

Nuk ka dokumente të dhëna sesi Fitzherbert iu përgjigj syrit, por “mund t’i ketë ndihur propozimit të  princit për martesë”, ndërsa studiuesja Hanneke Grootenboer e tregon në librin e saj, botuar më 2012-ën, “Të ruash Vështrimin: Vizioni intim i miniaturave të Syrit, në shekullin e 18-të”. Fill pas letrës së tij, dashnorët u martuan në një ceremoni të fshehtë. Për ta vulosur bashkimin, u pikturua një tjetër sy pa trup – këtë herë në ngjashmëri të Fitzherbert-it, strehuar në një medaljon, për princin. Pavarësisht se ku e çonin detyrat mbretërore, George do të hapte stolinë për të marrë vështrimin e dashur,  të nuses së tij. Princi i Uellsit dhe Fitzherbert-i  nuk ishin të vetmit që shkëmbenin sy, në Anglinë e shekullit të 18-të. Miniaturat e syrit, të njohura gjithashtu si Sytë e Të Dashuruarit, u shfaqën në Britani nga viti 1785 dhe,  ishin në modë për afro gjysmë shekulli. Ashtu si ne rastin e çiftit mbretëror, pjesa më e madhe porositeshin si dhurata që shprehnin përkushtim mes dy të dashuruarve. Disa, gjithashtu, u pikturuan në kujtim të të vdekurve.

Të gjitha ishin intime dhe tejet të çmuara: sy të pikturuar në fildish, jo më të madh se gishti i vogël i dorës, e më pas vendosur në karfica të mbushura me rubinë, vargje perlash, hajmali floriri për t’u mbajtur në xhep, ose pranë zemrës. Si objekte, Sytë e Të Dashuruarit janë mahnitëse dhe të çuditshme. Pjesërisht portrete, pjesërisht stoli, ata u bëjnë qëndresë përcaktimeve të thjeshta. Janë gjithashtu të mbushur me mister: në shumicën e rasteve, si subjekti,  syri i të cilit ishte pikturuar,  ashtu edhe artisti që e ka pikturuar,  janë të panjohur. Për më tepër, deri në fillim të viteve 2000, pak ishte shkruar rreth historisë së këtyre objekteve dhe domethënies së tyre, megjithëse kanë qenë pjesë e koleksioneve të muzeve,  si Muzeu i Artit në Cleveland, Muzeu i Artit në Filadelfia apo Muzeu “Albert dhe Victoria”,  në Londër. Pyetjet e mëdha ishin: Çfarë e ndezi popullaritetin e tyre? Pse u zbehën shpejt nga përdorimi? Dhe pse portretizimi i një syri të vetëm dhe jo i gjithë portreti?

Grootenboer, një historiane arti e specializuar në portretet  dhe vështrimin historik të artit, e ka kthyer në mision mbushjen e këtyre boshllëqeve. Disa përgjigje, ajo e dinte, se flinin në kulturën britanike të shekullit të 18-të. Ishte periudha përpara fotografisë, kur “njerëzit ishin të dëshiruar t’i jepnin njëri-tjetrit jo vetëm imazhin e vetes, por një pjesë të vetes”, ka thënë ajo. Përpara shpikjes së syrit të të dashuruarit, portretet në miniaturë të krejt fytyrës së të dashurit apo të së dashurës, ishin  bërë gjithaq popullore. (Shpesh shoqëroheshin me një tufë flokësh, ngjitur pas kanavacës së vogël). Qëllimi i tyre ishte adhurimi. Duke parë sendin e vogël, aq sa mbahej në një dorë, marrësi do të “ndërmende fytyrën e dikujt”, thotë Grootenboer. Piktura vepronte si përfaqësim i vogël për t’u puthur, për t’u shtrënguar në kraharor dhe për t’i folur, kur subjekti ishte larg.  Por Sytë e të Dashuruarit ishin ndryshe. Në vend që të përfaqësonin personin si të tërë, ata shfaqnin vetëm një tipar, në miniaturë. Për më tepër, ata mishëronin një veprim specifik: vështrimin. “Syri i të Dashuruarit është mbartës i vështrimit të dikujt”, shpjegon Grootenboer “Është vështrimi që dikush dëshiron të imagjinojë dhe do të ndjejë,  ndërsa pushon.” Akti i të vështruarit dhe rëndësia e tij në shoqërinë britanike të shekullit të 18-të , është thelbësore për deshifrimin e mistereve, të miniaturave të syrit. Në atë kohë, kultura britanike “ishte magjepsur me të vështruarit dhe të qenit të vështruar”, shpjegon Grootenboer. Për shkak se kodet shoqërore e kufizonin ndërveprimin mes njerëzve të gjinive të ndryshme, vështrimi mund të shkëmbehej më lehtë sesa fjalët. (Këto kufizime ndezën gjithashtu fenomene edhe më të palejueshme si të përgjuarit nga vrima e çelësit.)

Gjatë procesit, vështrimi u bë njëherazi domethënës dhe i kodifikuar; me fjalë të tjera, lloje të ndryshme vështrimesh trupëzonin emocione dhe mesazhe të ndryshme. Miniaturat e syve, të materializuara në këtë mjedis, ku edhe vështrimi më delikat mund të përcillte epsh, dashuri, vëzhgim apo një përzierje të të triave. Nuk është habi, që një shprehje e përkushtimit mund të mbarte një sy kundrues. Secila miniaturë ndihet e çmuar dhe tejet intime, megjithëse gjendjet e tyre luhaten nga adhurimi, përmallimi dhe epshi deri tek një vigjilencë depërtuese dhe e frikshme.

Dikush sheh nga qendra e një karfice, që i ngjan një vrime çelësi, sikur t’i linte të kuptonte atij apo asaj që e mbart dëshirat më epshndjellëse, ndërsa vështrime të tjera vijnë qepallërëndë dhe adhuruese, përmes një kurore të shkëlqyeshme gurësh të çmuar. Të tjerë shprehin mesazhe janë edhe më të errët e më melankolik: nga një sfond i zbukuruar me ar, një burrë vështron si për të kontrolluar, me vetullën e harkuar në përpjekje për të zbuar pabesinë; ai po e sheh gruan që e  mban këtë stoli, edhe në mungesë të tij. Një sy i zbukuruar me perla, që rrjedh sy pika lot diamanti, nga ana tjetër, përfaqëson me gjasë një të dashur që ka vdekur; përmes tij, vështrimi i subjektit ka mbetur i pavdekshëm, edhe pas vdekjes.

Natyrën  intime të miniaturës së syrit, Grootenboer i atribuon  pjesërisht misterit që i rrethon ato. Vështrimi i komunikuar nga secili sy i pikturuar dhe për pasojë objekti vetë, “ishte i rëndësishëm vetëm për të dashuruarin ose personin që ishte shumë i afërt me të portretizuarin”, shpjegon Grootenboer. Me ndarjen e subjekteve  dhe pronarëve të tyre nga kjo botë, edhe domethënia e këtyre stolive u zbeh. Për më tepër, më 1830-ën, vetë tendenca nisi të zbehej. Shpikja e  fotografisë kishte  reduktuar interesin për  portretizimet në miniaturë “sepse ofronte portret të vërtetë”, thotë Grootenboer . Nga atëherë, prodhimi i Syve të të Dashuruarve ndali dhe emrat e subjekteve të tyre, pronarëve dhe historive të dashurisë që i kishin frymëzuar ato, u harruan. E megjithatë, edhe pa kontekstin e tyre, Sytë e të Dashuruarit e ruajnë vështrimin depërtues dhe aftësinë për të të hipnotizuar. “E ndjen  këtë vështrim të ngulet mbi ty. E ndjen këtë lidhje me subjektin që nuk e ke njohur kurrë. E ke ndjesinë sikur e njeh pak këtë njeri”, shpjegon Grootenboer. “Në këtë mënyrë, ata artikulojnë esencën e portretit: akti i të vështruarit, aftësia e një pikture që të mban në sundimin e saj.”

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Kulture

Kadare nominohet për “The Booker 2024”

Në 2005 ishte fituesi i parë i këtij çmimi Shkrimtari i mirënjohur Isamil Kadare, nominohet…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Punuan veprat kryesore të Muzeut Kombëtar në Krujë, 5 artistë nderohen me titullin “Qytetar Nderi”

Pesë artistë të mirënjohur të arteve figurative në vend u nderuan me titullin “Qytetar Nderi…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Njihuni me “Sofrën e Zotit” guri që po çmend të huajt në Vlorë

“Guri me qiell” është atraksioni më i madh i natyrës në vendin tonë.Për nga mënyra…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Tirana, një qytet që lindi nga rastësia

Të  lindësh në kryeqytetin e çdo vendi natyrisht është privilegj i çdo qytetari të tij.…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Shkolla Tregtare Vlorë, detyrimi moral për vlonjatët

Nga Ergys Alushi Qyteti i Vlorës e ka detyrim moral, qytetar e historik të festojë…

LEXO ME SHUME