Categories Kulture

Prek trashëgiminë Kalaja e Lëkurësit, monument kulture i kategorisë së parë

Statusi i objektit: Kalaja e Lëkurësit është shpallur monument kulture i kategorisë së parë nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës me vendim Nr.68/7, Datë.30.05.1970.

Viti/koha e ndërtimit: Shek. XVI.

Vendndodhja: Qyteti i Sarandës, Bashkia Sarandë.

Përshkrimi: Ndodhet midis rrënojave të fshatit Lëkurës të braktisur në vitin 1878, në një pozicion dominues mbi gjirin e Sarandës dhe qafën e Gjashtës, përballë Manastirit të Dyzet Shenjtorëve. Mendohet që ndërtimi i saj është bërë nga Sulltan Sulejmani në vitin 1537, kur sulmoi Korfuzin dhe ishte i domosdoshëm kontrolli i skelës së Sarandës dhe rrugës Sarandë-Butrint. Sipas kolonelit anglez W. M. Leake, në fillimin e shek. XIX kalaja kontrollonte skelën detare të Sarandës. Planimetria e fortesës është katrore me përmasa 42 x 44 m, me dy kulla të rrumbullakta në veriperëndim dhe juglindje si dhe një kullë drejtkëndëshe në murin perëndimor. Larëtsia e mureve arrin deri në 6.5 m, ndërsa trashësia varion nga 1.7 deri 1.9 m. Hyrja me hark që shërben për hyrjen në kala ndodhet nga lindja. Parapeti i mureve është rreth 1.7 m i lartë dhe është i pajisur me fërngji.

Restaurimet e kryera në muret e saj, në anën e majtë të hyrjes zbuluan ambjentet e një kishe të vogël postbizantine me piktura murale të shek. XVII-XVIII. Përreth fortifikimit ndodhen rrënojat e fshatit Lëkurës të përmendur që në regjistrimet e para osmane, por arkeologu italian L. M. Ugolini që i vizitoi ato në fillimet e shek. XX, i daton strukturat në periudhën bizantine. Në defterin e sanxhakut të Delvinës në vitin 1583, fshati regjistrohet me 80 shtëpi, të cilat nxirrnin rreth 20 luftëtarë. W. M. Leake thotë se fshati ishte ndërtuar nga Ali Pasha, por padyshim kjo është një periudhë ripopullimi e cila përputhet me restaurimin e kalasë nga Veziri i Janinës. Nga fshati ruhen ende mbi sipërfaqe rrënojat e banesave, avllit e tyre, bodrumet, rrënoja kullash e ndërtesa me karakter religjoz. Aktualisht e gjithë sipërfaqja e rrënojave të fshatit Lëkurës përfshihet në zonën e mbrojtur të kalasë.

Bibliografia: Gj. Karaiskaj., Kështjella mesjetare në jugperëndim të Shqipërisë, Monumentet 1, 1989, f, 49-62; P. Xhufi., Arbërit e Jonit (Vlora, Janina e Delvina në shekujt XV-XVII), ShB Onufri, 2016, f. 123; I. Parangoni., Gjiri i Sarandës gjatë periudhës veneto-osmane (Shek. XV-XVIII), Iliria XL, 2017, f. 295-306.

Funksioni: Kështjellë Mesjetare, monument kulture.

Hyrja: Pa biletë

Itinerari: Për të shkuar drejt kalasë së Lëkurësit ndiqni rrugën nga qafa e Gjashtës drejt kreshtës së kodrës së Lëkurësit.

Pozicioni në Google Map:
https://goo.gl/maps/Dgmy7Jw5sQA2

#prektrashegimine #drkkvlore
#edukimipermeskultures #mikuimonumentit
#vizitoniKalaneeLekuresit

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Kulture

Përkujtohet Kuvendi i Besës në Senicë

Në fshatin Senicë, të njohur si “ballkon” i krahinës së Rrëzomës, 254 vite më parë…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Këngëtari grek u kërkon falje shqiptarëve: Faleminderit shumë! Disa herë Greqia ju ka lënduar

Këngëtari grek Andonis Remos ka dhënë një koncert mbrëmjen e djeshme në Pallatin e Kongreseve…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Biblioteka Publike “Dritëro Agolli” Fier, pēr të tretin vit radhazi nderon me çmime lexuesit më të mirë të vitit

Biblioteka Publike “Dritëro Agolli” Fier, pēr të tretin vit radhazi nderon me çmime lexuesit më…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Kadare nominohet për “The Booker 2024”

Në 2005 ishte fituesi i parë i këtij çmimi Shkrimtari i mirënjohur Isamil Kadare, nominohet…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Punuan veprat kryesore të Muzeut Kombëtar në Krujë, 5 artistë nderohen me titullin “Qytetar Nderi”

Pesë artistë të mirënjohur të arteve figurative në vend u nderuan me titullin “Qytetar Nderi…

LEXO ME SHUME