Opozita shqiptare, deputetët e së cilës kanë dorëzuar mandatet parlamentare, refuzojnë dialogun me kryeministrin Rama dhe kërkojnë një qeveri tranzitore pa shefin e qeverisë dhe që të përgatisë zgjedhjet e parakohshme, shkruante sot gazeta amerikane ”Washington Post”.
”Mbështetësit e opozitës shqiptare zhvilluan sot një protestë kundër qeverisë që e akuzojnë për korrupsion dhe të lidhur me krimin e organizuar. Mijëra mbështetës të Partisë Demokratike u grumbulluan sot përpara ndërtesës së kryeministrisë për të kërkuar dorëheqjen e Ramës”, shton gazeta, transmeton atsh.
”SHBA dhe BE paralajmëruan opozitën kundër përdorimit të dhunës dhe i kërkuan asaj të ulet në bisedime. Opozita shqiptare, deputetët e së cilës kanë dorëzuar mandatet parlamentare, refuzojnë dialogun me kryeministrin Rama dhe kërkojnë një qeveri tranzitore pa shefin e qeverisë që të përgatisë zgjedhjet e parakohshme”, thekson ”Washington Post”, përcjell albinfo.ch.
”Shqipëria shpreson të marrë miratimin e BE-së për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit”, përfundon gazeta amerikane ”Washington Post”.