Trajneri i Kombëtares së Francës, Didier Deschamps, ka thënë se Karim Benzema e kishte tepruar me deklaratën e tij, kur kishte thënë se trajneri francez i është dorëzuar presionit nga pjesa raciste e Francës. Sulmuesi 31-vjeçar i Real Madridit nuk ka bërë asnjë paraqitje për “Les Blues” që nga viti 2015, për shkak të skandalit me Mathieu Valbuena për një video intime të këtij të fundit. Benzema vetëm sa e përkeqësoi këtë marrëdhënie të tij me Deschamps më 1 qershor të vitit 2016, kur në një intervistë me të përditshmen spanjolle, Marca, e kritikoi trajnerin francez. “Deschamps është dorëzuar para presionit nga pjesa raciste e Francës”, kishte thënë Benzema në atë intervistë. Mirëpo, për trajnerin francez, i cili arriti ta fitojë titullin e turneut të Kupës së botës këtë verë, kjo deklaratë ishte e tepërt.
“Disa njerëz mund të thonë gjëra të cilat mund të kenë pasoja dhe që shkojnë përtej çfarëdo kuptimi. Unë nuk mund ta harroj atë gjë asnjëherë. Në atë moment, unë mendoj se ai e teproi”, ka thënë Deschamps. “Unë i zgjedh lojtarët francezë, ata janë të gjithë francezë. Kurrë nuk më ka shkuar në mendje se unë mund të mos e zgjedh një futbollist për shkak të fesë së tij apo racës”. Në 24 ndeshje të këtij sezoni, në La Liga dhe në Ligën e Kampionëve, Benzema ka arritur t’i shënojë 10 gola.