Agjencia Amerikane e Aeronautikës dhe Hapësirës ka publikuar pamje të reja nga zbritja e eksploratorit të saj në planetin Mars. Dy nga kamerat e mjetit e filmuan të enjten e shkuar zbritjen e telekomanduar duke nisur nga lartësia 10 kilometra.
Një total prej 7 kamerash ishin instaluar pikërisht për të studiuar dhe përmirësuar uljen për misionet e ardhshme. “Kemi mbledhur mbi 30 gigabajt informacion dhe mbi 23 mijë imazhe të mjetit gjatë zbritjes,” deklaroi kryeinxhineri i NASA-s që modeloi sistemin e kamerave të eksploratorit.
Shkencëtarët e NASA-s thanë se hapja e parashutave gjatë zbritjes qe brenda parashikimeve, dhe ato mundën ta ngadalësojnë mjetin në 145 metra për sekondë, përpara se ai të shkëputej nga guaska mbrojtëse dhe të fluturonte vetë. Rrotat e mjetit e prekën tokën marsiane pas gati 3 minutave.
“Hapja e parashutës ishte simetrike, shumë e shpejtë. Nuk pati ngatërrime të fijeve edhe pse ato janë rreth 2 milje të gjata. Dhe ky është lajm shumë i mirë për të ardhmen.” Eksploratori “Perseverance” preku më 18 shkurt terrenin jashtëtokësor, për të analizuar kushtet mjedisore, atmosferike dhe veçoritë gjeologjike të planetit Mars.
Një minihelikopter i brendshëm vetëm 2 kg i rëndë do të këqyrë nga sipër rrugët ku do të kalojë eksploratori. Një sondë kineze dhe një robot i Emirateve të Bashkuara Arabe po qarkullojnë në orbitën e planetit të kuq dhe pritet t’u bashkohen eksploratorin amerikan duke nisur nga muaji maj.