Covid-19

Berati vatër infeksionesh, rritet numri i të prekurve me Covid, mbyllen disa klasa

Berati është kthyer prej disa muajsh në një nga qytetet me numrin më të lartë të të infektuarve nga Covid-19 në vend. Burime nga ISHP-ja Berat konfirmojnë se rastet e infektimeve kanë ardhur duke u shtuar nga java në javë dhe më të prekurit nga ky virus mbeten fëmijët e kopshteve e shkollave të qytetit. Të njëjtat burime konfirmojnë se vetëm në 48-orët e fundit kanë rezultuar “pozitivë” 18 nxënës të disa shkollave 9-vjeçare e të mesme si dhe 6 mësues, ndërkohë që vetëm ditën e djeshme janë testuar edhe 64 nxënës të tjerë.

Të prekur nga virusi SarsCov2 janë edhe 12 fëmijë në 4 kopshte në qytetin e Beratit si dhe 4 edukatore. Mësohet se në të gjitha kopshtet e shkollat ku janë konstatuar rastet e të infektuarve janë dezinfektuar ambientet dhe janë mbyllur disa klasa. Infektimet janë shoqëruar edhe me humbje jete tek të miturit por edhe tek të rriturit, mes të cilëve edhe drejtori i njërit prej gjimnazeve më me emër në Berat, që ka edhe numrin më të lartë të nxënësve të infektuar.

Mjekët infeksionistë në ISHP-në Berat pohojnë se të infektuarit janë raste kontakti mes të infektuarve në kopshte e shkolla si dhe kontakte familjare. Sipas mjekëve, ky zinxhir në rritje infektimesh mund të ndërpritet vetëm nëpërmjet vaksinimit pasi-siç edhe pohojnë vetë ata-rastet e të infektuarve me Covid-19 janë të gjithë persona të pavaksinuar.

Mos respektimi i masave anti Covid e ka nxjerrë Beratin një nga qytetet më të ekspozuar dhe me rastet më të larta të të infektuarve me virusin vdekjeprurës Covid-19 si dhe me numrin më të lartë të vdekshmërisë në krahasim me popullsinë. Ndërkohë që nga dita në ditë është duke u rritur edhe numri i testimeve, aktualisht në Berat numri i rasteve aktive ka arritur ne 168.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: