fbpx
Covid-19

Edi Rama i rikthen buzëqeshjen Shqipërisë me 975 copë vaksina kundër koronavirusit

Kryeministri Edi Rama u shfaq ditën e djeshme në Stadiumin “Air Albania”, për të nisur zyrtarisht fushatën e vaksinimit të shqiptarëve kundër Covid-19, nën sloganin “Shqipëria buzëqesh”.

Stadiumi ishte dekoruar me banerat e fushatës së vaksinimit dhe kudo lexohej ky slogan i madh, që njofton rikthimin e buzëqeshjes së shqiptarëve, pas humbjeve të jetës dhe dëmeve kolosale ekonomike që ka shkaktuar pandemia.

Por pompoziteti i kësaj ceremonie, ku Rama u vaksinua edhe vet para kamerave, u shfry me njoftimin se në Shqipëri kanë mbërritur vetëm 975 doza.

Disa dokumenta të publikuara në media tregojnë se 975 dozat, kanë mbërritur në Rinas dhe dokumenti i doganës mban mbishkrimin “Ardhur dorazi“.

Kryeministri ditën e djeshme refuzoi të tregojë origjinën e këtyre dozave, duke e shtuar misterin e nisjes së papritur të fushatës së vaksinimit. Rama e justifikoi mungesën e transparencës, duke deklaruar se vendi i dërgimit kërkon që të mbetet konfidenciale, por dokumentat e zhdoganimit tregojnë se vaksinat kanë mbërritur nga Gjermania.

Më herët, Rama ka njoftuar një marrëveshje me Pfizer & BioNTech për 500 mijë doza të vaksinës, që do të jenë të mjaftueshme për të vaksinuar 250 mijë qytetarë, duke qenë se imunizimi kërkon dy doza, por nuk dihet se kur mund të mbërrijnë në Shqipëri këto vaksina.

Megjithatë, nxitimi për ta nisur fushatën e vaksinimit sa hap e mbyll sytë, ngriti pikëpyetje të shumta, dhe aludime se në fakt kishim të bënim me një operacion propagande të qeverisë, për të zhvendosur vëmendjen nga skandali i darkës në Dubai, ku anëtarë të kabinetit dhe shefi i komunikimit sëbashku me bashkëshorten e tij,  ishte zhytur në tavolinën e “Nusretit”, ndërkohë që vendi përballej me përmbytje masive.

Ende nuk dihet se kur do të nisë vaksinimi i shqiptarëve kundër koronavirusit, por me gjasë, 975 dozat që mbërritën dje në Rinas dorazi, duhet t’i kenë rikthyer buzëqeshjen të paktën kryeministrit, që më në fund i vuri në përdorim banerat me sloganin e madh “Shqipëria buzëqesh”. /TPZ.al/

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button