Covid-19

Shqipëria, paketën e ndihmës më të ulët në rajon, ekspertët: Gjeni vaksinën e ekonomisë!

Qeveria shqiptare ka shpenzuar më pak para se të gjitha vendet e rajonit për mbështetjen e biznesit në kohë pandemie. Nga të dhënat e vendeve të rajonit rezulton se edhe pse Shqipëria ka normën më të ulët të mbështetjes financiare për bizneset, vlerësohet si një nga vendet që ka shënuar nivelin më të lartë të rritjes së borxhit, ndërsa ekspertët fajësuar qeverinë mbi filozofinë e qeverisjes normale me financimin e projekteve, pa bërë rishikime të forta buxhetore siç kanë bërë shtetet e tjera.

Mesditën e datës 10 shkurt, Komiteti Teknik i Ekspertëve njoftoi vendimin për mbylljen e bareve, restoranteve dhe ndalimin e qarkullimit të qytetarëve nga ora 20:00 deri në 6:00. Masa shtrënguese vinte pas asaj të muajit nëntor, ku ndalimi i këtyre aktiviteteve fillonte prej orës 22:00. Por, teksa kufizimet kanë disa muaj që janë në fuqi, ato nuk janë shoqëruar me asnjë ndihmë për bizneset që preken prej tyre. Sipas ekspertit të ekonomisë, Selami Xhepa,60% e ekonomisë shqiptare i përket sektorit të shërbimeve, ku përfshihen pikërisht baret apo restorantet.“Për pasojë këto kanë goditjen më të fortë. Fundjavat, hotelet, restorantet sigurisht që kanë pasur edhe faturën më të madhe”,-thotë ai. Në fakt, ndihma që qeveria shqiptare ka dhënëpër bizneset, që u prekën nga situata e krijuar nga COVID-19, por edhe për qytetarët, konsiderohet si tejet modeste nga ana e ekspertëve. “Në gjithë periudhën e pandemisë qeveria u tall me biznesin evogël dhe të mesëm: dha një lëmoshë për të gjithë të punësuarit”,-thotë Bujar Muça, nënkryetar i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, duke iu referuar pagave të luftës, prej 26 mijë dhe 40 mijë lekësh. “Llogariteni, ne s’krahasohemi as me vendet e rajonit. Në Shqipëri operojnë 108 mijë biznese të vogla dhe të mesme dhe u xhiruan nga anae qeverisë 105 mln euro, në 287 mijë të punësuar”,-shton ai.

Fondit Monetar Ndërkombëtar konfirmon se Shqipëria ofroi masat më të pakta fiskale në buxhetin e vitit 2020 në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto për të përballuar pasojat e pandemisë në ekonomi. Sipas të dhënave të FMN-së,mbështetja fiskale ishte rreth 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, më i ulëti ndër vendet në zhvillim. Sipas FMN-së,nëvendet e zhvilluara të Europës, masat fiskale ishin mesatarisht sa 6.2 për qind e PBB-ve përkatëse, ndërsa në vendet në zhvillimin këto masa ishin më të zbehta, duke zënë mesatarisht 3.1% të PBB-ve. Ndërkohë, satakon vendeve të rajonit, FMN vlerëson se masat fiskale në Malin e Zi ishin rreth 8% e PBB-së, në Serbi rreth 4%, në Maqedoni 2%, ndërkohë që në Shqipëri ato ishin edhe më të ulëta, duke zënë vetëm 1% të PBB-së.

PAKETAT E NDIHMËS

Në total për vitin 2020, ishin rreth 12 miliardë lekë që u shpenzuan nga buxheti i shtetit për paketën sociale anti-covid, sipas treguesve fiskalë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave. Në këtë vlerë përfshihen 2 paketat financiare për mbështetjen sociale për qytetarët dhe bizneset, të vëna në dispozicion përmes Akteve Normative dhe Vendimeve të Këshillit të Ministrave. Më konkretisht, paketa e parë përfshiu mbështetjen për Biznesin e Vogël dhe qytetarët. Kjo paketë parashikonte ndihmë financiare për të punësuarit në subjektet e biznesit me të ardhura vjetore deri 14 milionë lekë, për periudhën pas ndërprerjes së aktivitetit ekonomik për shkak të gjendjes së pandemisë së shkaktuar nga COVID19, për të vetëpunësuarit; punonjësit e papaguar të familjes si dhe të punësuarit në këto subjekte. Gjithashtu, në këtë paketë përfshihet dhe dyfishimii pagesës së ndihmës ekonomike dhe pagesës së papunësisë, përgjatë kohëzgjatjes së periudhës së fatkeqësisë natyrore. Ndërkaq, paketa e dytë e ndihmës parashikoi mbështetjen për Sipërmarrjen dhe Punëmarrësit. Ajo përfshiu 6 masa e më konkretisht subvencionim për punonjësit e larguar për bizneset e mbyllur me xhiro deri në 14 milionë lekë, mbështetje për të larguarit nga puna në periudhën 1 Mars – 17 Maj, si dhe subvencionim për të gjithë punonjësit e bizneseve me të ardhura nën 14 milionë lekë (përjashtuar 8,000 persona në profesionet e lira, tregtia, farmacitë, përfituesit e pagës së luftës së Paketës 1, etj.). Gjithashtu, në këtë paketë përfshihet dhe subvencionimi i pagës së luftës për punonjësit e strukturave akomoduese në sektorin e turizmit, mbështetje për punonjësit e Rafinerisë së Ballshit si dhe ndihmë financiare për aplikuesit e ndihmës ekonomike, të cilët nuk janë përzgjedhur nga sistemi i pikëzimit të ndihmës ekonomike. Sipas Xhepës, nëse shikon skemat e mbështetjes në rajon, duken sikur janë të njëjta me ato të Shqipërisë. “Gjithë vendet kanë pasur politikën monetare: reduktim i normave të interesit, shtyrje e afatit të kredive, pra ndryshim të sistemit rregullator në mënyrë që të mos përkeqësohet efekti i kredive të këqija në sistemin bankar. Po kështu edhe politikat fiskale; pra falje e detyrimeve tatimore, shtyrje detyrimesh tatimore”,thotë eksperti. “Por, në fakt ajo që ndryshon është masa e mbështetjes, ku vendet e tjerë kanë qenë shumë më të fuqishëm dhe kanë ofruar ndihma shumë më të forta dhe e dyta është qëparaja është bërë efektive, çka do të thotë që masat që kanë shoqëruar zbatimin e këtyre paketave kanë qenë shumë më të zbutura. Kjo do të thotë që efikasiteti i ndërhyrjes në Shqipëri është shumë herë mëi vogël se në vendet e tjerë, ndonëse nevojat janë shumë herëmë të larta për shkak të nivelit të varfërisë dhe strukturës së biznesit, që nuk ka mundësi të përballojë goditje kaq t forta”,shton më tej ai.

Sipas Fondi Monetar Ndërkombëtar, në vendet në zhvillim të tilla si Shqipëria, paketat e ndihmës ishin më të limituara për shkak të kufizimit të hapësirës nga borxhi i lartë publik. Në të njëjtën linjëështë edhe Xhepa, i cili e konsideron jo normal renditjen e Shqipërisë në fund të vendeve në zhvillim. “Në krahasim me vendet e tjerë, Shqipëria kishte një nivel të lartë të borxhit publik (përveç Kosovës qëështë një shtet i ri dhe e ka të ulët borxhin) dhe për pasojë frika se mos një angazhim i madh buxhetor shkaktonte një rritje të fortë tëborxhit publik ishte një nga arsyet kryesore”,thotë eksperti. Megjithatë, pavarësisht kësaj qasjeje, të dhënat zyrtare tregojnë se borxhi publik, gjatë vitit 2020 shënoi rritje. “Sot, pas një viti që po përballemi me këtë goditje të fortë negative, Shqipëria vlerësohet si një nga vendet që ka shënuar nivelin më të lartë të rritjes së borxhit. Shqipëria e ka rritur borxhin me gati 13 pikë përqindje, ndërkohë që mbështetja për ekonominë ka qenë më evogla në rajon me gati 1 pikë përqindje në raport me PBB-në”,argumenton Xhepa, duke fajësuar qeverinë mbi filozofinë e qeverisjes normale me financimin e projekteve, pa bërë rishikime të forta buxhetore siç kanë bërë shtetet e tjera.

PASOJATE MBËSHTETJES MODESTE

Bujar Muça thotë se kjo mbështetje e ulët e sipërmarrjeve, sidomos ndaj biznesit të vogël dhe të mesëm po reflektohet në uljen e qepenave. Sipas Institutit të Statistikave në vend, gjatë 2020-ës u humbën 55 mijë vende pune, por Muça thotë se janë edhe 30 mijë më shumë. “Shumë biznese kanë pushuar së ushtruar aktivitetin, por rezultojnë me aktivitet sepse nuk e mbyllin dot biznesin, pasi ligji nuk të lejon të mbyllësh biznesin, nëse ti ke penalitete të papaguara. Mbi 85% e bizneseve i kanë penalitetet: kush ka një gjobë, kush kamatëvonesa”,shprehet nënkryetari i shoqatës së biznesit të vogël e të mesëm. “E dimë që ekonomia u trondit nga pandemia, por vendet e tjerë po e përballojnë. Këto biznese po mbyllen sepse qeveria jonë nuk ka marrë asnjë masë”,shton ai. Ndërkaq, Xhepa parashikon që efektet negative nga mbështetja e pamjaftueshme do të vijojnë. “Në planin social, padyshim qëçështjet e varfërisë dhe të rëndimit të gjendjes social-ekonomike do të vazhdojnë të jenë prezente në ekonomi dhe shoqëri. Ndërkohë, sektorët e biznesit në një masë të madhe vazhdojnë të konsiderohen si aktive, por aktiviteti i tyre ekonomik (shitjet), qëështë gjaku që rrjedh në venat e ekonomisë, vazhdon të jenë anemike e për pasojë perspektiva e sipërmarrjes private mendoj që mbetet mjaft e dobët”,thotë Xhepa. “Në thelb mendoj që efektet e kësaj mbështetje të dobët do të reflektohen në ngadalësimin e hapave me të cilin ekonomia do ta rimarrë veten në vazhdimësi”,shton ai.

KOHA PËR NDËRHYRJE!

Përfaqësuesit e biznesit, por edhe ekspertët kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë, për të frenuar efektet negative. “Që në ditët e para të pandemisë ne kemi kërkuar që qeveria duhet të ndërhynte me disa platforma ekonomike, për subvencionimin e drejtpërdrejtë të biznesit të vogël dhe të mesëm: kam parasysh me financa sepse nuk është e thënë që të merren borxhe për PPP nga ana e qeverisë dhe të mos merren borxhe për t’u injektuar në ekonomi, në mënyrë që ekonomia të rigjenerohet, të fillojë të ndezë motorët sepse po biznesi do t’isjellë ato të ardhura në buxhet”,thotë Muça. Ndërkaq, Xhepa e vë theksin te shkalla e ulët e përthithjes së fondeve të vëna në dispozicion, duke qenë se në total buxheti ka akorduar rreth 190 milionë euro, por siç dihet shkalla e përthithjes së tyre vazhdon të jetë shumë modeste, sidomos pjesa e mbështetjes për industrinë.

Në dijeninë time qeveria është duke diskutuar për një paketë të tretë dhe një paketë e tretë sigurisht që prej kohësh ka qenë e nevojshme dhe e domosdoshme, por para se të shkojmë te paketa e tretë unë mendoj se duhet të shqyrtojmë arsyet se përse fondet e disponueshme, të vëna në dispozicion që në buxhetin 2020 nuk janë përfituar, për të krijuar një kuadër institucional të ndihmës që të jetë fleksibël dhe që ta mundësojë realisht bërjen efektive të saj”,thotë eksperti. “Nëse nuk e bëjmë këtë analizë, atëherë unë mendoj që edhe një paketë e tretë nuk do të bënte kuptim, nëse do të vazhdonte me të njëjtën filozofi”,shton Selami Xhepa. Ndërkohë, Muça paraqet kërkesa konkrete, duke besuar se mundësitë për të ndihmuar biznesin ekzistojnë.

Ne i kemi kërkuar qeverisë ndërmjetësim me pushtetin lokal që të përjashtohemi për një periudhë disa mujore nga taksat lokale, pasi biznesi i vogël dhe i mesëm penalitetin më të madh, përsa i takon taksave dhe tarifave i ka nga pushteti lokal. Ne paguajmë 33 lloj taksash të drejtpërdrejta dhe të fshehura”,thotë Muça, duke kërkuar edhe ulje tëçmimit të energjisë dhe karburantit. “Ne do të jemipo ata që do të mbushim arkën e shtetit dhe të pushtetit lokal, por kërkojmë ndihmë tani që nuk kemi mundësi të paguajmë, në mënyrë që të jemi në start. Po përpiqet qeveria të gjejë vaksinën e shëndetit, por i bëj thirrje të gjejë dhe vaksinën e ekonomisë”,përfundon ai.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: