Nisur nga situata e ditëve të fundit, Qeveria e Kosovës ka vendosur të aplikojë masa të tjera me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Kështu, prej datës 7 deri me 18 prill do të mbyllen të gjitha baret dhe restorantet, por lejohen të shërbejnë delivery.
Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, ndalohet veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve thelbësore, siç janë dyqanet ushqimore dhe farmacitë, nga data 7 prill deri më datë 18 prill. Në qendrat e hapura tregtare lejohet aktiviteti duke i respektuar masat dhe rekomandimet për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID – 19.
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka vendosur gjithashtu që institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar të kalojnë online nga data 12 deri më 18 prill, ndërsa universitetet nga data 6 deri më 18 prill. Po ashtu të gjithë qytetarët , gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin vërtetimin për test RT-PCR negativ, të bërë brenda 72 orëve, para hyrjes në Kosovë.