
“Testime, testime, testime”, janë thirrjet që i bëhen më së shumti qeverisë për të menaxhuar situatën e koronavirusit. Ditët e fundit ka pasur ankesa për vonesat e përgjigjes së tamponeve, për të cilat shefi i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj tha se ndodh për shkak se janë prioritet personat e sëmurë që merren nga urgjenca.
Duke folur në emisionin “Tempora”, Brataj tha se nuk e vendosin se sa testime duhet të bëjnë por nëse shtohen kërkesat, sërish do ti jepet rëndësi më e madhe rasteve urgjente. “Testet nuk bëhet hajt t’i bëjmë se nuk kemi se çfarë të bëjmë. Teste do të bëhen aq sa kërkohen, nuk i vendosim ne. Në privat shkohet për arsye administrative dhe konfirmohen nga ISHP-ja. Mënyra e kërkesës dhe vlerësimit për tampon vazhdohet të bëhet përmes 127 dhe ndiqet procedura e zakonshme.
Për vonesën e tamponëve ka prioritet për ata që janë të sëmurë, që merren nga urgjenca, spitalet dhe më pas vijnë ritestimet. Nëse shtohen kërkesat sigurisht do t’u jepet prioritet rasteve më urgjente. Sot vetëm Tirana kishte 150 raste. Ne nuk duhet të fokusohemi në një pikë, se nuk ndryshon gjë në ecurinë dhe në kurmin e sëmundjes”, tha Brataj.