Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi ditën e enjte se në të gjithë botën ranë me 17% rastet e reja, por kjo statistikë që duket shpresëdhënëse mund të jetë manipuluar nga shumë vende në botë. Sipas OBSH-së mund të ketë një ndryshim real midis situatës reale dhe shifrave që deklarohen nga shtetet. Rënia është e dallueshme në vendet si India, Japonia, Spanja dhe shumë më pak në Francë dhe Gjermani.
“Sigurisht që nuk është një lajm i keq, por ne ende nuk e dimë sa i mirë është”, tha për France24 virologu Jonathan Stoye, kreu i kërkimit në Institutin Francis Crick në Londër. Numri i rasteve të reja ka rënë në shtetet e mëdha të cilat kanë raportuar shifra të mëdha ditore në krahasim me ato që po raportojnë tani. Mbretëria e Bashkuar raportoi një rënie prej 25%, SHBA-ja me 20% dhe Brazili me 10%.
Ndërkohë Jean-Stephane Dhersin, zëvendës drejtori shkencor i Institutit Kombëtar të Shkencave Matematikore të Francës në një intervistë për Fracë24, është shprehur se të dhënat e bëra publike nga OBSH-ja tregojnë vetëm një pjesë të shifrave reale. “Numrat në thelb tregojnë trajektoren ‘klasike’ të Covid-19 pa pasqyruar shfaqjen e varianteve.Ajo që është e dukshme në shifra është evolucioni i rasteve të infeksioneve me llojin më të madh të virusit, i cili është ende forma origjinale e Covid-19”, tha ai.