Eugen Meka, 31 vjeç, ka ndërruar jetë mëngjesin e kësaj të shtune në aksin rrugor Librazhd-Prrenjas. Furgoni i mallrave të cilin ai e drejtonte, është përplasur me një kamion dhe për pasojë i riu ka humbur jetën në vendin e ngjarjes.
Ndërkohë, i plagosur ka mbetur dhe shtetasi Y. Z., 30 vjeç, i cili ishte pasagjer në mjetin furgon dhe aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Drejtuesi i kamionit, shtetasi Y. Z., është shoqëruar në polici për kryerjen e veprimeve procedurale, ndërsa grupi hetimor vijon në vendngjarje punën për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
“Në aksin rrugor “Librazhd-Prrenjas”, automjeti me drejtues shtetasin E. M., 31 vjeç, banues në Korcë, është përplasur me kamionin me drejtues shtetasin Y. Z., 30 vjeç. Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën në vendngjarje shtetasi E. M., dhe është dëmtuar pasagjeri që udhëtonte me të, i cili është në kujdesin e mjekëve”, thuhet në njoftim.
Ky segment rrugor është ndër më problematikët në vend, për shkak të fluksit të lartë të mjeteve që qarkullojnë në të dhe shpejtësisë së ulët të lëvizjes, për shkak se rruga është tepër e ngushtë. Qeveria shqiptare po zbaton projektin për zgjerimin e saj, nga Elbasani deri në Qafë Thanë.