Togat e zeza të kryeqytetit kanë marrë sot vendimin të lënë në burg Ilir Pajën, “mjeshtrin” shqiptar të dy arratisjeve nga burgje të sigurisë së lartë në Itali, shkruan newsbomb.al. Për këto arratisje, ai ka marrë dhe nofkën “ufo”.
Avokati mbrojtës i Ilir Pajës ka pretenduar se ai e ka përfunduar dënimin që duhet të vuante në Itali, pasi është bërë bashkimi i dënimeve dhe në 2011 ish-Gjykata e Krimeve të Rënda e kanë dënuar për krimet në Itali me 17 vite e tre muaj burg.
Ilir Paja u arrestua nga Njësia Speciale e Policisë, FAST Albania, dy ditë më parë. Referuar njoftimit zyrtar, thuhet se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si person shumë i kërkuar pasi Gjykata e Apelit Milano/Itali, e ka dënuar me 25 vjet e 4 muaj burgim për vrasje, kryer në bashkëpunim dhe rrëmbim personi.
Lokalizimi dhe kapja e 49-vjeçarit u bë në Laprakë nga Njësia Speciale “Fast Albania”, në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë. Interpol Tirana në bashkëpunim me homologët italianë vijon punën për plotësimin e dokumentacionit me qëllim ekstradimin e 49-vjeçarit.
Kush është “ufo”, shqiptari Ilir Paja
Ilir Paja u akuzua dhe për disa vepra penale të kryera në territorin italian, mes të cilave edhe “vrasje me dashje të mbetur në tentativë në bashkëpunim”, “rrëmbim dhe mbajtje peng të personit” dhe “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura”.
Ndonëse ai u arrestua në Itali, pas disa muajsh dënim, në qershorit 2006, ai ka mundur të arratiset nga paraburgimi i Perugia-s, duke përdorur çarçafët si litar, deri në arrestimin e tij të dytë, më 4 shtator 2006. Shqiptari ishte burgosur prej 5 muajsh në pritje të ekstradimit nga Gjermania, ku akuzohej për vrasjen e një shqiptari tjetër në Duisburg.
Ai u ndalua në Itali dhe ndaj tij u shtua edhe akuza për shfrytëzim prostitucioni. Por ai ka mundur të ikë sërish nga burgu, në 14 gusht të 2007-ën, ndërsa policia ishte duke e transportuar me ambulancë, për shkak se i dënuari ishte në gjendje shumë të rëndë psikologjike dhe kishte tentuar disa herë vetëvrasjen.
Kësaj here kishte bërë si i sëmurë psikik dhe kur e kishin transportuar me ambulancë kishte filluar të rënkonte e të tërhiqte vëmendjen e policit kryesor. Kur ky është afruar, Paja i ka dhënë një grusht në fytyrë. Më pas ka hapur derën e autoambulancës dhe është larguar me vrap, ku ka kapërcyer një mur të lartë dhe ka ndjekur linjën e trenit. Edhe pse policët kanë qëlluar në ajër, nuk ka ndaluar. Më pas është futur në një pyll dhe është zhdukur.
Pas arratisjes së dytë në Itali, Ilir Paja është kthyer në Tiranë, ku jetonte i fshehur dhe është arrestuar sërish. “UFO-ja” qëndroi 10 vite në qeli deri ditën që u lirua nga ish-gjyqtarja Enkeleda Hoxha, nën nëntor 2017.
Gjiashtu, ai është akuzuar dhe si autori i vrasjes së një shtetasi nga Ekuadori dhe plagosjes së një tjetri, pas një grindjeje që kishte për motiv ngacmimin e një femre ekuadoriane, në kohën që ajo ishte me bashkëshortin e saj. Një tjetër episod i rëndë, sipas akuzës, ishte ai i dhunimit seksual të një 19-vjeçareje rumune.
