Sot, në Pallatin e Kongreseve, po mbahen homazhet në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano që ndërroi jetë ditën e premte, në një prej spitaleve private në kryeqytet, ku ishte i shtruar prej shumë ditësh.
Homazhet filluan prej orës 08:30 në Pallatin e Kongreseve, ndërsa trupi i Fatos Nanos do të niset në orën 12:05 nga Pallati i Kongreseve për në banesën e fundit.
Më poshtë, detajet e protokollit shtetëror për ceremoninë e së dielës:
07:45 – Marrja e trupit të të ndjerit nën kujdesin e shtetit
Eskorta ceremoniale e përbërë nga pararoja, automjeti funeral, motoçiklistët dhe automjete të tjera utilitare për transportin e familjarëve, vendoset pranë banesës ku prehet trupi i të ndjerit.
Një njësi prej 8 oficerësh në uniformë parade të Gardës së Republikës, shoqëruar nga agjentët e paracaktuar të Protokollit, marrin në dorëzim arkivolin brenda në mjedisin ku ndodhet. Arkivolit i vendoset sipër flamuri kombëtar. Oficerët ceremonialë mbajnë arkivolin (3×3), të paraprirë nga oficeri që jep komandën.
Një oficer ceremonial i dedikuar mban jastëqet me Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike dhe me dekoratat e tjera. Njësia vendos arkivolin në automjetin funeral, së bashku me jastëqet me dekoratat. Pasi verifikohet që çdo gjë është gatitur denjësisht, njësia vendoset në rresht dhe nderon, ndërkohë që eskorta niset e udhëhequr nga pararoja e Gardës, Protokollit dhe motoçiklistët, ndjekur nga mjetet e transportit të familjarëve (vënë në dispozicion nga Shteti).
08:00 – Nisja e eskortës funebre drejt Pallatit të Kongreseve
08:20 – Mbërritja e eskortës në Pallatin e Kongreseve
11:00 – Përfundimi i homazheve publike
11:15 – Homazhet e personaliteteve shtetërore dhe të Trupit Diplomatik
12:00 – Ceremonia funebre e Lamtumirës
12:00 – Mbërritja e Kryeministrit dhe Zonjës Rama.
12:45 – Lëvizja e kortezhit
13:30 – Mbërritja në varreza
14:30 – Drekë e përmortshme në Pallatin e Brigadave
16:00 – Përfundimi i drekës së përmortshme.
