Categories Kulture

Arianitët në muzeun historik kombëtar

Arianitët qenë një familje fisnike zotërimet e së cilës shtriheshin përgjatë luginës së Shkumbinit.[1]Në lidhje me zotërimet e Gjergj Arianitit ka versione të ndryshme.Në një burim të Muzakajve thuhej se Gjergj Arianit Komnen Topia ka qenë zot i Çermenikës, i Mokrës e i Shpatit. Një burim tjetër citon se pronat origjinale të kësaj familje ishin në në fshatrat reth e rotull Kaninës, Gjirokastrës dhe Beratit (1506). Kjo e dhënë na vjen nga pjesa e islamizuar e familjes Arianiti. Pas betejave të Skënderbeut pushtimi otoman u duk se ishte i pashmangshëm. Një degë e rëndësishme e famijes u largua për në Itali kurse një pjesë tjetër mbeti në Shqipëri. Dokumentet përmendin Mahmud bin Aranid, i cili u bë sanxhakbej i Himarës, që shtrihej përgjatë bregdetit të detit Jon. Duket se Mahmudi ishte djali i tretë i Gjergj Arianitit me gruan e tij të dytë italiane. [2] Djali i Mahmud bin Arianitit i quajtur Ali Bej që zotëronte fshatrat rreth Kaninës, Vlorës, Beratit dhe Gjirokastrës u bë sanxhakbej i Vlorës në vitin 1522.[3] Kjo paqartësi se cilat ishin zotërimet origjinale të familjes Arianiti vazhdon të mbetet ende e pranishme në studimet historike.

Emri i familjes së Arianitëve haset për herë të parë në shek.XI në veprën e Gjergj Kedrenit Përmbledhje Historish.Në burimet historike krahas mbiemrit Arianiti kjo familje fisnike përmendet edhe me mbiemra të tjerë si Komneni, Golemi, Topia, Shpata e Çermenika.[4] Arianitët kishin simbolet e tyre. Stema e Arianitëve është e kaltër me një shqiponjë të artë dykrenore, krahëhapur. Stema shoqërohet me motivacionin: “Komino i derës së zotit Retini të Shqipërisë mbi Skuteri, zot në anët e atij vendi, i cili u pranua dhe u bë anëtar i Këshillit të Madh, sepse kështu iu duk me vend Sinjorisë(Venedikut) Sonë për ta nderuar dhe për ta patur simpatizant tonin. Kjo u bë në vitin 1464”.[5]
Një burim i rëndësishëm për historinë e familjes Araniti është libri i Prof. Dhimitër Shuteriqit, Aranitët (2009). Libri “Aranitët”, i Dhimitër Shuteriqit pasqyron historinë e kësaj familjeje të fuqishme feudale, duke filluar që nga shek. XI, kur shfaqet për herë të parë emri i kësaj familjeje në kronikat bizantine e gjer në vitin 1551, kur shuhet pinjolli i fundit i saj, Araniti, djalë i Konstandinit dhe nip i Gjergj Aranitit. Ky i fundit udhëhoqi shqiptarët në kryengritjet antiosmane të viteve ’30 të shekullit të XV. Barleti dhe burime të tjera dëshmojnë se ai ishte një nga krerët kryesorë, që mbështeti Skënderbeun në Kuvendin e Lezhës.Ai ishte përkrah tij edhe gjatë kryengritjes së përgjithshme anti-osmane, që ndërmorën shqiptarët nën udhëheqjen e tij.Nga Aranitët vinte Donika, e shoqja e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut.Aranitët sunduan në viset kyçe të Shqipërisë, në rrugët dhe luginat kryesore të Shqipërisë së mesme rrugën e Drinit, hyrjet në Shqipëri nga ana e Ohrit dhe e Dibrës etj.Në fillim të shek. XV Gjergj Arianiti ishte ndër të parët prijës vendës, që ngriti krye kundër pushtimit turk. Shkaku i kësaj kryengitje ishte fakti se Perandoria Otomane në kundërshtim me traktatin e vasalitetit filloi të vendoste spahinj nga Anatolia në tokën e familjes Arianiti dhe Gjergj Arianiti si kryezoti i familjes u dërgua tek Sulltan Murat II për tu ankuar. Sulltan Murati II refuzoi ti kthente tokat kështu që Gjergj Arianiti vendosi të fillonte rezistencën.[6] Gjergj Arianiti, në bashkëpunim me feudalë të tjerë vendës arriti t’u bënte ballë turqve në verën e vitit 1432.Në dimrin midis viteve 1432-1433, Gjergj Arianiti theu përsëri trupat turke në luginën e lumit Shkumbin.Turqit, të komanduar nga Ali Bej Evrenozi, qenë dërguar nga vetë Sulltan Murati II. Fitorja e Shkumbinit u konsiderua në Europë si një fitore e madhe e Gjergj Arianit Komnenit. Në vitin 1443 ky prijës shqiptar korri një tjetër fitore në grykat e Labërisë. Pas kësaj fitoreje vërshuan përgëzimet nga Europa.[7] Papa Eugjen IV, mbreti Alfons V i Napolit, perandori gjerman Sigizmund dhe Republika e Raguzës përveç urimeve, i premtuan ndihma Gjergj Arianitit. Kjo eufori nuk vazhdoi shumë, pasi në vitin 1435 forcat turke të drejtuara nga bejlerbeu Sinan Pasha e shtypën revoltën shqiptare dhe e detyruan Gjergj Arianitin të tërhiqej, duke u kthyer në vasal të sulltanit.
Emri i Gjergj Arianitit mbijetoi dhe në muzën popullore të zonave të Librazhdit.Ai haset në kujtesën popullore dhe me emrin Gjorg Golemi.Sipas kujtesës popullore Gjorg Golemi ishte i lavdishëm. Araniti, sipas Barletit, ishte kryegjeneral i ushtrisë së Skënderbeut.Roli i vjerrit të Skënderbeut, Gjergj Araniti, në ndeshjet kundër osmanëve, çmohet lart nga historia.Historianët janë marrë pak me të, sepse fama e Skënderbeut e la në hije. Tri herë ka ardhur në Shqipëri sulltan Mehmeti i Dytë: Një herë kundër Krujës dhe herë të tjera kundër këtyre viseve. Ai i pushtoi me shumë vështirësi tokat e aranitëve.Dy ekspedita rresht kundër aranitëve i drejtoi vetë sulltani.Sidoqoftë, më 1466, kur ishte shkruar kjo letër, sulltani nuk arriti t’i shtronte plotësisht viset e Aranitisë. Më 1467, pa u mbushur mirë viti, sulltanit iu desh të bënte ekspeditën të dytë të madhe më gjakatare dhe më çfarosëse se gjithë të tjerat, për ta pushtuar përfundimisht këtë vend. Kur them këtë vend, kam parasysh këtë vend ku jemi, këto krahina të Librazhdit. Në dhjetor të vitit 1466, një udhëheqës i këtyre viseve, një vasal i Aranitit, një i quajtur Ilia Bosi, kërkoi miratimin e Venedikut për t’u lëshuar kundër turqve me 12 mijë luftëtarë të armatosur të vendit të tij.Gruaja e parë e Gjergj Aranitit quhej Maria.Ajo ishte nga dera e Muzakajve të Myzeqesë.Dihet, se Araniti, me gruan e tij italiane, pati tre djem. Araniti kishte 11 fëmijë: 8 vajza me Marën, gruan e parë dhe 3 djem me gruan e dytë, italianen. Prej tyre, i dyti, i cili quhej Kostandin.Pas vdekjes së babait të tij, Kostandin Araniti iku 12 vjeç në Itali, ku bëri një karrierë të madhe.[8]
Në Muzeun Historik Kombëtar në pavionin e mesjetës gjendet Epitafi i Gllavenicës, i cili daton në vitin 1373. Ky është i vetmi objekt i kulturës materiale që ruhet nga familja fisnike Arianiti. Emri i familjes Arianiti shfaqet i qendisur në një nga cepat e epitafit,pasi qëndisësi i tij është një pinjoll i kësaj familjeje, Gjergj Arianiti. Epitafi i Gllavenicës[9] është ekspozuar në stendat e Muzeut Historik Kombëtar në vitin 1981.Epitafi është qëndisur në një pëlhurë të mëndafshtë. Mbi të janë realizuar qëndismat dhe shkrimet. Pëlhura është një endje sarzh me nuanca kafe dhe violë. Mëndafshi i përdorur është i cilësisë së lartë dhe i pangjyrosur. Filli metalik, më anën e së cilit është qëndisur epitafi është prej argjendi të larë me ar.[10]Nga ngjyrat me të cilat është qëndisur Epitafi i Gllavenicës, shquhet ngjyra e kuqe, e cila përdorej vetëm në tekstilet e çmuara. Kjo ngjyrë krijohej nga një insekt i quajtur kermes, që kultivohej në Shqipëri.[11]
Epitafi është qëndisur në vitin 6881 nga krijimi i botës, datë e cila sipas kalendarit bizantin korrespodon më 22 mars të vitit 1373. Mbishkrimi i epitafit është qëndisur në dy shtylla, pranë kokës dhe këmbëve të Krishtit. Disa gërma janë zhdukur. Mbishkrimi i epitafit është deshifruar nga A. Papadopulus-Kerameus dhe nga Theofan Popa.
+Επ/ληπω/θηω / πανσε/πτος / καιθη/οςαε/παςτηςΥπερα/γίαςΘε/οτοκου/ της ασα/λευτου / δη εξο/δου και κο/που του πανη/εροτατου / επισκο/που Κα/ληστου / Γλαβεν/γτζης / και Βελ(λ)αγραδον / εν μηνη/ μαρτιο / ΚΒ. /ετος ΣΤΩ/ΠΑ (6881=1373).
+Ζωης / ο κρατων φευ προς / θνησκης / απνους / νεκης / Επη / της αυ/θεντη/ας του /ηψηλο/τατων αυ/θεντων / Σερβη/ας και Πο/μανηας / και πας/ης Αλβανου / και αυτα/δελφου / Γεωργηου / και Μπαλ/σα. / +Χειρ Γε/ωργηου / του Αρηαν/νητη και Χρι/σοκλαβανη.
U plotësua (qëndis) ky aeras (epitaf) i gjithnderuar dhe i hyjshëm i së mbishenjtës Hyjlindëses së patundur, me shpenzimin dhe mundimin e peshkopit të gjithhirshëm, Kalistit të Gllavenicës dhe Beratit, në muajin mars 22, viti 6881(=1373).
“Ti që zotëron jetën, ah! Si (je) trup i vdekur pa frymë. Në kohën e zotërimit të zotërinjve të shumëlartë të Serbisë, Rumanisë dhe gjithë Albanit dhe vëllezërve Gjergjit dhe Balshës. Dora e Gjergj Arianitit dhe arqendisësit.[12]
Epitafi i Gllavenicës është një dëshmi e lidhjeve të forta që familja Balsha kishte me Arianitët. Balshajt ishin zotërit më të fuqishëm të Shqipërisë dhe në trevën e despotatit të dikurshëm të Beratit. Qenë ata që bënin lojën pas martesës së vajzës së despotit Andrea II Muzaka me “mbretin” Balsha II. Në fillim të viteve 70-të të shekullit XIV me shtrirjen që mori principata e Balshajve u bë një nga shtetet feudale më të fuqishme të trojeve shqiptare.[13] Mbishkrimi i vitit 1373 mbi të ashtuquajturin “Epitaf i Gllavenicës”, që mban datën e 22 marsit 1373, i cilëson Gjergjin dhe Balshën II si zotër të “Serbisë, Rumanisë dhe gjithë arbërit”.[14] Kështu në vitin 1373, vëllezërit Balsha, që vetë burimet serbe i përcaktojnë si “sundimtarë shqiptarë”, vetëcilësohen veç të tjerash si zotër të Serbisë. Balshajt zotëronin më 1373 një pjesë shqiptare si Vlorën dhe Beratin. Përsa i përket cilësimit “zotër të arbrit”, që përmban mbishkrimi i vitit 1373, vëllezërit Balshaj pretendonin se u përkiste atyre për shkak të lidhjeve familjare që kishin patur me titullarin e vërtetë të Arbërit, Karl Topia, që për më shumë atë kohë ishte katandisur në statusin e një vasali kundrejt tyre, deri sa në vitin 1384 Balshajt i rëmbyen dhe vetë Durrësin.[15]
Në Pavionin e Mesjetës ndodhen edhe disa gravura që i përkasin figurave të mëdha të kësaj familjeje fisnike arbëre. Gravurat i përkasin autorit George Greblinger, në veprën e tij “Ilustrime të vërteta të princëve turq të Kayser dhe Persian” … Frankfurt: të botuar nga Johann Ammon, në 1648. Në këtë vepër janë gdhendur, 47 portrete nga THEODORE DE BRY. Botimi në gjermanisht i koleksionit të shkëlqyeshëm të portreteve të sulltanëve osman nga Osman I (1258-1326) tek Murati III (1546-1595) dhe figura të tjera historike si Skënderbeu, Tammas Khuli Khan dhe Barbarossa. Ky botim nuk përfshin tekstin e botimit të parë të Boissardit Vitae Et Icones Sultanorum, Frankfurt, 1596. Atabey 125; Blackmer 159 (edicioni i vitit 1596). Portretet janë të një kohe më të vonshme dhe nuk mund të pretendojmë mbi autencitetin e drejtë për së drejtë të ngjashmërisë së tyre me personat fizikë të vërtetë edhe pse mund të jenë kopjuar nga miniatura që mund të kenë qarkulluar në atë kohë. Portreti pare është i gruas së Gjergj Kastriotit, Donika Kastriotit, të bijës së Gjergj Arianitit. Donika Kastrioti ka lindur në Kaninë, më 1428. Më 26 prill të vitit 1451 u celebrua kurorëzimi i Gjergj Kastriotit me Andronika (Donika) Kastriotin. Kjo martesë mendohet se u bë në manastirin e Ardenicës në kishën e Shën Triadhës dhe u celebrua nga Igumeni Feliks. Andronika ose Donika ishte e bija e Gjergj Arianitit, princit të Vlorës dhe Kaninës.Kjo martesë solli edhe pajtimin e Skënderbeut me Arianitasit, të cilët kishin marrë anën e Venedikut pas krizës së vitit 1450.[16]Në sfondin e betejave skënderbejane në pavionin e mesjetës ndodhen edhe portretet e dy anëtarëve të tjerë të familjes Arianiti, bashkëluftëtarë të Skënderbeut, Moisi Golemit dhe Muzaka Araniti, ose Muzaka i Angjelinës.
Moisi Golemi jetoi gjatë shekullit të XV. Ishte pjestar i familjes së madhe të Arianitëve-Golemëve, një nga komandantët e Skënderbeut, i ngarkuar fillimisht me komandën e reparteve që mbronin kështjellat në kufijtë lindorë. Për fitoret e korrura Skënderbeu i dha Moisi Golemit një feud të madh në Dibër. Ai qëndronte në Dibër si komandant i kufirit, prandaj njerëzit e quanin edhe Mosiu “i Dibrës”. Ai ishte i biri i Muzakut, (Mosachi) i cili ishte vëlla i Gjergj Aranitit. Moisi Golemi u martua me Zanfinën, e cila kishte qënë gruaja e Muzak Topisë, të cilë e ndau për t’u martuar me Mamicën, motrën e Skënderbeut. Nga martesa me Zanfinën, Moisiu pati dy fëmijë, Andrean dhe vajzën Yella. Martesa e Mamicës me Muzak Topinë kishte karakter të rëndësishëm politik. Kjo martesë duhej t’i shërbente forcimit të aleancave dhe lidhjeve të Skënderbeut me zotërinjtë kryesorë të vendit.
Muzak Topia, mbante edhe një emër të dytë “Karl Muzaka”. Pas martesës me Mamicën, Muzak Topia, hyri në marrëdhënie dhe lidhje të ngushtë me Skënderbeun. Barleti, Biemmi si dhe burime të tjera e përmendin atë si një nga udhëheqësit kryesorë të luftës dhe komandant të besuar të Skënderbeut. Muzak Topia u caktua nga Skënderbeu të ndiqte martesën së tij me të bijën e Gjergj Aranitit. Mamica pati me Muzak Topinë katër djem dhe dy vajza, shkruante Gjon Muzaka. Nga këta fëmijë, njohim vetëm njërën vajzë, me emrin Jellë, e cila u martua me zotin Andrea Muzaka.
Muzak Topia pati një fund tragjik në luftë. Ai mori pjesë me Skënderbeun në Betejën e Beratit të vitit 1455. Skënderbeu caktoi si komandant Muzak Topinë dhe Tanushin. Barleti shkruante se në betejën e Beratit shqiptarët patën një humbje të rëndë. “Në atë betejë, njofton ai, u vranë nga tanët 5 mijë vetë, tre mijë këmbësorë, të tjerët kalorës.” Edhe Frangu, përmend shumë të rënë dhe shkruante se, “Gjëja më e fëlliqur dhe më e shëmtua ishte kur ata filluan “t’i rripnin dhe t’i mbanin vetëm lëkurën ushtarëve të cilëve i këputnin kokën të gjallë”, fat të cilin e pati edhe Muzak Topia. Kjo betejë mund të kishte shkuar shumë më keq për shqiptarët, po të mos kishte ardhur në ndihmë Skënderbeu. Sipas Frangut, Skënderbeu, mundi kështu “të shpëtonte popullin nga kthetrat e vdekjes”.
Moisi Golemi pas betejës së Beratit të vitit 1455, kaloi me turqit. Sipas Barletit, ai veproi kështu sepse këtë drejtim kishte marrë tani edhe fati i luftës. Ikja e Moisiut u përjetua rëndë nga Skënderbeu. Moisiu erdhi kundër Skënderbeut në krye të një ushtrie osmane, por u mund prej tij në betejën që zhvilloi në Dibrën e poshtme, më 19 maj 1456. Më pas Moisiu u pendua e u kthye tek Skënderbeu, ku ai e fali dhe i ktheu pronat e sekuestruara dhe e caktoi detyrën e mëparshëme. Moisiu Golemi u kap rob nga osmanët në eksperditën e parë të Ballaban Pashës më 1464 në betejën e Vajkalit, por nuk pranoi të vihej përsëri në shërbim të tyre, ku vdiq i torturuar nga osmanët. Vdekja e tij si martir mesa duket i dha dhe një famë tjetër mes kapedanëve të Skënderbeut përderisa portreti i tij gjendet sëbashku mes personaliteteve më të rëndësishëm në librin me gravura të George Greblinger-it.
Portreti i dytë që gjendet në pavionin e mesjetës në Muzeun Historik Kombëtar është portreti i Muzak Aranitit, një pinjolli tjetër të familjes Araniti.Muzak Araniti ishte kapedan i ushtrisë së Skënderbeut, që luftoi në shek.XV kundër ushtrisë më të madhe të kohës, asaj të Perandorisë Otomane. Muzak Golemi rridhte nga dera fisnike e Aranitëve dhe ishte djali i Vladan Golem Aranitit, i cili ishte vëllai i Gjergj Aranitit dhe Muzak Komnenit, babai i Moisi Golemit. Nga martesa e Vladan Aranitit, me Angjelinën, lindi Muzaka, i cili njihej në popull me emrin“Muzaka i Angjelinës” dhe se ai thirrej me këtë emër për shkak të emrit të nënës së tij, Angjelinës, por edhe për ta dalluar nga i ungji i tij, Muzakë Komneni, që ishte vëllai i babait të tij dhe ati i Moisi Golemit.[17] Muzaka i Angjelinës mori pjesë në Kuvendin e Lezhës më 2 Mars 1444. Ai përmendet si një nga luftëtarët më të zotë të ushtrisë së Skënderbeut dhe pjesëmarrës në disa nga betejat më të rëndësishmet që ushtria e tij zhvilloi kundër asaj osmane. Reth 8 komandantë të rëndësishëm të Skënderbeut ku bënin pjesë edhe Moisi Golemi e Muzaka i Angjelinës, ranë pre e kurthit të Ballaban Pashës dhe u zunë robër në Betejën e Vajkalit nga ushtria osmane. Pas vdekjes së tyre Skënderbeu humbi komandantët e tij më të mirë.
Epitafi i Gllavenicës dhe portretet e dy pinjojve të familjes Arianiti në pavionin e mesjetës në Muzeun Historik Kombëtar rrëfejnë vetëm një pjesë të vogël të kontributit të kësaj familje në historinë mesjetare të Shqipërisë. Me rikonceptimin e linjës muzeale të këtij pavioni do të mundet të hidhet më tepër dritë për anëtarët e tjerë dhe për të rindërtuar mozaikun e munguar të mesjetës shqiptare.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Kulture

Përkujtohet Kuvendi i Besës në Senicë

Në fshatin Senicë, të njohur si “ballkon” i krahinës së Rrëzomës, 254 vite më parë…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Këngëtari grek u kërkon falje shqiptarëve: Faleminderit shumë! Disa herë Greqia ju ka lënduar

Këngëtari grek Andonis Remos ka dhënë një koncert mbrëmjen e djeshme në Pallatin e Kongreseve…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Biblioteka Publike “Dritëro Agolli” Fier, pēr të tretin vit radhazi nderon me çmime lexuesit më të mirë të vitit

Biblioteka Publike “Dritëro Agolli” Fier, pēr të tretin vit radhazi nderon me çmime lexuesit më…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Kadare nominohet për “The Booker 2024”

Në 2005 ishte fituesi i parë i këtij çmimi Shkrimtari i mirënjohur Isamil Kadare, nominohet…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Punuan veprat kryesore të Muzeut Kombëtar në Krujë, 5 artistë nderohen me titullin “Qytetar Nderi”

Pesë artistë të mirënjohur të arteve figurative në vend u nderuan me titullin “Qytetar Nderi…

LEXO ME SHUME