Categories Kulture

Artefakti i rrallë, harta që provon influencën e Skënderbeut në Europën e shek. XV

Në ceremoninë simbolike në vigjilje të Festave të Nëntorit në Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Kryeministri Rama njoftoi publikun shqiptar se do të njihet me artefaktin e jashtëzakonshëm, hartën që provon vërtetësinë dhe influencën e figurës së Skënderbeut në Europën e shekullit XV.

Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast, Rama tha se përgjatë tërë Vitit Mbarëkombëtar spikat përkrenarja e Skënderbeut, si krenari e kombit dhe sublimim simbolik i vijimësisë historike të shtetit shqiptar.

“Spikat mes kësaj morie një simbol unik, që dua ta veçoj, përpara fjalës sime, sepse përbën gjithënjëherësh ngjarje, mrekullim, gjest kuptimplotë dhe mirënjohje. Përkrenarja që shihni në krahun tim të djathtë, na ka shoqëruar gjatë këtij viti, qysh prej përkujtimit gjithaq të veçantë të 550-vjetorit të kalimit n’amshim të Gjergj Kastriotit. Kjo përkrenare, krenari e kombit dhe sublimim simbolik i vijimësisë historike të shtetit shqiptar, është për ne edhe një krenari e artit dhe artizanatit vendas”, – tha Rama.

Ai u shpreh se Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut, u pa si një vit ardhmërie.

“Serioziteti në gjërat e mëdha”, – thotë një shprehje e njohur, – “fillon nga besnikëria dhe frytet e dhëna kundrejt gjërave, në dukje, të vogla”. Po, ky vit ishte një pretekst, ose më mirë të themi, një shtysë për motivim, një ogur për të vepruar. Me mbështetje të çiltër mu në mes të gjendjes shqiptare anembanë rruzullit, por edhe me jo pak pengesa nga burokraci të panumërta, kursori i kësaj nisme shkoi aty ku dhemb dhëmbi, po ku gjuha shkon rrallë. Dua të them se Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, me 6 datat e tij madhore, shërbeu jo vetëm për të ndërgjegjësuar, por edhe për të përmirësuar në themel, mangësi themelore të përditshmërisë sonë, si komb dhe si shtet”, – tha ndër të tjera Kryeministri.

Në ceremoninë përmbyllëse, Rama theksoi se “gjatë përkujtimeve të 550-vjetorit, në janar, me qindra arbëreshë, nën drejtimin skanderbegian të dy kokave të shqiponjës arbëreshe, Mandala dhe Altimari, vërshuan në tokën e të parëve. Përmes një itinerari të ngjashëm, janë Roma dhe Napoli që sjellin sot në Tiranë, falë kokëfortësisë kureshtare dhe të pacipë, siç ja njohim të gjithë, të Artan Shkrelit, një moment të posaçëm mrekullimi. Roma, sepse artefakti që prej sot e për dy javë do t’i ofrohet publikut, ruhet si më i vjetri i llojit të tij, në Bibliotekën Qendrore të qytetit të përjetshëm, prej ku, mes 1001 peripecish u soll në Tiranë. Napoli sepse, dhe këtu zë e lahet borxhi, u desh angazhimi dhe kokëfortësia, plot oborrësi dhe diplomaci, jo si ajo e Shkrelit pra, e një napolitani të mirë mes nesh, ambasadorit italian Alberto Cutillo, që ky moment të konkretizohej nëpërmjet një mbështetje të pakufi, ndoshta e krahasueshme me atë që Skënderbeu i dha sovranit të dikurshëm të atdheut tuaj, pa kërkuar asgjë në këmbim”.

Më tej, ai shtoi se “me artefaktin që do të shfaqet sot këtu, në një farë mënyre, pas 500 vjetësh, jemi të larë. Roma dhe Napoli, deri diku, borxhin e kahershëm, ja shlyen, moralisht Gjergj Kastriotit. E them këtë duke patur parasysh, fjalët e urta të Imzot Nolit, historiografit të merituar të tij. Nëse ne vërtetojmë dokumentarisht, shtronte Fan Noli, siç e nënvizon edhe Kristo Frashëri, saktësinë e të paktën tri fushatave perandorake të sulltanëve osmanë kundër Krujës dhe dështimin e turpshëm të tyre para mureve të kalasë, atëherë, thekson ai, kemi vërtetuar se veprimtaria e Skënderbeut nuk është legjendë, por histori e vërtetë. Më ngjan, mua, që nuk jam historian, se artefakti, përkatësisht një hartë në lëkurë viçi ende të palindur, e vitit 1455, është ca më shumë se një dokument që vërteton të jashtëzakonshmen në veprën e Skënderbeut në të gjallë të tij”.

Në mbyllje Kryeministri iu referua këtij artefakti, duke cituar fjalët e Papës Kaliksti III adresuar Skënderbeut në vitet 1450-1457. 

“Ne, bir i dashur, kemi patur gjithmonë mendim shumë të mirë për fisnikërinë tënde. Emri yt i lumtur është përhapur në të gjithë popujt për të gjitha këto punë të mira që ti ke kryer, për këto fitore të shkëlqyera që ti ke korrur. Qofsh pasqyrë e shembull për të gjithë princat e krishterë dhe për mbarë kombet dhe emri yt do të kurorëzohet prej famës së amëshuar!” Roma locuta, causa finita! (Pas fjalës së Romës, çështja quhet e mbyllur), thoshin dikur ca pleq me mjekër, buzëhollë e të ditur”, – përfundoi Rama. /atsh

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Kulture

Përkujtohet Kuvendi i Besës në Senicë

Në fshatin Senicë, të njohur si “ballkon” i krahinës së Rrëzomës, 254 vite më parë…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Këngëtari grek u kërkon falje shqiptarëve: Faleminderit shumë! Disa herë Greqia ju ka lënduar

Këngëtari grek Andonis Remos ka dhënë një koncert mbrëmjen e djeshme në Pallatin e Kongreseve…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Biblioteka Publike “Dritëro Agolli” Fier, pēr të tretin vit radhazi nderon me çmime lexuesit më të mirë të vitit

Biblioteka Publike “Dritëro Agolli” Fier, pēr të tretin vit radhazi nderon me çmime lexuesit më…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Kadare nominohet për “The Booker 2024”

Në 2005 ishte fituesi i parë i këtij çmimi Shkrimtari i mirënjohur Isamil Kadare, nominohet…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Punuan veprat kryesore të Muzeut Kombëtar në Krujë, 5 artistë nderohen me titullin “Qytetar Nderi”

Pesë artistë të mirënjohur të arteve figurative në vend u nderuan me titullin “Qytetar Nderi…

LEXO ME SHUME