Kulture

Foto / Video / “Zeje dhe Folk”, artizanët dhe grupet polifonike ‘pushtojnë’ Vlorën

Zeje dhe Folk” titullohej aktiviteti që mblodhi mbrëmjen e djeshme në sheshin e ri përpara stadiumit “Flamurtari” në Vlorë grupet polifonike dhe artizanët e qytetit.

Ky aktivitet u organizua nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë, në bashkëpunim me institucionet kulturore të bashkisë Vlorë, në kuadër të Ditëve Europiane të Trashëgimisë dhe 29 shtatorit, Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.

Artizanët e shoqatës ” ArtCraft” dhe grupet e këngës e valles polifonike si dhe asaj qytetare, ‘pushtuan’ sheshin me ngjyra, melodi e ritme vallesh tradicionale.

Në shesh u ekspozuan plot bukuri e hijeshi edhe punimet e mjeshtrave krijues në dru, gur, mozaikë, alabastër etj.

Specialisti i trashëgimisë në DRKK Vlorë, Sejmen Gjokoli, tha për ATSH-në se “i veçantë dhe mjaft tërheqës është këndi i krijuar me sende e orendi nga Muzeu Etnografik i qytetit, sidomos mjedisi baritor e ai bujqësor në qasje e evokim nga një kohë e shkuar dhe që sot vjen si trashëgimi brezash”.

“Artizanët Axhi Daupi, Axhem Binaj, Avenir Troqe, Qazim Sulioti, Dushan Mëzuraj, Shpresa Dahri, Festim Zemani, Musa Feruni etj. për të parën herë shpalosën në një aktivitet të gjerë kulturor krijimtarinë e tyre artizanale”, thekson Gjokoli.

Këta artizanë pikërisht për këtë pjesëmarrje, por edhe për kontribut të çmuar e të vazhdueshëm në ruajtjen e traditës së mjeshtërisë, u vlerësuan nga DRKK, përmes drejtorit të institucionit Orgest Feimi dhe deputetes së Partisë Socilaiste, Vilma Bello, me Certifikatë mirënjohjeje.

“Zejtaria, punimet artizanale dhe folku janë tregues të identitetit tonë kombëtar e që, përmes aktiviteteve të tilla, trashëgohen ndër breza si vlera të veçanta e të përhershme”, tha Bello.

Ndërkohë grupet polifonike “Vatra Labe”, “Bilbili”, Vranishti, grupi i grave të Tërbaçit, Sazet e qytetit, Ansambli “Krahu i Shqiponjës Taip Madani”, i valleve të Pallatit të Kulturës etj e ndezën mbrëmjen me ngjyra e melodi të këngëve polifonike e valleve tradicionale e popullore.

Si për të treguar vazhdimësinë e traditës së këngës në breza, përpara shikuesve të shumtë që mbushën sheshin “Flamurtari” performuan polifoni edhe nxënësit e shkollave të mesme “Pavarësia” e ” Jani Minga”.

Aktiviteti kushtuar Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore është një model i organizimit, i pasionit dhe fuqisë së trashëgimisë kulturore shpirtërore.Atsh

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button