Categories Kulture

Intervistë me studiuesen dr. Rovena Vata

Intervistë me studiuesen dr. Rovena VATA

“VENDORIGJINA E AT GJERGJ FISHTËS DHE PSE GJERGJ FISHTA ËSHTË SOT PA MUZE?!”

Pyetje-Inmediares.mk: Rovena më shumë se krrë këto kohë po flitej shumë për vendorigjinën e Fishtës. Opinioni i gjerë do të dijë më shumë, për lidhjen e Fishtës me Domgjonin e Mirditës. Cila është lidhja Fishta-Domgjon-Mirditë?

Përgjigje dr. Rovena Vata: Domgjoni është vendorigjina e At Gjergj Fishtës. Çdo personalitet, vend apo komb, identifikohet nga identiteti historik i rrënjës së origjinës së tij. Fatmirësisht At Gjergj Fishta është me origjinë nga Mirdita Arbënore, iliro-autoktone, që ka nxjerr shumë figura kombëtare, që nga Abat Preng Doçi, e deri tek pajtimtari i trojeve shqiptare Anton Çeta, që vendorigjina e tij është nga një krahinë me Fishtën, nga Fani i Mirditës. Identiteti i At Gjergj Fishtës është lënë në heshtje, madje duke spekuluar dhe devijuar historikun e identitetit të tij, siç kanë bërë në Zadrimë, që i kanë përvetësuar padrejtësisht trojet e lindjes, kanë penguar ndërtimin e Muzeut të Fishtës dhe për të justifikuar veprimet e tyre, këta persona kanë tentuar të devijojnë historikun e Homerit Shqiptar, pasi dihet rëndësia e identitetit të origjinës së figurave kombëtare. Ndër vite kanë mbajtur lidhjet e vjetra gjaku i At Gjergji Fishtës, në Domgjon dhe Fishtë edhe në vitet e regjimit, në kohën kur dënoheshe po të promovoje Fishtën dhe do të deklaroje se je gjaku i tij.

Po përmendim lidhjet që kanë mbajtur në vitet e regjimit historiani dhe etnografi Mark Paci, themeluesi i 5 muzeve, me nipin e Fishtës, Nik Tomën, rapsodin e parë në Zadrimë, themeluesin i pesë qendrave kulturore, ku në fshehtësi të plotë vizitonin e mbanin lidhjet e gjakut, Domgjon-Fishtë. Inteligjenca e brezave të familjes Paci, në Domgjon e Fishtë, është trashëguar ndër breza, kanë nxjerrë poetë e piktorë të lindur, shkrimtarë e historianë, siç është Mark Paci në Domgjon dhe nipat e At Gjergjit, Mark Fishta e Nik Toma në Zadrimë etj. Dëshmia e gjallë e lidhjeve të gjakut të Fishtës, Domgjon-Zadrimë, janë gjaku i Fishtës, nipat e stërnipat e tij, që deklarojnë me krenari origjinën nga Mirdita dhe vizitojnë në mënyrë të organizuar Domgjonin, vendorigjinën e At Gjergj Fishtës.

Fishta e ka lënë të dëshmuar lidhjet e tij me vendorigjinën e të parëve të tij, qoftë përmes dëshmive të miqtë dhe bashkëpunëtoret e tij  më të ngushtë, qoftë të konkretizimi i kësaj lidhje në veprat e tij letrare. Origjinës së tij nga Mirdita, Fishta i ka shkruar jo në formë rastësore në kryeveprën e tij poetike “Jerina ase mbretesha e luleve”, të nisur para 105 viteve, në vitin 1914 dhe të përfunduar në vitin 1940, pak muaj para se të ndërronte jetë Fishta, ku shpirti kërkon qetësi pikërisht në trojet e të parëve dhe ku gjaku thërret gjakun. Në këtë vepër ai i shkruan mallit dhe bukurive të bjeshkëve të Munellës, Gurrës së Lashtë të Munellës, që sot njihet si Gurra e Domgjonit, afër kësaj gurre shtrihen trojet, ku ka lindur gjyshi i At Gjergj Fishtës.

At Gjergj Fishta në këtë vepër poetike, përzgjodhi për t’i kënduar mitit të malit, pikërisht malit të vendorigjinës së tij, Majës së Munellës, për të na treguar edhe lidhjen e Mirditës me Dukagjinin, që vetë Fishta e pagëzon me emrin Ora e Mirditës. Pra Fishta jetoi në kohën kur shtresat e popullsisë nuk dinin shkrim e lexim, në ato kohë të vështira analfabetizmi, ku pak kush dinte të përshkruante bjeshkët e malet e veriut dhe Mirditës. Gjyshi i Fishtës ka lindur në Domgjon, Mirditë familja Paci, në vitet 1800 ka zbritur nga Domgjoni në Fishtë të Zadrimës, në Fishtë ka lindur i ati i Gjergj Fishtës Ndoka, i cili kishte një vajzë Lenen dhe tre djem, Lekën, Zefin, i cili u pagëzua Gjergj Fishta dhe Çupin, vëllain e Fishtës, që u vra në moshën 18 vjeçare.

Pyetje-Inmediares.mk: Dyshen Abat Doçi-At Gjergj Fishta, ju e keni promovuar më së shumti. Çfarë duhet të dimë më shumë për këtë dyshe dhe bashkëpunimin e tyre?

Përgjigje dr. Rovena Vata: Abat Preng Doçi, ndryshe njihet edhe si Abati i Mirditës, pra së bashku si edhe At Gjergj Fishta, ata i lidh vendi i tyre i origjinës, Mirdita. Abati Preng Doçi dhe At Gjergj Fishta bashkëpunuan për çështjen kombëtare, të cilët së sajë të bashkëpunimit që kishin mes tyre, në vitin 1899 u themelua shoqëria e parë e alfabetit shqip, në Shkodër, nën drejtimin e Abatit të Mirditës, Preng Doçi dhe krahu i djathtë i tij ishte Gjergj Fishta, të cilët vendosen që shoqëria “Bashkimi”, të përfaqësohej në Kongres të Manastirit, nga Fishta dhe Luigj Gurakuqi, ku At Gjergj Fishta, i bindi që shpëtimi i kombit shqiptar ishte shpëtimi i një prej elementeve të identitetit të një kombi, siç është gjuha dhe u vendos nga ky kongres që të miratohej alfabeti latin i shoqërisë “Bashkimi”, si një alfabet, i cili do na jepte pavarësinë nga alfabeti turko-sllav dhe arab, ku Fishta u zgjodh Kryetar i Vendimmarrjes së këtij Komisioni të rëndësishëm, siç ishte Kongresi i Manastirit. Shoqëria kulturore “Bashkimi” me kryetar Abat Doçin, u themelua në vitin 1899, me përkrahjen e austro-hungarezëve, me të cilët mbante lidhje me Abat Doçin dhe në grupin themelues të shoqërisë “Bashkimi” në krah të Abat Doçit, ishte pikërisht At Gjergj Fishta, me klerikë misionarë dhe intelektualë, atdhetarët e tjerë, të cilët themeluan shkronjat e para shqipe, ABC-në, që ne flasim sot, ku alfabeti i shoqërisë “Bashkimi” u miratua si alfabeti i gjuhës kombëtare, në Kongresin e Manastirit (1908), ku vetë Fishta ishte kryetar i alfabetit shqip.

Abati i Mirditës Preng (Prend) Doçi sapo u kthye në atdhe pas emigrimit prej 10 vitesh, në vitin 1899 themeloi shoqërinë “Bashkimi”, shoqëri e cila kryesohej nga Abat Preng Doçi, At Gjergj Fishta, Imzot Jak Serreqi, Dom Ndoc Nikaj, Dom Dedë Koleci, Dom Mark Shllaku, Dom Nikoll Sheldija, At Pashk Bardhi, Gjergj Koleci, Luigj Gurakuqi dhe Mehill Çuni.

Shoqëria “Bashkimi” u hap nën petkun e një shoqërie fetare. Kjo shoqëri dha një ndihmesë të madhe për botimin e një numri tekstesh shkollore në gjuhën shqipe dhe të fjalorit shqip-italisht “Bashkimi” më 1908, i cilësuar si fjalori më i mirë deri sot, i dialektit gegë. Pas përfundimit të arsimit të lartë, aty nga viti 1893, Gjergj Fishta do të caktohej famullitar në Gomsiqe, të Mirditës, ku do t’u printe punimeve për ndërtimin e një pjesë të kishës. Shërbimi i parë i Fishtës në Mirditë, forcoi bashkëpunimin e tij me Abat Doçin, i cili që ndër të parët që parandjeu tek Fishta poetin e madh kombëtar. Dihet nxitja që Abati i Mirditës, që i bëri Fishtës për të filluar të shkruante Lahutën, duke kënduar si një rapsod homerian i maleve shqiptare. Lidhjet, miqësia dhe bashkëpunimi i Abatit të Mirditës me At Gjergj Fishtën për çështjen kombëtare, njihen nga historia kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe nga vetë Vatikani.

Pyetje-Inmediares.mk: Vendorigjina e At Gjergj Fishtës Mirdita lidhet edhe me një personalitet tjetër të shquar, siç ka qenë edhe Anton Çeta. Njohja juaj për Anton Çetën?

Përgjigje dr. Rovena Vata: Domgjonin e Mirditës, me Xhuxhen e Fanit të Mirditës, e ndan vetëm një lumë në mes tyre, pra aty është edhe vendorigjina e pajtimtarit Anton Çeta. Vendorigjina e këtyre personaliteteve e pikërisht Fani i Mirditës, e njohur edhe nga historia kombëtare si trevë e nisjes së përgatitjes së pavarësisë së Shqipërisë. Që më ngritjen e flamurit të parë pas Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, me 26 prill të vitit 1916 në Fan të Mirditës, ku krerët e Veriut u mblodhën nën drejtimin e arbëreshit Terenc Toçi, pikërisht në oborrin e kishës së Shmarkut dhe të formimit të qeverisë së parë në Kimez të Mirditës, një ditë pas ngritjes së flamurit, qeveri e cila i parapriu ngritjes së flamurit të pavarësisë në vitin 1912. Mirdita është vendorigjina jo vetëm e At Gjergj Fishtës, por është vendorigjina edhe e Ndrec Ndue Gjokës, e Liza Vorfit, e Roza Xhuxhes, e Ndue Palucës dhe e Preng Jakovës, por edhe e një zëri të veçantë në historiografinë dhe etnografinë shqiptare e Anton Lazër Çetës.

Anton Lazër Çeta njihet si veprimtar, shkencëtar, shkrimtar, kulturolog dhe një figurë e rëndësishme, me kontribute të njohura në Kosovë dhe në Shqipëri. Anton Lazër Çeta ka kontribute të rëndësishme, përsa i përket teksteve shkollore, e në veçanti letërsisë gojore dhe letërsisë për fëmijë. Ai ndoqi pothuajse të njëjtin rrugëtim me At Shtjefën Gjeçovin, duke na lënë studime etnologjike, që i përkasin trashëgimisë sonë shpirtërore ndër shekuj. Anton Çeta sikur edhe At Gjergj Fishta kishte një nuhatje të hollë ndaj folklorit në përgjithësi dhe poezisë gojore në veçanti. Anton Çeta u quajt “Antoni i Pleqnive” ose “Baba i Pajtimit”, pasi gjatë jetës së tij është e njohur puna e tij, si pajtues i gjaqeve në Kosovë, duke u cilësuar dhe vlerësuar si një figurë poliedrike e kulturës shqiptare, personalitet i shquar, duke lënë kështu gjurmën e tij në histori si Antoni i Fanit të Mirditës.

Pyetje-Inmediares.mk: Në një moment Rovena përmendet se Anton Çeta ndoqi rrugën e At Shtjefën Gjeçovit? Cilat janë pikat përbashkuese mes Gjergj Fishta dhe Shtjefën Gjeçovit?

Përgjigje dr. Rovena Vata: Edhe At Shtjefën Gjeçovi po ashtu si Anton Çeta ka dhënë kontribut të rëndësishëm në Kosovë, kryesisht në Zym të Hasit, Gjakovë dhe në Pejë.

At Gjergj Fishta dhe At Shtjefën Gjeçovi kanë qenë bashkëpunëtorë, mik, mbështetës të njëri-tjetrit në çështjen kombëtare, frat, françeskanë. Si At Gjergji dhe At Gjeçovi kanë shërbyer si famullitarë dhe mësues, Fishta në Troshan dhe në Shkodër, kurse Gjeçovi në Troshan, Zarë dhe Shkodër. Kryevepra e At Shtjefën Gjeçovit është “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, mbledhur dhe kodifikuar nga frat Gjeçovi. Parathënia e këtij kanuni është shkruar nga At Gjergj Fishta, ku Fishta thekson ndër të tjera që: «Folklora» âsht pasqyra e kthjelltë e psihes së komit; âsht rrasa mermerit, më të cillen historija zgavrron t’endunt e të shendunt e popujvet; asht cehja e pashterrshme e gjuhsís e e letersís komtare».

Pra At Gjergj Fishta thekson në këtë parathënie të Kanunit të Lekë Dukagjinit, sesa e rëndësishme është që njerëzit të identifikohen, përmes njohjes së kombit dhe njohja e një kombi për Fishtën, kalon përmes njohjes së shtresës së parë, siç është folklori dhe përmes njohjes së folklorit njihet psikika e tyre, ku vetë historia zë rrënjë, duke paraqitur fytyrën e gjuhësisë dhe letërsisë kombëtare. Natyrshëm lind pyetja pse kjo lidhje e Fishtës me Gjeçovin dhe me ndihmesën që Fishta i dha Gjeçovit në mbledhjen e Kanunit. Këtu do ndalemi të një ngjarje që i ka ndodh Fishtës. Çupi, vëllai i Fishtës u vra në moshën 18 vjeçare, në moshën kur Gjergj Fishta për vetë ishte i ri, një djalë 27 vjeçar.

Viktor Volaj, i cili, në hyrjen komentuese që i bën kësaj poezie, na sjell edhe një fakt mjaft tronditës nga jeta e Gjergj Fishtës. Ai na informon se në vitin 1899 Fishtës i kanë vrarë vëllain e madh, gjë që u bë “shkas për me u lëshue me këtë lirikë kundra gjaksorvet”. Vdekje tragjike, e quan Danjel Gjeçaj këtë vrasje, që Fishta “e stigmatizoi dy vjet mbrapa në lirikën e përmendur nën titullin “Gjaksorve”. Burimi i dytë është nga Marin Sirdani, një françeskan tjetër bashkëkohës i poetit, i cili, në kujtimet e veta, shpjegon në mënyrë intriguese se, kur ndodhi kjo ngjarje, Fishta, “ende meshtar i ri” (në moshën 27-vjeçare), ishte larguar nga kuvendi për të mbërritur sa më parë në fshatin e tij të lindjes. Dhe, siç u mësua më vonë, qëllimi i këtij nxitimi kishte qenë të qetësonte gjakrat në mes të dy palëve, rënë në hasmëri. Ai ia del të bindë njerëzit e fisit të vet që “jo vetëm me e falë (gjakun), por edhe me u miqasue ata (të) dy sh(të)pi…” dhe fise, duke krijuar marrëdhënie kumbarie.

Burimi i tretë është i Terenc Toçit, një intelektual i njohur për kohën dhe mik i poetit, i cili nuk duhet ta ketë ditur këtë fakt biografik, kur shkruan në kujtimet e tij për Fishtën. Por ai shpjegon se si Fishta, me oratorinë e tij të rrallë, pajtoi dhe i lidhi me një dasmë dy familje që kishin rënë në gjak, pasi, më parë, i kishin fejuar fëmijët e tyre qysh në djep, sipas një zakoni të kahershëm të atyre krahinave. Më 15 shkurt 1907 Gjergj Fishta së bashku me Shtjefën Gjeçovin themeluan të parën bibliotekë shkollore në viset shqiptare. Në nëntor 1908 u tubua Kongresi i Manastirit, ku Fishta përfaqësoi shoqërinë Bashkimi dhe mbajti ligjëratën “Për alfabetin latin”, që i dha udhëzgjidhje marrëveshjes për alfabetin. Me kryengritjen e Mbi Shkodrës më 1911 i dërguar nga autoritetet osmane Arqipeshkvi i Shkodrës, Serreqi, mori me vete Fishtën dhe Bumçin në Podgoricë, për të ndërmjetësuar për paqe mes autoriteteve dhe prijësve të maleve.

Si Fishta dhe Gjeçovi e njohën mirë historinë e popullit të tyre, rreziqet që i kanosesishin dhe dhanë zgjidhet për secilin rast. At Gjergj Fishta, pas gati një muaj prej vrasjes së Patër Gjeçovit, në protestën gjithëpopullore të 11 nëntorit të vitit 1929, në Tiranë do të shprehej: “Ne nuk dëshirojmë ta qajmë vdekjen e At Gjeçovit, por në të kundërt, jemi kryelartë për të, pasi me gjakun e dëshmorëve përforcohen idetë dhe konsolidohet shteti”[1].

Në pjesën e dytë të këtij artikulli “Gazeta shqiptare” raporton për meshën, të cilën morën pjesë jo vetëm përfaqësuesit më të lartë të klerit katolik, por edhe përfaqësues të Parlamentit e deputetë, ndërsa meshën e tha Emzot Luigj Bumçi dhe mbas meshe mbajti një fjalim At Gjergj Fishta. Fishta në këtë fjalim, ka theksuar besimin e tij se institucionet e vendit do të jenë të afta që të kërkojnë drejtësi për këtë vrasje dhe në fund ka theksuar se: “Të mos na vijë keq për vdekjen e tij, pse Shqipnija asht bamun dhe do të mbahet në këmbë me gjakun e martireve”.[2] Si At Fishta, si Shtjefën Gjeçovi apo edhe Monsinjor Zef Oroshi gjithë jetën e tyre punuan nën binomin për: “FE DHE ATDHE”. Ata i ndoqi fati i keq, pasi Gjeçovi dha jetën për çështjen  kombëtare dhe Fishta është pa varr dhe pa muze.

Pyetje-Inmediares.mk: Përmendet Monsinjor Zef Oroshin, Danjel Gjeçaj dhe Viktor Volaj, cila ishte njohja e tyre me Gjergj Fishtën?

Përgjigje dr. Rovena Vata: Gjergj Fishta është nga Mirdita, shkruhet në revistën “Shêjzat”, të cilat kanë botuar shkrimin e takimit të Monsinjor Zef Oroshit me At Gjergj Fishtën në Romë, në vitin 1939, ku vetë At Gjergj Fishta ka konfirmuar: “se është nga Mirdita, e trojet e të parëve nuk i ka shit, as nuk i ka fal”. Në vitin 1941 Zef Oroshi ka intervistuar Kol Pacin, i cili deklaron dhe konformin se:

“Fisi im-tha Kol paci-u themelue në Fishtë, nga dy djem të shtëpijës s’ime, të cilët ranë spari n’atë vend tue kerkue vrri për gjatë” e pra ktu i kanë trojet e vjetra e as nji send nuk e kan shitë as t’egër as t’butë. Kurse At Viktor Volaj, sekretari më i besuar i Fishtës dhe bashkëpunëtori e bashkudhëtari i ngushtë i tij, konfirmonte se: “At Gjergj Fishta dhe fisi i tij, e kanë origjinën prej familjes Paci, në Domgjon të Mirditës”.

Kontributi i At Viktor Volaj nuk është sa duhet i pasqyruar, pasi ai njihet për ndihmesat e tij, në studimet shqiptare, por edhe redaktuesi i një sërë veprave të Fishtës. Profesori, filologu shqiptar, frati françeskan AT VIKTOR VOLAJ (1910-1995), deri në momentin e fundit të jetës të tij, promovonte Fishtën dhe veprën e tij, si dhe informonte opinionin, për origjinën e At Gjergj Fishtës dhe fisit të tij, nga familja Paci, në Domgjon të Mirditës, ku i ka lind gjyshi At Gjergjit, Simoni i Ndoc Paci.

At Viktor Volaj, promovonte Fishtën dhe informonte të besuarit e tij, mbi origjinën e At Gjergjit, edhe në vitet e regjimit kur ishte i ndaluar Fishta dhe dënoheshe e persekutoheshe, po të promovohej Fishta dhe vepra e tij. Dëshmon miku i At Viktor Volaj, artisti atdhetar Gjergj Marena, koleksionist i artefakteve historike: At Viktor Volaj më ka tregu në vitin 1987, se “At Gjergj Fishta dhe fisi i tij janë prej familjes Paci në Domgjon të Mirditës, ku i ka lind gjyshi At Gjergjit, Simon Ndoc Paci”.

Po ashtu duhet të përmend edhe një tjetër fakt të shkruar në librin: “Antologji historike” me autor historianin Gjet Ndoj-ish drejtorin e Arkives së Shtetit Shqiptar. Autori i këtij libri ka shkruar dëshminë që i mori nipit të Gjergj Fishtës, Tonin Ndokës, në vitin 2007, sot me banim në Amerikë, i cili dëshmon origjinën e tyre nga Domgjoni i Mirditës, familja Paci.

Dëshmia e Tonin Ndokës është si më poshtë:

-“Familja jonë është e fisit të Pacit të Domgjonit të Fanit. Të parët e familjes tonë erdhën prej andej dhe u vendosen poshtë Kepit të Kreshtës, afër Troshanit. Gjyshi, Ndokë Simoni mori më vonë tokë më poshtë, këtu në Fishtë, ku patën ndërtuar dhe Kullën”. Gjithashtu rojtari i Fishtës, Ded Gjok Lleshi, rrëfente: “Më ka tregu sa herë, vetë Pader Gjergj Fishta, se është nga Domgjoni i Mirditës, familja Paci”. “Më ka tregu sa herë, vetë Pader Gjergj Fishta, se është nga Domgjoni i Mirditës, familja Paci, e trojet e të parëve, i ka rrëzë Malit të Munelles, në krah të Gurrës së Domgjonit, ku i ka lind gjyshi, Simoni i Ndoc Paci.

-Pader Gjergj Fishta më mori me shërbye pranë tij disa vite, e me ndihmoi shumë, vetëm se isha nga Fani i Mirditës, nga krahina që ishte vete Pader Gjergji dhe këtë ia kishte tregu e konfirmu vete disa herë vetë Pader Gjergj Fishta, se është nga Domgjoni i Mirditës, familja Paci, e trojet e të parëve, ku i ka lind gjyshi Simon Ndoc Paci, i ka rrëzë Malit të Munelles, në krah të Gurrës të Domgjonit”.

Po kështu duhet cekur edhe një tjetër dëshmi, siç është ajo e arkivës së Vatikanit, e cila konfirmon:

“GJERGJ FISHTA kishte mbiemrin PACI, mbiemër, që i përket origjinës së tij, Domgjoni i Mirditës, familja Paci”. Portali italin “Historia e Botës”, poston foton e Fishtës, ku poshtë fotos, shkruhet emri i tij: Gjegj Fishta (Paci) dhe në krah të fotos, është shkrimi, i një dokumenti, të gjetur nga Arkivat e Vatikanit, që konfirmon mbiemrin fillestar Paci.

Pyetje-Inmediares.mk: Ju përmendet sipas dëshmisë që ka dhënë Zef Oroshi, si të parin e Fishtës, Kol Pacin. Çfarë dimë ne për të parin e Fishtës?

Përgjigje dr. Rovena Vata: Kol Paci është i njohur nga të gjithë në Domgjon të Mirditës, ka edhe sot nga ata që e kujtojnë dhe e mbajnë mend plakun e urtë dhe të mençur të familjes Paci, i cili ka ndërruar jetë në vitin 1951. Kol Paci ka një kontribut të çmuar si atdhetar dhe patriot, ku emri i tij ka qenë me foto dhe me përshkrim në muze të Lezhës dhe në muzen e Domgjonit. Nipi i tij historiani Mark Paci, i cili sot jeton në Durrës dhe është në moshën 80 vjeçare, ka themeluar të parin muze në Domgjon të Mirditës në vitin 1973. Domgjoni ka qenë i pari fshat në Shqipëri që ka pasur muze. Mark Paci ka themeluar plot 5 muze, si muzeun e Domgjonit, të Rreshenit, të Kukësit, të Bicajt dhe atë të Kolesjanit. Duhet të përmendim faktin se nipi i Kol Paci, historiani Mark Paci ka mbajtur lidhjet e gjakut me gjakun e At Gjergj Fishtës në Zadrimë, në vitet e regjimit komunist, në këto vite kur jo vetëm persekutoheshe, por edhe dënoheshe nëse deklaroje se je gjak i Fishtës dhe aq më tepër të promovoje veprat e tij. Historiani Mark Paci lexonte veprat e Fishtës dhe mbante lidhjet e gjakut me familjaret e tij në Fishtë, përmes stërnipit të At Gjergj Fishtës Nik Toma (Paci), i cili ishte rapsodi i parë në Zadrimë dhe themeluesi i pesë qendrave kulturore.

Pyetje-Inmediares.mk: Rovena ju që nga Amerika keni theksuar se njeriu, i cili po promovon më së shumti Fishtën është z. Besnik Paci? Ku qëndron lidhja e z. Besnik Paci me gjakun e Fishtës?

Përgjigje dr. Rovena Vata: Kol Paci siç edhe e përmenda më lart është xhaxhai (axha) i babit të Besnik Pacit. I ati i Besnik Pacit, Frrok Paci, ka mbajtur lidhjet e vjetra me gjakun e Fishtës, përmes Lazerit të Ndue Lekës, nipit të Fishtës. (Lazeri ka gjysh vëllain e Fishtës, Lekën. Sot djalit i Frrok Pacit, Besnik Paci është promovuesi dhe kontribuesi i veprës dhe imazhit të Fishtës, si dhe një zë i fuqishëm për të njoftuar opinionin e gjerë, për pengesën që po i bëhet ndërtimit të muzeut të Fishtës. Besnik Paci është kontribuesi më i madh i gjakut të Fishtës, i cili ka mbledhur gjakun e At Gjergj Fishtës, në Zadrimë e Mirditë, për t’i prirë nismës së ndërtimit të muzeut të Fishtës në trojet e tij të lindjes dhe për t’i larguar që aty ata që i kanë përvetësuar ato troje padrejtësisht, me anë të mashtrimit e falsifikimit dhe që kjo familje zadrimore, që ka përvetësuar trojet e Fishtës ka vite, të cilët po pengojnë ndërtimin e Muzeut të Fishtës.

Pyetje-Inmediares.mk: Ku konsiston deri tani puna e Besnik Pacit, për promovimin e veprës dhe imazhit të Fishtës?

Përgjigje dr. Rovena Vata: Janë dy fakte që kanë nxitur Besnik Pacin për të ndërmarrë pikërisht nismën, për promovimin e imazhit të Fishtës. Si fillim në vitin 2014 diaspora shqiptare në Norvegji, mblodhi fonde për ndërtimin e Muzeut të Fishtës, këto fonde iu afruan ministrisë së kulturës, përmes atdhetarit Bardh Nëngurra, pasi u nxorën lejet për ndërtimin e muzeut dhe u autorizua përgjegjësi i trashëgimisë kulturore Lezhë, historiani Paulin Zefi, i cili ka lidhje të ngushta me gjakun e Gjergj Fishtës dhe u mori lejen dhe bekimin e familjarëve të Fishtës, sapo nisen punimet, u blloku projekti nga persona të tjerë, persona të cilët i kanë përvetësuar trojet e lindjes së Fishtës, padrejtësisht.

Një tjetër fakt është gjithashtu edhe në vitin 2017, ku vllaznit Domgjon të origjinës së Fishtës në Mirditë, Kosovë e Diasporë, nën drejtimin e Besnik Pacit, mblodhën fonde për ndërtimin e Muzeut të At Gjergj Fishtës, në trojet e tij të lindjes në Fishtë të Zadrimës. Në krah të Besnik Pacit u afruan atdhetarë nga Kosova dhe nga mbarë trevat e Diaspora deri edhe veteranë të luftës së Kosovës dhe shoqata kulturore shqiptare-gjermane “Sali Çekaj”, të cilët bënë takim në katedralen e Prishtinës me dom Dod Gjergjin, të cilët u treguan të gatshëm të jenë pjesë e financimit të Muzeut të Fishtës dhe autorizuan Besnik Pacin, të të vijojnë më tej bisedimet me përgjegjësin e trashëgimisë kulturore Lezhe, historianin Paulin Zef, i cili iu konfirmoi se pronarët e rinj, pengojnë ndërtimin e Muzeut të Fishtës, siç penguan financimin e diasporës shqiptare në Norvegji.

Kjo ka qenë edhe nxitja që ka bërë Bensik Pacit, që të informojë mbarë opinionin shqiptar, se kush e pengon ndërtimin e muzeut të Fishtës dhe të lobojë nga Kosova, Domgjoni, Mirdita, Lezha, Zadrima, mali i Dajtit, e mbarë trevat shqiptare deri në New York, ku ishte pikërisht Besnik Paci, i cili ishte ndërlidhësi me shoqatën shqiptare-amerikane “Skënderbej”, që të vizitonim New Yorkun për At Gjergj Fishtën, vendin ku falë At Gjergj Fishtës u lidhën marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-Amerikë, në vitin 1922.

Me datë 09 qershor 2019, Besnik Paci, ftoi në vendorigjinën e Fishtës në Domgjon të Mirditës, atdhetarë nga mbarë trevat shqiptare, që kishin shpreh dëshirën të jenë financues të Muzeut të Fishtës, ftoi gjithashtu gjakun e Fishtës në Zadrimë, që janë gjaku i Besnik Pacit dhe të gjithë së bashku festuan në trojet, ku ka lindur gjyshi i Fishtës në Domgjon të Mirditës. Kjo nismë e Besnik Pacit, u koordinua me shoqatën “Bytyçi” në malin e Dajtit, të dielën e fundit të muajit gusht, me datë 25 gusht 2019, ku u mbajtën ditët mbarë kombëtare për Fishtën, me krijimtari nga poetë e shkrimtarë, nga mbarë trevat shqiptare me pjesëmarrjen e 66 poezive dhe do vazhdonte kjo nismë për Fishtën me ditët e Fishtës në New York dhe kthimin nga New Yorku u finalizua me pjesëmarrjen tonë në Domgjon të Mirditës, me datë 1 dhjetor të 2019, aty ku ka lindur gjyshi i Fishtës, Simon Ndoc Pacit. Takimi në Domgjon me Gjergj Ndokën ishte tepër emocionues, i cili kishte ardhur nga Zadrima për të na pritur. Gjyshi i Gjergj Ndokës është vëllai i At Gjergj Fishtës, Leka (Leka i Ndok Simon Ndoc Pacit). Është shumë e rëndësishme të vlerësohet identiteti i rrënjës së origjinës së Fishtës, sepse ka pasur jo pak spekulime në shkrime, të cilat disinformojnë opinionin me devijimin e historikut të identitetit të Fishtës dhe këtë nuk do e lejojmë, pasi në krahun tonë janë familjarët e Gjergj Fishtës, që deklarojnë dhe konfirmojnë me krenari origjinën nga Domgjoni i Mirditës.

Pyetje-Inmediares.mk: Cilat janë propozimet tuaja të cilat i kenë bërë nga pjesëmarrja juaj në simpoziumin për At Gjergj Fishtën?

Përgjigje dr. Rovena Vata: Së pari At Gjergj Fishta ka qenë kandidati i parë në letërsinë shqipe, për çmimin NOBEL në letërsi. Kështu që kërkojmë më zë të lartë rikthimin e çmimit NOBEL për At Gjergj Fishtën.

Së dyti ditëlindja e At Gjergj Fishtës duhet të jetë një festë kombëtare e shoqëruar gjithashtu me një çmim me emrin e Fishtës. Ky çmim për Fishtën të jetë çmimi i vetëm ndërkombëtar, që jep Shqipëria, pra të jetë NOBELI shqiptar.

Së treti një muaj para ditëlindjes së Fishtës, të quhet muaji fishtjan dhe të jetë shoqëruar me aktivitet, konkurse të të gjitha niveleve, ese, poezi, studime, etj.

Së katërti personaliteti i At Gjergj Fishtës të jetë edhe në prerjet e kartëmonedhave të reja, që po bëhen në shtetin shqiptar, pra Tirana zyrtare ta kenë në vëmendje për zbatim këtë kërkese thelbësore në lidhje me figurën e Fishtës.

Së pesti të kërkojmë hapjen e një pavijoni në Muzeun Historik Kombëtar kushtuar Gjergj Fishtës dhe veprës së tij madhore.

Së gjashti, t’i kërkojmë Federatës Universale për Paqen Botërore, titullin “Ambasador i Paqes Universale”, pasi Fishta ishte edhe një promovues i paqes në botë.

Së shtati, të krijohet një revistë shkencore dhe akademike, me një bord editorial të zgjedhur që kanë promovuar figurën e Fishtës, me emrin GJERGJ FISHTA. Kjo revistë të jetë ekuivalente me revistën e themeluar nga Ernest Koliqi në Itali, ku në 70%  e numrave të kësaj reviste është promovuar figura dhe vepra e Fishtës.

Së teti, vepra e At Gjergj Fishtës duhet të jetë më e pranishme në plan programet e teksteve shkollore.

Dhe së fundi ndërtesat kulturore, të cilat janë në funksion të publikut të gjerë, të kenë emrin e Gjergj Fishtës, si universitet, biblioteka, shkolla, qendra kulturore etj.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Kulture

Përkujtohet Kuvendi i Besës në Senicë

Në fshatin Senicë, të njohur si “ballkon” i krahinës së Rrëzomës, 254 vite më parë…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Këngëtari grek u kërkon falje shqiptarëve: Faleminderit shumë! Disa herë Greqia ju ka lënduar

Këngëtari grek Andonis Remos ka dhënë një koncert mbrëmjen e djeshme në Pallatin e Kongreseve…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Biblioteka Publike “Dritëro Agolli” Fier, pēr të tretin vit radhazi nderon me çmime lexuesit më të mirë të vitit

Biblioteka Publike “Dritëro Agolli” Fier, pēr të tretin vit radhazi nderon me çmime lexuesit më…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Kadare nominohet për “The Booker 2024”

Në 2005 ishte fituesi i parë i këtij çmimi Shkrimtari i mirënjohur Isamil Kadare, nominohet…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Punuan veprat kryesore të Muzeut Kombëtar në Krujë, 5 artistë nderohen me titullin “Qytetar Nderi”

Pesë artistë të mirënjohur të arteve figurative në vend u nderuan me titullin “Qytetar Nderi…

LEXO ME SHUME