Kulture

Ka kundër edhe shtetin/ Misioni i dom Nikë Ukgjinit, si një prift vetëm po shpëton pasuri tonat kombëtare

Atë që do të duhej ta bënte shteti, sërish po e bën i vetëm një prift. Pasi mbi supe mori sfidën e madhe të rijetëzonte Kuklin e poetit e klerikut të ndritur dom Ndre Mjeda, që i riktheu lavdishëm kishën dhe muzeun, tashmë “luftën” për të mbajtur gjallë një pjesë të fortë të identitetit tonë, dom Nikë Ukgjini po e bën në Balldren të Lezhës. Ka më shumë se 1 vit që pasi nuk la dyer pa trokitur në shtet, e duke ngritur alarmin se po humbim një prej objekteve më të rralla kishtare që i përket shek XII – XIII, monument kulture me murale të mahnitshme e ku thuhet se “Darka e fundit” e mureve të Shën Premtes së Balldrenit është më e vjetër se e Da Vinçit. Por zëri i tij nuk u dëgjua dhe prandaj nga shteti që ka detyrimin ta bëjë këtë gjë pa ja kujtuar askush, dom Nikë Ukgjini vendosi të mos tërhiqet, por ta bëjë një gjë të tillë duke i kërkuar ndihmë privatit. E aty gjeti bujarinë dhe dorën e shtrirë, që kjo kishë e cila po degradohej e rrezikonte shkatërrimin, të mund të përjetonte sëpaku për një herë të vetme vemendjen e duhur, pas gjithë atyre viteve përdhosje e shkatërrim që i bëri regjimi komunist, që duhet thënë fatmirësisht vetëm nuk e rrafshoi, pasi të tjerat ja bëri të gjitha. Kur shteti ja përplasi në fytyre që s’ka para, meshtari dom Nikë Ukgjini jo vetëm i gjeti vetë paratë për kishën që nuk është as në juridiksionin që mbulon ai si meshtar, por çdo ditë me vemendje maksimale i ndjek punimet, ndërsa bën rrugën Shkoder – Lezhë. Ky shtet që po shkatërron buxhetin me PPP, e tendera miliona lekësh, nuk ka asnjë qindarkë për të mbrojtur monumentet e kultures, ata që përbëjnë identitetin tonë, e na dëshmojnë rrënjët e lashta të qytetërimit europian.  Për ta bërë të gjithën këtë punë, ai jo vetëm nuk la gurë pa lëvizur e njeri pa pyetur, por në Balldre shkuan studiues, ikonograf e piktorë të kishave, emra që dijnë për historinë e Krishtërimit dhe jo vetëm. Pasi për ta kthyer në identitet këtë objekt duhej jo vetëm paraja, por edhe vizioni e kujdesi për ta bërë sic duhet atë, pasi gëzon status të radhë e mban vlera të paçmuara në historinë e vendit, ky objekt i vogël kulti i vendosur mbi një shkëmb. Muralja e saj e radhë, që një pjesë i është shkatërruar i përket “Darkës së fundit” që  sipas fesë së krishterë, është darka që Jezu Krishti kishte shtruar për rrethin e tij të ngushtë të apostujve, përpara kryqëzimit. Për shkak të simbolikës së jashtëzakonshme që bart, ajo ka frymëzuar disa nga kryeveprat e artit botëror. Leonardo da Vinçi në vitin 1498, realizoi me këtë temë, një nga kryeveprat e tij. “Darka e Fundit” ruhet në “Santa Maria delle Grazie” në Milano. Por pak kush e di që plot 36 vjet përpara mjeshtrit të madh të Rilindjes Europiane, darka historike, ishte pikturuar në tokën shqiptare. “Darka e Fundit” është afresku i kishës së Shën Venerandës, ose siç njihet ndryshe kisha Shna Prendës, (Shën Premtes) në Balldre. Kisha është shpallur Monument Kulture i kategorisë së parë (1984) dhe sipas mbishkrimit që ruhet mbi dritaren e absidës, është ndërtuar në vitin 1462. Ky fakt, i jep një vlerë të jashtëzakonshme pikturës murale që ndodhet në Lezhë, e cila nëse do menaxhohet siç duhet, mund të shndërrohet në një nga destinacionet më unikale të turizmit kulturor në Shqipëri. Pak javë më parë po në këtë kishë mrekullia e zbulimeve u bë edhe më e madhe me disa struktura murale që ende nuk kanë një datë, por mendohet se i përkasin një periudhe të hershme historike ndërsa në pah ka dalë edhe një varr. Muret e vjetra janë zbuluar në anën veriore të kishës, gjatë hapjes së një kanali për disiplinimin e ujërave dhe menjëherë punimet janë ndërprere në pritje të ekspertëve.

    

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button