Kulture

Kolë Idromeno, artisti poliedrik i shekullit XIX

“Një foto të ndërtuar mes fiksionit e realitetit”, ka përzgjedhur sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti në kuadër të “Muajit të fotografisë”.

Fotografia e rrallë, në llojin e saj, nuk mban titull, vitin apo emrin e personazhit të fotografuar. Ajo duket se është ndërtuar e tillë nga vetë Kolë Idromeno, njëkohësisht edhe piktor, i cili edhe në fotografi nuk i ndahej dimensionit krijues.

Kolë Idromeno rridhte prej një familjeje çame të ardhur nga Parga e Greqisë e të vendosur në Shkodër.

Mësimet e para të artit i mori në studion e Pietro Marubbi-t, gjë që e vuri në kontakt me mediumin më të ri të kohës, fotografinë. Në moshën 16-vjeçare më 1875, ai shkon në Venecia ku kalon një periudhë të shkurtër studimi në Akademinë e Arteve të Bukura e më pas pranë studios së një artisti venecian. Pas kësaj përvoje, më 1878 ai kthehet në Shkodër ku shfaq interesat e dhuntitë e tij në disa fusha. U bë i njohur për projektet arkitektonike të një sërë ndërtesash publike e private në Shkodër si Kafja e Madhe, Banka Kombëtare, disa shtëpi në dy rrugët kryesore të qytetit.

Arkitektura që propozon ai sjell disa tipare perëndimore kundrejt arkitekturës orientale që kishte depërtuar ndër shekuj. Kolë Idromeno njihet edhe si pionier i pikturës shqiptare duke krijuar një sërë veprash të rëndësishme për historinë e saj. Më 1884 është i dyti që hap studion e tij fotografike të quajtur “Dritëshkroja e Kolës”. Më 01.09.1912 shfaq për herë të parë në Shkodër e Shqipëri një film pas një kontrate të nënshkruar me agjencinë austriake të filmit “Stauber”.

Fondi i tij fotografik numëron 1300 negativë në xham në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë dhe rreth 100 në Muzeun “Marubi”./ATSH

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close