
Nga cikli ”Profil Artisti”
SABRI BEHRAMAJ – SKULPTORI QË I KA ARDHUR KOMBIT
Mbresa nga vizita në studion e skulptorit mitrovicar, Sabri Behramaj
Për herë të parë e kam takuar në Vlorë, aty nga shtatori i vitit 2020 kur falë lidhjes e koordinimit me drejtorin e Muzeut Kombëtar Pavarësia të Vlorës, Istref Dobi, do ti dhuronte këtij të fundit një bust në bronx të Isa Boletinit, këtij burri të madh të çështjes kombëtare e pavarësisë.
Në faqen time në rjetin social atë kohë do të shkruaja:
“Me skulptorin Sadri Behramaj u takuam pranë Muzeut Kombëtar të Pavarësisë me rastin e prurjes prej vendlindjes, Mitrovicës, të Isa Boletinit, veç këtë herë, gati 108 vjet më pas, jo në ballë të kavalerisë me luftëtarë por i derdhur në bronx.
Duket se skulptori e ka prurë si të gjallë Bacën Isë, shëmbëlltyrën e trimërisë, burrërisë, besës e qëndresës shqiptare.
Bashkë me një grup miqsh nga Mitrovica, me Artan Osmanin e të tjerë djem të ardhur enkas, ata i dhuruan Muzeut të Pavarësisë bustin e bronxtë të një prej figurave legjendare të Kosovës i cili i ndenji në krahë me gjithë madhështinë e tij, babait të Kombit, plakut të urtë të Pavarësisë, Ismail Qemali.
Një gjest simbolik dashurie e atdhedashurie që ja vlen të mbahet shënim”. ( marrë nga statusi im në fb. 28.IX.2020)
Më pas do ta takoja përsëri në Vlorë, këtë herë në vendosjen e shtatores të një tjetër figure të ndritur të historisë tonë kombëtare, ideologut të madh të çështjes kombëtare, Hasan Prishtinës.
Një punë tjetër sa me karakter historik po ashtu edhe e një niveli të lartë artistik do ti binte ky artist i ri Vlorës së historisë e pavarësisë në kuadrin e 110 vjetorit të pavarësisë…
Përpara pak ditësh, më saktë dy ditë më parë do ta takoja skulptorin në studion e tij, gjendur diku në një nga skajet veripërëndimore të qytetit të Mitrovicës.
Më befasoi gjithëshka munda të shikoj nga afër me sytë e mi.
Lloj–lloj portretesh, shumë prej tyre kopje bocetesh, origjinalet të derdhura në bronx e të vendosura jo vetëm në teritorin e Kosovës por edhe jashtë saj.
Në punë e sipër e gjetëm, po i jepte dorën e fundit figurës muzeale “Muza”, e lartë 3 metra, fituar nga një konkurs i ministrisë së Kulturës për tu vendosur në një nga sheshet e qytetit të Mitrovicës. Një punë artistike vërtet prej mjeshtri, me mendje e duar.
Por për Sabri Berhamaj duket se tema e luftës e patriotizmit e ka mbërthyer të tërin. Gjithandej koka e buste të figurave të ndritura kombëtare por edhe ato të Luftës Çlirimtare të Kosovës,
Këtu duket se janë mbledhur bashkë e “kuvendojnë” që nga Skënderbeu, Is Boletini, Hasan Prishtina, Adem Jashari, Fehmi e Xhevë Lladrovci, dinastia Meha e të tjera figura të historisë e trimërisë shqiptare.
Nuk janë pak mbi njëzetë monumente e shtatore të realizuara dedikuar heronjve e luftëtarëve vendosur në hapësira publike, sheshe, oborre shkollash e deri në institucionet universitare të Kosovës.
Po as mbi njëzetë buste e shtatëdhjetë bazorelieve të heronjve e dëshmorëve nuk janë pak.
Të gjitha këto të realizuara nga një djalosh vetëm dyzetë vjeçar dhe që pas mbarimit të studimeve në degën e skulpturës të universitetit të Prishtinës ende nuk I janë bërë pesëmbëdhjetë vite.
Por Sabriu nuk është vetëm një skulptor i talentuar, piktura është një tjetër dimension artistik i tij.
Pjesëmarrës në mbi 30 simpoziume kombëtare e ndërkombëtare arti brenda e jashtë vendi, pjesëmarrës në dhjetra ekspozita, dhjetra shpërblime e mirënjohje në ekspozita dhe aktivitete të ndryshme të fituara.
“Mirënjohjen” e qytetit të Vlorës, siç na thotë, e vlerëson mbi të gjitha.
Por jo vetëm Vlora të gjithë krenohen me punën dhe krijimet e këtij mitrovicari me rrënjë nga viset e Drenicës.
Punët krijuese të Sabri Berhamaj tregojnë se jo thjesht e vetëm Mitrovicës e Kosovës por edhe vetë Kombit një artist i madh, një skulptor nga ata që të kujtojnë të mëdhenjtë e shkuar me gjurmë të mëdha në historinë e skulpturës shqiptare i ka ardhur.Nga Sejmen Gjokoli