Categories Kulture

Nga cikli “Visare trashëgimie” Me Lesko Çeloleskoj, këngëtarin autentik të Vranishtit

Nga cikli “Visare trashëgimie” ÇELOLESKOJT E KËNGËS E VALLES VRANISHIOTE -Me Lesko Çeloleskoj, këngëtarin autentik të Vranishtit- Për më shumë se çerek shekulli me të vëllanë, Arap Çeloleskoj ka në ndarë si pozicion rreshtimi vendin e parë dhe të fundit në vallen e Vranishtit, të vendlindjes së tij. Qysh prej kohës që një nga valltarët më emblematikë të kësaj valleje, Hetem Shkurti, do “varte” kostumin popullor në kremestar, në pozicionin e korifeut, të të parit të valles do kalonte Arapi , një emër i madh i këngës dhe valles së burrave të Labërisë.

Por pavarësisht nga prijësi i valles, i fundit për gati gjysëm shekulli mbeti i pa ndryshuar, aty në fund të të dymbëdhjetëve apo të të tridhjetë e gjashtëve burra kur e deshi puna e kur Muhamet Tartari do të ngjiste plot tri dyzina në një gjerdan burrash në Sheshin historik të Flamurit.

Vetëm me të vallja ishte e sigurtë në hapje por edhe në mbyllje, ku kjo e fundit, sidomos, mbetet përherë një nga proceset më të vështira në vallen e kënduar.

Aty mbetet përgjegjësia e ruajtjes së rrethit, ruajtjes së ritmit e hapit por mbi të gjitha qëndron mbyllja që duhet të ndodhë në të njejtin pozicion të nisjes, asnjëherë me kurriz, përherë përballë spektatorit.

Lesko Çeloleskoj mbetet unikali i këtij pozicioni, aty, i pa ndryshuar apo zvëndësuar për dekada me radhë. Muhamet Tartari drejtuesi legjendar i grupit të Vranishtit po edhe të tjerë udhëheqësa artistikë me Lesko Çeloleskon në fundin e gjerdanit e kishin të sigurtë suksesin. I prerë për atë pozicion, si askush tjetër në historinë e valles vranishiote.

Ndër të shumtat skena që është ngjitur me valle, prej Kalasë së Gjirokastrës e deri në Hamburg të Gjermanisë, njëra i ka mbetur në mëndje për nga vështirësia. Ishte viti 1978 kur “Lidhur si fishek gjerdani”, nga skena e Festivalit të Gjirokastrës u përzgjodh për koncertin me numëra të zgjedhura në Tiranë.

Në skenë ishte improvizuar në formën e një defi por që ngjante edhe si një sofër e madhe tradite, një pod dekorativ.

Regjisorit të madh Piro Mani i lindi idea për ta kërcyer vallen mbi të. E konsultoi me Arapin pastaj i thotë edhe Leskos kur pa që mbyllte vallen. Kishte merak se ishin dymbëdhjetë burra e hapësira qe e milimetruar, të dukej se do hidhje hapat në buzë të greminës. Me merak të madh por dhanë fjalën dhe e bënë, buzë më buzë. Mbeten të pa përsëritshme ato këngë-valle të burrave të Vranishtit ku njëri vëlla e printe e tjetri e mbyllte, me një aradhë burrash me fustanella midis.

Vallja e burrave të Vranishtit ka mbetur në korpusin e prurjeve të trashëgimisë kulturore si një institucion shpirtëror me një organizim tepër të rreptë e rigoroz në sinkron dhe pa syrin e hapin e Lesko Çeloleskos në fund, vështirë ta merrte vulën e përsosmërisë.

Ndërkohë që ky personazh i folkut vranishiot ka vënë “gur” të rëndë edhe në këngën polifonike të këtij fshati me emër e tradita të forta trashëgimie në Labëri. Pa asnjë mëdyshje, Lesko Çeloleskaj mbetet këngëtari më autentik i këngës puro vranishiote.

I këngës me avaze që ka qenë e tyre, mbetet e tyre dhe kështu do të ndodhë përherë mbasi ajo tanimë është bërë markë shpirtërore fshati. Tregon Leskua: Kur ishim të vegjël, bashkë me disa shokë moshatarë shkonim nëpër dasma po edhe kur bëhej këngë në fshat.

Ishim aty te katërmbëdhjetë, pesëmbëdhjet vjeç. Dëgjonim po dhe këndonim pas tyre.

Në dasma kënga hapej që të enjte e deri të diel, gjithë darkave këngë. Në këto dasma dëgjova për herë të parë nga afër kur këndonte Lulo Lloi me Fetan Muçon e burra të tjerë. Këta e këndonin orgjinalen vënçe vranishiote dhe nuk di pse më tërhoqi aq shumë, sikur mu fut në gjak. Se dhe në gjak e kisha nga babai, Haxhi Karafili, që edhe këndonte po edhe hidhte valle të mirë.

Ne ishim tre vëllezër e një motër dhe sa herë në shtëpi darkave bënim këngë. Edhe ndonjëherë kur s’kishim bukë, kishim këngën që na mblidhte. Atë kohë këta të fshatit kishin bërë një grup me Lulon, Kadri Gurin, Tahir e Memet Kokon, Yzeir Muço Barjamin e ca të tjerë. Me ta dhe babai.

Them se dyzeta do ketë qenë kur i kërkuan italianët të regjistronin ca këngë në Vlorë. U nisën, vanë gjer në një farë vëndi po s’u sosën në Vlorë, u kthyen nga udha. S’vemi të këndojmë për pipinot – i thanë njëri tjetrit dhe u kthyen. Po të kthehemi te kënga e Vranishtit.

Të thashë se fillova të imitoj Lulo Lloin ose Lulo Zenelin si i thoshin. Nga ay e kemi si trashëgimi këngën që ka marrë emrin e fshatit. Variantit të tij filluan ti thonë “lulozenelçe”, mot a mo si kjo që sot i thonë vranishioçe. Atë kam kënduar gjithë jetën, rreth saj kam ardhur, se kam lënë të luaj nga tabani i Lulos.

Grupin me shokët e krijuam kur u ktheva nga ushtria pastaj pasi mbaroi ushtrinë në grup erdhi edhe im vëlla, Arapi, pasi tri vite na ndajnë, ay ishte më i dhënë dhe ka luajtur rol të madh.

Më kujtohet që në skenë për herë të parë kemi dalë në Brataj, atje ishte qëndra e lokalitetit dhe atje bëheshin konkurimet me fshatrat e tjerë. Me mua i pari ja ka kthyer Taborr Shkurti, pastaj Jazo Ibri e së fundi, ka më shumë se tridhjet vjet që ja kthen Sinan Gjolekën.

Kënga bëhet me shokë por unë pa dy veta s’bëj dot; Sinan Gjolekën për të kthyer dhe Zini Janushi për hedhje.

Se kënga vranishiote edhe hedhjen e ka të veçantë po edhe kthesën jo si të tjerat… Nuk i mban mend e as ka një inventar për këngët që ka kënduar por nëse e pyet për një që ka më për zemër të thotë menjëherë për atë të Hysen Çinos. Ndërkohë që “Hape, hape, derën-o” mbetet pasaporta dhe shkolla e tij unike. Kënduar në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës të vitit 2004 do të befasonte të mëdhenj e të vegjël, etnomuzikologët ca më shumë.

Si sot më vjen përpara sysh entusiazmi i akademik Vaso Toles në mbrëmjen e pas performancës së Vlorës ku Vranishti me këngën e Leskos shkëlqeu. Lesko Çelolesko me shokët dukej se i kërkonte të hapte derën jo thjesht “tumane kuqia leshverdhë” por Europa vetë.

Një stil tipologjik të kënduari që s’kishte si të mos bëhej pjesë e produkteve shpirtërore që ju prezantuan UNESCO-s për pranimin e polifonisë shqiptare si pasuri botërore, e që Prof. Tole e bëri pjesë të discut me këngët e përzgjedhura, së bashku me vallen e pa përsëritshme të burrave me korife Çeloleskon tjetër, Arapin, i vlerësuar pas ndarjes nga jeta, “Mjeshtër i Madh”.

Duket se ikja para kohe e të vëllait, Arapit, Leskon e ka prekur dyfish; si vëlla por edhe si shokë kënge të një jete.

Ka hyrë në të parin vit të dekadës së tetëdhjetë po duket se se nuk është mosha e vitet që ja kanë prerë zërin për këngë e hapin për valle. Të dy përbënin një çift nga më atentikët e më të veçantët në komunitetin e njerëzve polifonë të Labërisë, ndërkohë që njëri dukej si lumë i rrëmbyer e tjetri si deti në liman.

Leskua në këngë një violinë e ëmbël me zë të kadifejtë, Arapi një stuhi e vërtetë në këngë e në valle, veçanërisht me “a pa pa-në” e tij proverbiale. Të dy një trashëgimi e vyer për brezat e për kulturën shpirtërore shqiptare. Të dy të pa përsëritshëm në shkollën plot melos e folklor mbushur me perla polifonike, të këngës e valles së Vranishtit të Labërisë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Kulture

Kadare nominohet për “The Booker 2024”

Në 2005 ishte fituesi i parë i këtij çmimi Shkrimtari i mirënjohur Isamil Kadare, nominohet…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Punuan veprat kryesore të Muzeut Kombëtar në Krujë, 5 artistë nderohen me titullin “Qytetar Nderi”

Pesë artistë të mirënjohur të arteve figurative në vend u nderuan me titullin “Qytetar Nderi…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Njihuni me “Sofrën e Zotit” guri që po çmend të huajt në Vlorë

“Guri me qiell” është atraksioni më i madh i natyrës në vendin tonë.Për nga mënyra…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Tirana, një qytet që lindi nga rastësia

Të  lindësh në kryeqytetin e çdo vendi natyrisht është privilegj i çdo qytetari të tij.…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Shkolla Tregtare Vlorë, detyrimi moral për vlonjatët

Nga Ergys Alushi Qyteti i Vlorës e ka detyrim moral, qytetar e historik të festojë…

LEXO ME SHUME