Categories Kulture, Showbiz

Nga cikli “Visare trashëgimie”, Taip Madani i Madamit të valles

Nga cikli “Visare trashëgimie”

MADANI I MADEMIT TË VALLES…

Për valltarin virtuoz të Çamërisë, Taip Madani “Mjeshtër i Madh”

Ai lindi vetëm tri vite përpara se shekulli i njëzetë të hynte në gjysmen e tij të dytë.

Atje në Shalësin e tij, në Konispolin jugor u mëkua me dashurinë për traditat e origjinës së tij Çamërisë por edhe me këngën e vallen e saj të pa shoqe.

Nga më të rrallat raste kur një njeri edhe pa u marrë me vallen në adoleshencë apo në rininë e herëshme të arrijë të bëhet një kercimtar me performancë mahnitëse, thuajse të pa arritshme apo të pa konkurueshme nga të tjerë.

Kishte disa vite që kishte mbaruar Institutin e Lartë Bujqësor, kishte nisur punë si agronom në kooperativën e Konispolit por edhe mësim dhënien në shkollën e mesme të qytezës kur Myfit Hysi, kryetari i kohës, e kërkoi të angazhohej me përgatitjet e grupit folklorik të zones për festivalin folklorik të Gjirokastrës të vitit 1973.

I vunë “synë” valles së Osman Takës e cila asnjëherë nuk kishte mundur të shfaqej në një skenë serioze, përkundrazi disa herë nën emra të ndryshëm hidhej nëpër dasma e festa krahine.

Me Lefter Berukën në Vrinë e mësoi vallen, për valle ai mbahej si më i miri i asaj ane. Me të i mësoi të gjitha lëvizjet, hapat që duhej të hidhte, prerjet, përthyerjet, rënien e trupit në shpatulla.

Vetëm një talent si Taip Madani mund të arrijë që t’ja kalojë ustait, të arrijë që të realizojë përmes një sinkronizimi perfekt një performancë të tillë nga ku edhe vetë vallja të njësohet me emrin e tij.

Në kalanë e Gjirokastrës bashkë me vallen vulosi përfundimisht edhe modelin e një koreografie popullore që e tillë do të hidhet e mbetet braz pas brezi.

Të dy me Alush Doratin e me të tjerë burra zënë në varg, nën melodinë e tingujt e rrallë të mjeshtrit të klarinetës Ferik Musta( Baçi) e violinës së Muharrem Hysës (Rremja) do realizonin një nga vallet tradicionale më të bukura e më ekspresivet e folklorit shqiptar.

Një valle që, pas kësaj, Taip Madanit do ti ndryshonte drejtimin e jetës e ku pas agronomisë do ti bëhej profesion i dytë.

Kaq shumë talent e virtuozitet derdhi ky djalë çam në këtë valle sa vetëm pak kohë më pas do të bëhej pjesë e grupit të valleve të Ansamblit kombëtar të këngëve e valleve popullore gjatë turneut që ky formacion i folklorit të kultivuar do të zhvillonte një turne në shtetin fqinj, Greqi por edhe në mjaft skena të tjera europiane.

Ndërkohë mbetet e jashtëzakonshme dhe mjftë mbresëlënëse pjesëmarrja në filmin “Gjeneral gramafoni” ku regisori i madh Viktor Gjika do ti besonte vendin e korifeut të valles në një nga sekuencat më të bukura e më emocionuese të filmit.

Nën tingujt e klarinetës së të madhit Laver Bariu, interpretuar nga Bujar Lako, Taip Madani do të kërcejë Osman Takën i mbajtur në valle nga aktori i shquar shqiptar Pandi Raidhi.

Si një nga korifejtë më të mëdhenj të valles së Çamërisë por edhe asaj shqiptare shumë shpejt emiri i Taip Madanit do të pushtonte skenat dhe zemrat e artëdashësve të shumtë të kulturës folklorike.

Shumë shpejt valltari-agronomi-mësuesi Taip Madani do të bëhej një nga përfaqësuesit më në zë e më të mëdhenj jo vetëm të këngës e valles çame por të vet kulturës e traditës së saj plot me visare të rralla trashëgimie.

Aty në Konispol pikërisht me Taip Madanin do ta mësonte e përsoste këtë valle edhe një nga më të mëdhenjtë e artit koreografik shqiptar, kërcimtari fluturues Rexhep Çeliku.

Por askush s’mund ta dinte që ajo valle e Osman Takës e hedhur nga të dy mjeshtrat atë mbrëmje Shatori të 2007-ës në një festë festivali në Sarandë do të ishte për të dy e fundit…

Nuk e di por kur dëgjova për ndarjen aksidentale nga jeta të Taip Madanit , diçka e shënjtë e e shtrenjtë mu duk se mu këput nga shpirti.

Asnjëherë s’kam patur rast ta njoh e ta takoj nga afër por nuk e di pse kam patur gjithëmonë ndjesinë që e kam njohur e kam folur me të sa e sa herë.

Në fakt shumë herët, qysh në rininë time të herëshme, kam parë e kam njohur një valle që s’më është ndarë tërë jetës për nga bukuria e madhështia.

Është fjala për vallen e Osman Takës, këtij kapedani çam që po një burrë çamërie e ngjiti në skenë si një perlë të rrallë.

Kam patur adhurim për vallet folklorike , korifejtë e valles i kam parë gjithëmonë në dritën e syrit që thonë por nuk di pse Taip Madani kur printe vallen e Osaman Takës më është dukur prerje më vehte.

Një kombinim i hatashëm midis artit të kultivuar e atij tradicional por që ky i fundit i shtonte lezetin dhe bënte që ta kishte zili edhe një ansambël profesionist siç është edhe Ansambli ynë Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, me vlera të mëdha e me emra të mëdhenj korifejsh.

E kam parë në skenen e kalasë së festivaleve , në Gjirokastër , e kam parë edhe në skena të tjera por skena e Kalasë më duket se ka qënë mejdani i gjetur për vallen e Madanit .

Siç duket ay e dinte mirë se heroi i madh i valles së tij ishte burrë e trim për Kala të rënda.

Taip Madani mbetet kërcimtari më tipik e më autentik valles së Osman takës.

Askush nuk ishte më virtuoz, askujt tjetër nuk i shkonte më shumë kjo valle se sa këtij njeriu që dukej sikur kjo valle kishte lindur për të e ky vetë kishte lindur për këtë valle.

Valltar ekspresiv, pozant, fluturues, plot nur e buzëqeshje, si era i lehtë. I tillë do të ngjitej në skenën e madhe të kalasë së Gjirokastrës në festivalin kombëtar të vitit 1973 ku u shpall edhe laureant i festivalit por i tillë do të ishte e mbetej përhera.

Taip Madani valles legjendë i dha përfundimisht njëhsimin me qëndresën, burrërinë, trimërinë dhe vitalitetin e rracës shqiptare.

Vite të tëra,për gati tri dekada kam patur fatin të merrem gjatë e ta kem të pa ndarë në skena të shumta kombëtare e ndërkombëtare vallen e famshme të Osman Takës.

Me Grupin Folklorik “ Bilbili “ të Vlorës e kam patur të pa ndarë në shumë skena në qytete dhe shtete të Europës.

Kudo e mirëpritur, kudo befasuese, përherë e shumëpritur kjo valle fustanellash çamërie.

Kemi folur sa herë rreth “profesorit” Taip Madani me djemtë e valles dhe besonim se një ditë do të takoheshim diku skenash.

Por nuk ishte e thënë. Mjeshtri i valles së rrallë iku para kohe. Fluturoi si vet vallja e tij me fustanellen e bardhe me kinda.

Thashë që prej vegjëlie më ka mbetur një pasion e dashuri e paspjegueshme, e brendëshme, për valltarët e shquar të tabanit.

Kisha të vizatuar në memorie një “pirosti” me tre burra vallesh në tre lokacione vendesh: Alush Milorin e valles së burrave të Kurveleshit, Arap Çeloleskën e vranishjotes së Labërisë dhe Taip Madanin e Osmën Takës së Çamërisë.

Të tre si kemi më mes nesh.

Të tre kanë lënë pas vallen e tyre të madhe duke mbetur gurë të çmuar kështjellën e trashëgimisë tonë kombëtare.

Të tre përndrjnë në vallet e tyre, me qylafet mbi krye e me fustanellat e bardha përherë në fluturim.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Showbiz

“Tani që shita shtëpinë jam më i qetë”, Gjebrea gjen terapinë e dhimbjes pas humbjes së nënës

Ardit Gjebrea ka ndarë një emocion shumë personal lidhur me humbjen e nënës së tij.…

LEXO ME SHUME
Categories Showbiz

Ledjona i thyen vezën në kokë Romeos, agravon debati! Ilnisa: Mirë ta bëri, dil në diell ta skuqim

Ishte i papritur reagimi i Ledjonës sot në BBVIP, e cila i theu një vezë…

LEXO ME SHUME
Categories Showbiz

“Romeo i ka ngacmuar Klean”- Vjen reagimi i Elgitit pas deklaratës së bujshme

Meritoni dhe Romeo kanë patur një debat të ashpër gjatë spektaklit të sotëm në “Big…

LEXO ME SHUME
Categories Showbiz

“U lidh me dikë tjetër”, historia prekëse e Ledjonës! Tregon vështirësitë e divorcit: Duhet të paguaja kredi dhe borxhet e tij

Në spektaklin e djeshëm të BBV3, është transmetuar linja e jetës së Ledjonës, një vajzë…

LEXO ME SHUME
Categories Showbiz

Ajo tha PO! Ish-banori i Big Brother VIP i propozon për martesë partneres së tij

Ish-banori i Big Brother VIP, balerini Albi Nako i propozoi për martesë partneres së tij…

LEXO ME SHUME