Categories Kulture

Oriku, zbulime të reja në qytetin antik

Në qytetin antik të Orikut, të ndodhur pranë qytetit të sotëm të Orikumit, në Vlorë, i themeluar nga Eubeati në shekullin Vl p.e.r, janë zbuluar gjatë vitit 2018 një sërë të dhënash të reja arkeologjike.

Këto zbulime u nxorën në dritë në sajë të gërmimeve arkeologjike të kryera gjatë 2018 në kuadër të projektit shqiptaro-zviceran (Instituti i Arkeologjisë së Tiranës dhe Universiteti i Gjenevës në Zvicër) nga fushata e gërmimeve për vitin 2018.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë ka publikuar një video ku arkeologët shqiptarë dhe të huaj tregojnë për këto gjetje në qytetin e Orikut.

Arekologu Gionata Consaga shprehet se “gjendemi në sektorin e jugut në qytetin antik të Orikut , ku rinisëm gërmimet pas një sondazhi të kryer në vitin 2012. Kemi gjetur këndin e një fortifikimi të ndërtuar shumë mirë, këndin e një muri 1,5 metra të gjerë”.

“Pikërisht në këtë pikë ka elementë që fiksojnë blloqet në kënd të cilat krijojnë një strukturë shumë solide. Periudhat e këtyre strukturave ende nuk i dimë, por mendojmë që i përkasin periudhës antike midis shekujve II, III dhe IV Para Krishtit. Datimi i këtyre strukturave është një objektiv për vitin e ardhshëm”, nënvizoi Consaga.

Sipas tij, diçka tjetër interesante në këtë sektor është edhe gjetja e disa objekteve qeramike të cilat datojnë në shek II dhe III Pas Krishtit, pra të periudhës Imperiale Romane nga e cila nuk kishim gjurmë në Orik deri më sot.

Saimir Shpuza nga Instituti Arkeologjik i Tiranës shprehet se këtu jemi në gërmimet në fontanën monumentale të Orikut. Këtë vit volumi i gërmimeve ka qenë shumë më i madh .Kemi arritur të zbulojmë një sipërfaqe të madhe të sheshit që ndodhet para fontanës, kemi arritur të kuptojmë gjithashtu edhe limitin jugor të këtij monumenti”.

“Kjo na jep mundësinë që vitin tjetër të programojmë gërmime në shkallë më të gjerë në pjesën veriore të fontanës. Gjithashtu janë shumë të rëndësishme gjetjet që vijnë nga ky sektor për kët vit, të cilat janë shumë të pasura dhe përfshijnë një kuadër kohor shumë të gjerë që fillon nga shekulli i V para erës sonë dhe vazhdon deri në shekullin e X të erës sonë”, thekson Shpuza.

Ndërsa Jean Terrier , bashkëdrejtor i projektit thekson se “këtu kemi një gërmim të madh sepse kemi zbuluar kisha të ndryshme nga shekulli XII deri në mesjetën e vonë. Është shumë interesante, pasi kjo periudhë është shumë e rëndësishme për Orikun pra fundi i shekujve VIII dhe IX. Kemi gjetur banesa të ndryshme në pjesën e poshtme të kodrës dhe në majë të saj gjetëm këto kisha, të cilat janë shumë të rëndësishme për historinë e Orikut. Kemi gjetur varre të ndryshëm me shumë material”.

“Tani po mendojmë si ta konservojmë këtë sit. Dhe po shikojmë se çfarë mund të bëjmë në dy vitet e e ardhshme për vizitorët që duan të vijnë dhe të kuptojnë historinë e Orikut”, tha ai.

Qyteti antik i Orikut shtrihet pranë qytetit të sotëm të Orikumit, themeluar nga Eubeati në shekullin Vl p.e.r., në trojet e fisit ilir të amantëve, mbi kodrën e njohur me emrin Paleokastër. Përmendet nga autorët antikë të shekullit të V p.e.r., si port i rëndësishëm i Adriatikut. U shfrytëzua nga romakët në luftërat kundër ilirëve dhe maqedonëve, luajti një rol të rëndësishëm në luftën civile midis Cezarit dhe Pompeut.

Në shekullin Vll, pranë tij u ndërtua kisha e Marmiroit dhe disa kisha të tjera që në themel të emrit të tyre kanë emrin Maria. Këtë gjë e shohim tek manastiret e Ardenicës (Lushnje), Apolonisë (Fier), Manastirin rrënojë të Ballshit, Manastirin e Zvërnecit, Manastirin e Dhërmiut, etj.

Sot, qyteti i Orikumit mbetet një destinacion turistik tepër i preferuar për natyrën detare dhe malore, për historinë dhe kulturën, për detin dhe plazhet ranore./atsh

 

 

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Kulture

Përkujtohet Kuvendi i Besës në Senicë

Në fshatin Senicë, të njohur si “ballkon” i krahinës së Rrëzomës, 254 vite më parë…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Këngëtari grek u kërkon falje shqiptarëve: Faleminderit shumë! Disa herë Greqia ju ka lënduar

Këngëtari grek Andonis Remos ka dhënë një koncert mbrëmjen e djeshme në Pallatin e Kongreseve…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Biblioteka Publike “Dritëro Agolli” Fier, pēr të tretin vit radhazi nderon me çmime lexuesit më të mirë të vitit

Biblioteka Publike “Dritëro Agolli” Fier, pēr të tretin vit radhazi nderon me çmime lexuesit më…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Kadare nominohet për “The Booker 2024”

Në 2005 ishte fituesi i parë i këtij çmimi Shkrimtari i mirënjohur Isamil Kadare, nominohet…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Punuan veprat kryesore të Muzeut Kombëtar në Krujë, 5 artistë nderohen me titullin “Qytetar Nderi”

Pesë artistë të mirënjohur të arteve figurative në vend u nderuan me titullin “Qytetar Nderi…

LEXO ME SHUME