Kulture

Prek trashëgiminë: Kalaja e Cerjes

Statusi i objektit: Kalaja e Cerjes është shpallur monument kulture i kategorisë së parë nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës me vendim Nr.1886, Datë.10.06.1973.

Viti/koha e ndërtimit: Shek. IV para. Kr.

Vendndodhja: Fshati Mesaplik, Bashkia Selenic.

Përshkrimi: Qyteti antik i Cerjes apo Kalaja e Cerjes, siç njihet nga banorët e Labërisë është vendosur në faqen jugore të një kodre rreth 250 m mbi nivelin e detit, në bregun e djathtë të lumit Shushicë. Përgjithësisht e gjithë linja e fortifikimit ruhet në një deri dy radhë blloqesh,vetëm në pjesën verilindore dhe jugperëndimore ruhen dy fragmente muresh deri në tre blloqe lartësi. Teknika e ndërtimit të mureve është ajo e tipit izodomik me blloqe kuadratik me lartësi të barabartë rreth 62 cm. Planimetria e fortifikimit është pothuaj drejtkëndore, për t’ju përshtatur terrenit, në anën perëndimore dhe jugore në linjat më të gjata janë përdorur kthesa me kënde të drejta, ndërsa skajet veriore,verilindore dhe perëndimore janë përforcuar me kulla kuadratike dhe rrethore. Fortifikimi duhet të ketë patur tre hyrje, një në veriperëndim, një në lindje dhe një në jugperëndim. Brenda sipërfaqes së rrethuar dallohen gjurmë banesash. Në majën e kodrës në antikitetin e vonë është ndërtuar një fortifikim me përmasa të vogla, në formën e një katërkëndëshi. Cerja ka shërbyer si një qendër e fortifikuar që ka luajtur një rol të rëndësishëm, për kontrollin e kufirit juglindor të koinonit të Amantëve. Për komunikimin me bregun e majtë të luginës së Shushicës, në shek. III para. Kr, posht kodrës së Cerjes është ndërtuar një urë, rrënojat e të cilës ruhen ende dhe njihen me emrin Ura e Bogdanit.

Bibliografia: N.Ceka.,Qendrat e fortifikuara të Amantëve. Monumentet 10.1975, f.40-43; D.Komata., Një vështrim arkeologjik nëpër luginën e Shushicës. Iliria Nr.7-8,1977-1978, f.364; A.Baçe., Kullat, dhëmbëzimet dhe platformat për artileri të fortifikimeve në iliri, Monumentet 2, 1987,f.29-30.

Funksioni: Qytet antik, monument kulture.

Hyrja: Pa biletë

Itinerari: Për të vizituar Kalanë e Cerjes, duhet fillimisht të shkoni drejt fshatit Mesaplik dhe të ndiqni një transe rrugore në gjendje të keqe.

Pozicioni në Google Map:
https://goo.gl/maps/89xCn4h1bb22

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close