fbpx
Kulture

Presidenti Meta vlerëson me titullin “Mjeshtër i Madh” disa grupe të këngës popullore të Vlorës

Presidenti i Republikës Ilir Meta, me anë të një statusi të shpërndarë në “Facebook”, shprehet se ka vlerësuar sot me titullin “Mjeshtër i Madh”, grupet polifonike të disa krahinave të Vlorës.

Meta shprehet se këto vlerësime jepen me rastin e 15-vjetorit të përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e “Kryeveprave të njerëzimit”, të mbrojtura nga UNESCO. Po ashtu, Meta ka vlerësuar me titullin “Naim Frashëri”, Sinan Gjolekan dhe Dule Beqir Gjokën për kontributet e tyre vyera si këngëtarë, valltarë dhe instrumentistë popullorë të shquar të Labërisë.

Postimi i presidentit të Republikës Ilir Meta:

Me rastin e 15-vjetorit të përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e “Kryeveprave të njerëzimit”, të mbrojtura nga UNESCO, pata dje nderin të vlerësoja me Titullin “Mjeshtër i Madh”, grupet Polifonike “Vranishti”, Vlorë; “Kaonët” e Delvinës dhe “Dukati” i Vlorës, për kontributet e veçanta si mbartëse të shquara të vlerave të kësaj trashëgimie të vyer kulturore të kombit shqiptar.

Po me Titullin “Mjeshtër i Madh” nderova këngëtarët dhe valltarët e talentuar Arap Çeloleskaj dhe Taip Madani (pas vdekjes); Sejmen Gjokoli, Katina Mërkuri, Hysen Ruka, Rrahman Nuredini, Syrja Hodo, Fatbardha Brahimaj, Abdyl Lizaj dhe Berdo Berdaj, për kontributet e paçmueshme në interpretimin, ruajtjen, transmetimin dhe popullarizimin e vlerave të polifonisë me iso, në festivalet folklorike nëpër skenat kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ndërsa Dhimitër Varfit i akordova Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” për talentin artistik, interpretimin e spikatur dhe zërin e veçantë prej tenori, si dhe rolin unik në mbajtjen gjallë, kultivimin dhe përsosmërinë e këngës himarjote.

Me Titullin “Naim Frashëri”, çmova Sinan Gjoleka dhe Dule Beqir Gjoka për kontributet e tyre vyera si këngëtarë, valltarë dhe instrumentistë popullorë të shquar të Labërisë. I merituar vlerësimi për këta korifenj të polifonisë, për gjithçka kanë bërë për Atdheun, për Flamurin, për shpirtin kulturor të kombit dhe lartësimin deri në UNESCO të polifonisë shqiptare!

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button