Categories Kulture

Shkrimtarja shqiptare në Itali: Ju tregoj si e fitova betejën me kancerin e gjirit!

Nga Enkeleda Bodini

Jeta, shpesh herë, të vë ballë vështirësive të mëdha, dhe ajo që ne duhet të bëjmë është të vazhdojmë rrugëtimin duke kapërcyer gjithçka. Duket e vështirë të ecësh përpara kur ke probleme. Të duket sikur bota po shembet vetëm mbi ty, por të gjithë janë të ngjashëm. Të gjithë vuajnë dhe jetojnë momente të vështira në jetë. Pavarësisht sesa i sukseshëm apo sa i pasur je, jeta të godet dhe është në dorën tuaj nëse dorëzoheni apo ringriheni.

Këtë muaj ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, abcnews.al ju sjell një rrëfim ndryshe të një gruaje të hekurt, që e ka fituar betejën me këtë sëmundje që të merr shpresat për jetën. Ajo është Ismete Selmanaj Leba dhe ka treguar historinë e jetës së saj, duke ndarë dhe “sekretin” që e bëri të triumfonte përballë vdekjes.

Ismete Selmanaj ka lindur në Durrës, por jeton në Itali. Ajo la Shqipërinë në vitin 1991 për një të ardhme më të mirë. Studimet e larta i ka përfunduar në Tiranë për Inxhinieri Ndërtimi, ndëkohë pasioni i saj më i madh ka qenë të shkruajë dhe të bëhet një ditë shkrimtare. Pas zhvendosjes në Itali, ajo e realizoi ëndrrën e saj. U bë shkrimtare dhe ka botuar shumë libra të cilat i gjeni italisht dhe shqip.

Ndonëse jeton larg atdheut, librat e saj si “Gjëmbi dhe trëndafilat”, “Virgjëri të vjedhura” “Fëmijët nuk kanë kurrë faje” etj, pasqyrojnë realitete shqiptare.

Jo vetëm kaq, por librat e saj, që janë botuar në Itali nga shtëpia prestigjioze “Bonfirraro Editore”, janë bërë pjesë e kurrikulës universitare italiane.

Ismete është një grua e sukeseshme në Itali. Ajo është nderuar dhe me shumë çmime dhe vlerësime prestigjioze, duke na treguar se të gjithë mund t’ja dalim, të realizojmë ëndrrat tona, nëse punojmë fort.

Por njeriu ashtu siç arrin shumë suksese, përballet dhe me vështirësi. E tillë ka qenë dhe për Ismeten, e cila u diagnostikua me kancer të gjirit në shkurt të 2016. Vendosshmëria e saj për të luftuar dhe dashuria e madhe e mbështetja që ka pasur gjithmonë nga familja e saj e kanë bërë fitimtare kundrejt një armiku që pa zë të vjen dhe të kërcënon jetën. Sot ajo gëzon shëndet të plotë dhe historinë e saj e tregon si një mesazh të fortë për të gjitha gratë që po kalojnë në të njëjtën rrugë që ka përshkuar vetë, duke u dhënë kurajon se do ia dalin.

Intervista e plotë për abcnews.al

Abcnews.al: Kur e zbuluat që kishit tumor?

Ismete Selmanaj: E mbaj mend me përpikmëri atë ditë: ishte 12 shkurti i vitit 2016. Kjo ditë e ndau jetën time në dy pjesë; në atë para kësaj date dhe në atë pas saj.

Abcnews.al: Cilat kanë qenë simptomat e para që ju bënë t’i drejtoheni mjekut?

Ismete Selmanaj: Kam qenë gjithmonë shumë e rregullt në kontrollet për parandalimin e tumoreve të gjirit.  Tetë vjet më parë nga kjo datë, gjatë një mamografie në gjoksin e djathtë, mjekët dalluan një gjëndër rreth 1 cm. Kontrollet e mëtejshme treguan se ishte vetëm një masë dhjamore që duhej të mbahej nën kontroll. Vitet e para i bëja kontrollet më të shpeshta, çdo gjashtë muaj, derisa kjo gjëndër, me kalimin e viteve u zhduk plotësisht. Që atëherë tregohesha shumë e kujdesshme  dhe çdo vit bëja analizat e duhura. Për këtë arsye, kur vura re që në gjoksin e majtë dora më ndjeu një gjëndër të vogël, nuk u shqetësova. Nuk kisha asnjë lloj shqetësimi, asnjë shenjë, asgjë. Zakonisht, tumoret malinj nuk dhembin dhe nuk japin asnjë paralajmërim. Prandaj mjekët këshillojnë kontrollet e vazhdueshme.

Abcnews.al: Si e përjetuat kur morët vesh lajmin? Çfarë ndjetë?

Ismete Selmanaj: Mendimi i parë ishin fëmijët. Mendova për dhimbjen që do t’i shkaktoja tre engjëjve të mi, tim shoqi, prindërve, motrave e vëllait tim. Mendova që ndoshta s’do t’i shihja të rriteshin e të bëheshin prindër.

Nuk e pyeta veten “pse mua?”.  Kam qenë gjithmonë koshiente që ky përbindësh nuk njeh moshë apo seks. Vjen pa paralajmërim dhe shndërrohet në padron të trupit tënd. Duket sikur tallet me ty dhe të thotë: “E sheh, s’mund të më bësh asgjë! Unë jam brenda trupit tënd dhe nuk është e lehtë të më nxjerrësh prej tij!” Kishte marrë shumë miq e afërm ky përbindësh. Nga ana vjetër, të shumtë kishin qenë ata që e kishin fituar betejën me të. Fitorja varet në një përqindje të konsiderueshme nga shkalla dhe lloji i tumorit, por jo vetëm nga kjo. Varet shumë edhe nga mënyra sesi vendos ta luftosh atë: t’i tregosh gjoksin e të prehësh shpatën apo të frikësohesh dhe të ulësh vigjilencën. Unë vendosa ta kapja demin për brirësh; sy më sy e dhëmb për dhëmbë.

Abcnews.al: Po familja si e priti?

Ismete Selmanaj: Fillimisht u trembën, por duke parë që unë s’kisha ndërmend ta lija sëmundjen të më mposhtte, u bënë forca ime më e madhe. Dashuria e tyre e pamasë ka qenë terapia më e mirë.

Abcnews.al: Si ishte jeta juaj gjatë asaj periudhe?

Ismete Selmanaj: Nuk them se ka qenë e lehtë. Të hiqet gjoksi, një pjesë delikate e trupit që të identifikon si grua dhe si nënë. Më pas, cikle e cikle me kimio dhe rreze. Të bien flokët, vetullat, qerpikët. Çdo ditë sheh para pasqyrës një tjetër njeri. Isha shndërruar fizikisht në dikush tjetër: e fryrë, e shëndoshur. Kam kaluar ditë të errëta në të cilat ka qenë e vështirë t’u buzëqeshja të dashurve të mi. E gjithsesi u kam buzëqeshur.

Më ka ndihmuar shumë e shkruara. Kam shkruar shumë gjatë kësaj periudhe, duke përfshirë edhe eksperiencën time me sëmundjen.

Abcnews.al: Ku e gjetët kurajon për të vazhduar përpara?

Ismete Selmanaj: Te dashuria për jetën, tek dashuria që kam marrë dhe tek ajo që kam dhuruar. Jeta na vë përballë sfidave të ndryshme dhe kur jemi përballë sfidës për jetën, gjithçka merr një dimension vjetër. Atë ditë që mora diagnozën, me mua ishte edhe djali i vogël,  që në atë kohë ishte 10 vjeç. Më pa drejt e në sy dhe më tha: “Ti do të fitosh, sepse ti fiton gjithmonë”.

Këto fjalë magjike “ti fiton gjithmonë” më kanë shoqëruar në çdo moment gjatë luftës sime për jetën. Ky besim i patundur i djalit tim më ka dhënë forcë e besim edhe atëherë kur më dukej se do të dorëzohesha. S’mund të dorëzohesha. Ai besonte që do të fitoja dhe duhet të besoja edhe unë.

Abcnews.al: Si e përshkruani momentin kur morët vesh që e kishit fituar ju betejën me tumorin?

Ismete Selmanaj: Ky nuk është një moment që vjen në një çast të caktuar, por me kohë. Gjatë kontrolleve që bëhen pas operacionit, duke mos pasur më asnjë rikthim të sëmundjes, pacienti quhet i pastër nga sëmundja pas një harku të caktuar kohor. Sipas protokollit, mjekët e quajnë një paciente të shëruar pas pesë vjetësh. Unë jam në fund të kësaj periudhe. Si e ndiej veten? Thjesht fitimtare dhe është një sensacion i mrekullueshëm.

Abcnews.al: Një mesazh sensibilizues për gratë dhe një mesazh për ato që po luftojnë me tumorin.

Ismete Selmanaj: Mesazhi i parë dhe kryesor është që të bëjnë rregullisht vizitat mjekësore; mamografinë dhe ekografinë. Kontrollet për parandalimin e kancerit të gjirit janë themelore  për shërimin e plotë prej tij. Unë sot e fitova betejën pikërisht sepse e zbulova tumorin në kohë. Po të isha vonuar edhe disa muaj, do të kishte qenë më e vështirë dhe ndoshta e pamundur që ta mposhtja. Së dyti, drejtohuni mjekut dhe jo sharlatanëve që premtojnë kura “alternative”. Së fundmi, mos u dorëzoni kurrë. Është një betejë e vështirë, por që mund të fitohet.

Duke mbyllur intervistën me një mesazh kaq të vyer, Ismete tregoi se sapo ka përfunduar dhe librin “Terapia e Dashurisë”, i cili është drejt botimit dhe flet për gjithë këtë fazë të vështirë të jetës së saj.

E pyetur pse këtë titull, Ismete shprehet kështu: “Sepse djali i vogël kishte shpikur terapinë më të mirë që mund të ekzistojë: terapinë e dashurisë. Më shtrëngonte fort me doçkat e tij në mënyrë që dashuria  e tij të më përshkonte të gjithë trupin. Dhe më besoni, ndjeja me të vërtetë dashurinë e tij të më hynte në venat e damarët e mi në të cilat kalonte një lëng i kuq si gjaku. Unë e quaj kuqalashja. Kjo ishte terapia që kishte tek unë një rezultat pozitiv të menjëhershëm dhe pa asnjë efekt anësor”.

Ismete ka mësuar shumë nga kjo betejë. Ka mësuar si ta mund monstrën, si të mos i lërë asnjë shteg bosh ku të futej, si t’i mbushte venat me dashuri, si të mos qante. Ka mësuar ta shohë botën nga një këndvështrim të ri, ta shijojë jetën plotësisht e ta jetojë çdo ditë sikur të ishte e fundit. Jo fundi i ditëve, por dita e fundit para së nesërmes po aq e mbushur me jetë sa e sotshmja./abcnews.al

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Kulture

Përkujtohet Kuvendi i Besës në Senicë

Në fshatin Senicë, të njohur si “ballkon” i krahinës së Rrëzomës, 254 vite më parë…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Këngëtari grek u kërkon falje shqiptarëve: Faleminderit shumë! Disa herë Greqia ju ka lënduar

Këngëtari grek Andonis Remos ka dhënë një koncert mbrëmjen e djeshme në Pallatin e Kongreseve…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Biblioteka Publike “Dritëro Agolli” Fier, pēr të tretin vit radhazi nderon me çmime lexuesit më të mirë të vitit

Biblioteka Publike “Dritëro Agolli” Fier, pēr të tretin vit radhazi nderon me çmime lexuesit më…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Kadare nominohet për “The Booker 2024”

Në 2005 ishte fituesi i parë i këtij çmimi Shkrimtari i mirënjohur Isamil Kadare, nominohet…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Punuan veprat kryesore të Muzeut Kombëtar në Krujë, 5 artistë nderohen me titullin “Qytetar Nderi”

Pesë artistë të mirënjohur të arteve figurative në vend u nderuan me titullin “Qytetar Nderi…

LEXO ME SHUME