Kulture

Shtatë vite më parë, Kthimi i eshtrave të Mbretit Zog

Nga Ekrem Spahiu* Forcat komuniste në mëngjesin e 17 nëntorit 1944 shkatërruan mauzoleumin ku preheshin eshtrat e Nënës Mbretëreshë Sadije dhe hynë triumfalisht në Tiranë si çlirimtarë, “a thua se ai varr ishte gjermani i fundit”.68 vjet më vonë, pikërisht më 17 nëntor 2012 me nismën e Partisë “Lëvizja e Legalitetit” dhe mbështetjen e gjithanshme të Kryeministrit z. Sali Berisha, u kthyen në atdhe eshtrat e Mbretit Zog I dhe u vendosën të prehen përjetësisht në mauzoleumin e rindërtuar nga qeveria, si një replikë e modernizuar e mauzoleumit origjinal, që ishte ndërtuar në dhjetor 1935. Kjo datë simbolike e ringritjes së tij dëshmon vullnetin e kombit shqiptar për ndreqjen e padrejtësive historike.

Ky moment shumë i rëndësishëm për autoritetin e shtetit shqiptar në demokraci u përzgjodh me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë për shkak se shumë vite të historisë së shtetit shqiptar lidhen me figurën e Ahmet Zogut.

Me VKM të posaçme, qeveria ngriti një komision ndërministror për kthimin e eshtrave të Mbretit Zog I dhe organizoi një ceremoni madhështore. Për zbatimin e VKM ishin përfshirë drejtuesit më të lartë të: Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Kulturës, Bashkisë së Tiranës dhe Istitutit të Monomenteve të Kulturës.

Mbreti Zog ndërroi jetë në Paris më 9 prill 1961 dhe eshtrat e tij preheshin te varreza “Thiais Parisien”. Më 14 nëntor 2012 në Paris, nëpërmjet një ceremonie zyrtare dhe nderime ushtarake organizuar nga Protokolli i Presidentit të Republikës franceze, në prani të Familjes Mbretërore Shqiptare, autoriteteve të larta të qeverisë franceze, delegacionit të qeverisë shqiptare, drejtuesve të PLL dhe shumë mbretërorëve të ardhur nga Shqipëria, Franca, Belgjika, Anglia, etj, u bë zhvarrimi dhe përgatitja e eshtrave të Mbretit Zog për t’i nisur në atdheun e vet.

Mëngjesi i 16 tetorit 2012 ishte shumë i veçantë në Rinas. Në respekt të figurës madhore të Mbretit Zog kishin dalë për të pritur eshtrat e Mbretit të Shqiptarëve, mjaft personalitete të larta të shtetit si dhe mijëra qytetarë. Gjithçka ishte organizuar me përpikëri nga Protokolli i Shtetit. Arkivoli, i vendosur në makinën mortore dhe i mbuluar me flamurin shqiptar, nën marshet funebre të bandës frymore, kalon në mesin e simpatizantëve të Mbretërisë që ishin vendosur në dy anët e rrugës dhe niset në drejtim të Tiranës.

Më 17 nëntor, në Pallatin Mbretëror u zhvilluan homazhet në nderim të Mbretit Zog I. Princi Leka II, e fejuara e tij zj.Elia Zaharia dhe anëtarë të tjerë të Familjes Mbretërore, pritën autoritetet më të larta të shtetit shqiptar dhe Kosovës, përfaqësues të familjeve mbretërore, Zëvendëskryeministrin e Hungarisë, gjithë drejtuesit e partive politike në Shqipëri, ambasadorë, përfaqësues të klerit, drejtuesit politik shqiptarë nga Maqedonia, Mali Zi, Lugina e Preshevës dhe mijëra vizitorë nga të gjitha trevat shqiptare, të ardhur për të nderuar figurën e Mbretit Zog.

Pas homazheve, arkivoli me eshtrat e Mbretit Zog u vendosën në shtratin e topit, për t’u përcjellë drejt mauzoleumit të Familjes Mbretërore.

Personalitetet më të larta politike të kombit, në të dy krahët kufirit, shprehën vlerësimet maksimale për figurën e Mbretit Zog. Në fjalën e saj, Presidentja e Kosovës znj. Atifete Jahjaga, evidentoi kontributin e jashtëzakonshëm të Mbretit Zog në ndërtimin dhe në konsolidimin e shtetit modern shqiptar:
“Kthimi i eshtrave të ministrit, kryeministrit, presidentit dhe të naltmadhnisë së tij, mbretit të shqiptarëve Zog I, simbolizon drejtësinë hyjnore, paqen politike dhe pajtimin kombëtar. Shqipëria, nën udhëheqjen e Mbretit Zog, nga një vend i varfër dhe i pazhvilluar, fisnor dhe i përçarë, me kontradikta të shumta, u bë një vend modern i kohës, i unifikuar, me shtrirje të pushtetit dhe të administratës në çdo cep, me liri qytetare dhe me tolerancë fetare që ishte shembull për vendet e tjera”.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani, ndër të tjera tha: “Sot, në prag të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, është një gjest shumë fisnik, një detyrim historik, moral dhe patriotik, që eshtrat e Mbretit Zog të prehen në vendin, të cilit ai i kushtoi vitet më të mira të jetës. Ky akt nuk është thjesht një detyrë qytetare dhe njerëzore, por edhe mundësi për të shlyer një detyrim, jo vetëm ndaj një Njeriu, por ndaj një epoke të tërë. Epokës së shtetformimit të Shqipërisë që e deshi dhe nisi ta vinte në jetë Mbreti Zog. Rivarrimi i tij sot, pikërisht aty ku shteti-parti i Diktatorit hodhi në erë varrin e nënës së tij, Nanës Mbretneshë, është simbolika e Shqipërisë që nuk urren, por nderon, që nuk harron, por i jep secilit atë që meriton”.

Kryeministri z. Sali Berisha, theksoi se sot të gjithë shqiptarët përulen përpara veprës dhe kontributit të Mbretit Zog. “Sot mbarë kombi shqiptar, nderojnë e përulen para veprës dhe kontributit të njërit prej burrave më të shquar të historisë së tyre kombëtare, Mbretit Zog I, që rikthehet në Atdheun e tij pas mërgimit prej së gjalli dhe së vdekuri në dhera të tjera. Shqiptarët përulen me nderim të madh para burrit që jetësoi pavarësinë e Shqipërisë”.(…) “Ahmet Zogu nderohet sot për ndërtimin e shtetit shqiptar, kontributin historik që dha. Ahmet Zogu do të nderohet gjithnjë nga shqiptarët për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, për vokacionin e tij perëndimor. Në këtë kontekst nëse do bënim një vlerësim në raport me rrethanat ku jetoi, përpjekjet e tij për zhvillimin e shqiptarëve janë mbinjerëzore”.
Princ Leka, në emër të Familjes Mbretërore falenderoi kryeministrin Berisha për kthimin e eshtrave të Mbretit Zog në atdhe dhe shprehu mirënjohje për personalitetet më të larta që vlerësuan veprën dhe kontributin e madh të Mbretit, dhënë për Shqipërinë. Duke falenderuar pjesëmarrësit, Ai u shpreh: “Rishikimi i historisë së popullit tonë nuk fillon dhe mbaron sot. Eshtë një proces ende i gjatë dhe i vështirë për të zbuluar me objektivitet të vërtetat historike. Rindërtimi i mauzoleumit ka një rëndësi jo vetëm për Familjen Mbretërore, por për të gjithë kombin shqiptar”.
Pas fjalimeve të rastit, dy ushtarë të ceremonialit palosin flamurin kombëtar dhe ia dorëzojnë në mënyrë ceremoniale Princ Lekës. Nën tre breshëri me armë dhe të shtëna me top, arkivoli vendoset nga ushtarët e ceremonialit në banesën e fundit dhe me këtë gjest mbyllet ceremonia e rivarrimit të eshtrave të Mbretit Zog I në mauzoleumin e Familjes Mbreterore.

Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani shtroi një darkë në Pallatin Mbretëror, ku edhe i akordoi Naltmadhnisë së Tij Zogut I, Mbretit të Shqiptarëve “Urdhrin e Flamurit Kombëtar” (pas vdekjes), me motivacionin:
“Figurë madhore e qendrore e historisë së Shqipërisë, që hodhi themelet e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit modern shqiptar, me orientim të qartë perëndimor europian. Ideator dhe realizues i administratës së parë të shtetit shqiptar, si dhe i një legjislacioni bashkëkohor të niveleve të larta, që do t’i hapte rrugë emancipimit shoqëror dhe zhvillimit të vendit. Personalitet që gjithë jetën e tij e lidhi me fatet e kombit, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve”.*Ish-deputet dhe kryetar i PLL

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button