Categories Kulture

“Talenti dhe vullneti plotësojnë njëri-tjetrin”, 18-vjeçarja Lea Gjini rrëfen pasionin për pikturën

“Kam nisur të shes piktura që nga klasa e pestë dhe vazhdoj ta bëj akoma sepse dua t’ia dal mbanë vetë”. Me flokë të gjata e sytë plot dritë, Lea Gjini, me origjinë nga Fushë-Arrëzi është një 18-vjeçare elegante e cila e ka gjetur vetveten që herët. Ajo ka vetëm tre vite që jeton në Tiranë, por kjo nuk e ka ndalur që të bëhet e njohur në rrethin e saj shoqëror të krijuar rishtaz në kryeqytet. Të gjithë ata që njohin e dinë që Lea është një ndër liceistet më të talentuara dhe këmbëngulëse për të realizuar ëndrrat e saj. E veshur me një këmishë të bardhë me jakë oficeri te kombinuar me pantallona xhins të shkurtra, Lea, vajza e dytë e familjes Gjini tregon për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se piktura është jeta e saj.

“Nuk di si ta përshkruaj por di vetëm që jam e prirur të pikturoj”, e përmbledh ajo me pak fjalë pasionin e saj. E sapodiplomuar në Liceun Artistik “Jordan Misja” vajza shpalos ëndërrat me fjalë plot pasion.

“Talentin e kuptova që në moshë të hershme. Isha vetëm 3-4 vjece kur nisa të vizatoja me lapsa e letra. Për herë të parë kam vizatuar kukull Barbie, më tej vijova me peizazhe, natyrë. Që në fillore, mësuesit më dalluan që unë dija të vizatoja shumë mirë. Më pas nisa një kurs për një kohë të gjatë që të mund të përforcoja njohuritë e mia për pikturë dhe kam pasur një mësuese që ka qenë një ndër shtysat më të mëdha që unë të nisja Liceun, për të vazhduar në Akademinë e Arteve”, e nis Lea rrëfimin.

Piktura e saj e parë, mbahet si relike që kap vështrimin sapo i hedh një sy shtëpisë. Një fragment natyre, i fiksuar në tablo, qëndron në murin e shtëpisë së saj në Fushë-Arrëz, ku e ëma mbetet fanatikja dhe mbështetja më e madhe e talentit të saj. “Vizatimin e parë të mirëfilltë e kam në moshën 10-vjeçare. Mamaja ime e ruan ende si një tablo të rëndësishme, tregues i talentit që e tërë familja e ka mbështetur tek unë. Mami mbetet fanatike e punimëve të mia të hershme. Ai vizatim qëndron i varur në mur që prej asaj kohe e deri më sot. Vizatimi është diçka e thjeshtë, një peizazh, më saktë deti”, thotë ajo.

Leas i ndodh që të fiksojë shikimin e njerëzve të zakonshëm, të panjohur dhe ta hedhë në letër në shtëpi. Një memorie fotografike, të cilën ajo përmes lapsave dhe penelave të saj e materializon në letër.

“Dëshira ime për të vizatuar vjen natyrshëm, mjafton të frymëzohem nga diçka, nga dikush, nga një muzikë që më bën të ndjehem mirë dhe direkt më lind frymëzimi. Mund të shoh edhe diçka në internet ku të bazohem ose thjesht nga mendja ime e të krijoj. Nëse fëmijët e tjerë, vajzat rriten me kukulla në duar, unë jam rritur përmes krijimtarisë. Është shprehje e botës së brendshme, e cila në një mënyrë apo tjetër transformohet dhe transmetohet në mënyrën më të bukur të mundshme, me vizatim”, rrëfen ajo.

Lea është nga ato vajza që ëndërron gjëra të mëdha, ose të paktën, të tilla i quan tani që është vetëm 18 vjeç. “Ëndërroj të bëhem dizenjatore e madhe, të kem firmën time, pse jo një shtëpi mode. Karrierën dua ta nis në Shqipëri por aspiroj edhe botën jashtë. Në klasën e shtatë kam marrë pjesë në një konkurs në Pragë ndërsa brenda Shqipërisë kam marrë pjesë më shumë. Krahas botës së modës që e kam qejf, më pëlqejnë edhe tatuazhet. Kam ëndrra të mëdha për të cilat kam nisur të punoj e studjoj fort. Dua të jem e sukseshme jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë saj”, shprehet ajo.

“Në portret jam praktikuar më shumë por ka një gjë. Portretin mund ta bëj më me qejf sepse më pëlqejnë gjërat në detaje. Bëj edhe piktura në tablo që mund të jenë në vaj. Bëj edhe natyra të qeta, bëj edhe portrete që mund të jenë me vaj. Kam pikturuar edhe mure për dhomat e fëmijëve, porosi të cilat i marr në periudha kohore të ndryshme. Kam nisur të shes piktura që nga klasa e pestë dhe vazhdoj ta bëj akoma. E bëj për arsye sepse më pëlqen të shoh sa do t’ia dal vetë dhe të shoh se sa e aftë do të jem të punoj të nesërmen duke pasur një studio timen. Më pëlqen t’i bëj këto sepse po provoj të punoj vetë. Një vizatim i mirë, në A3 apo A4 të paktën më mer dy ditë, kjo në varësi të madhësisë së vizatimit dhe shkalla e vështirësisë që ka. Vizatimet me laps marin 2-3 ditë ndërsa ato me bojëra marrin shumë, 2-3 javë”, tregon Lea.

“Më pëlqen të përfshihen edhe më artistë të tjerë, të bashkëpunoj për të parë edhe se ku jam me talentin tim. Më pëlqen dhe kështu kemi qenë edhe në shkollë. Kemi pasur një strukturë mësimi që punonim 11 vetë dhe të rastiste që të ishim shumë të mirë në pikturë të 11 nxënësit. Në fund, diferenca mbetej e vogël mes njëri-tjetrit”, vijon Lea rrëfimin. Ndonëse pëlqehet shumë, arti, sipas Leas, nuk vlerësohet ende në nivelet që janë në botë.

“Arti nuk është se vlerësohet shumë. Njerëzve u pëlqen arti por nuk e vlerësojnë shumë atë. Kur u thua për një çmim të caktuar, ata kanë gjithmonë tendencën për ta parë si çmim shumë të lartë ndërkohë që krijimtaria ka vlerën e saj, punën dhe vështirësitë e saj. Një portret me laps ka çmime të ndryshme, nis nga çmimi 20 për të vijuar më tej, por gjithmonë në varësi të llojit. Më bojra janë më të shtrenjtë sepse kushton tabloja dhe bojërat e vajit që janë shumë të shtrenjta”, tregon ajo.

“Dhoma ime është plot me korniza me trupa anatomikë sepse ne bëjmë edhe anatominë e njeriut. I gjithë muri i dhomës është plot me trupa anatomikë. Ka edhe disa piktura të bëra për tema të caktuara që na i kanë lënë t’i kemi. Piktura të cilat krijoheshin për një ekspozitë të caktuar në shkollë dhe ne i merrnim në shtëpi. Kam një pikturë në shtëpi me tematikë lirinë e fëmijëve në ditët e sotme dhe një pikturë grafike në ngjyrë blu. Në shtëpinë time në Fushë-Arrëz, gjen piktura të natyrës, peizazhe më shumë sesa portrete të familjes”, shprehet Lea.

Teksa buzëqesh lehtas, Lea rrëfen se vendi ynë ka të rinj të talentuar të cilët nuk promovohen e shihen asgjëkundi.

“Kam parë shumë të rinj të talentuar në pikturë, muzikë, aktrim, instrument. Njoh mjaft të tillë dhe jashtë shkollës së arteve. Ajo që kam kuptuar është që vullneti mbetet kyç në sukses. Ti mund ta kesh talent, dhunti prej zotit por nëse ti nuk punon me talentin tënd atëherë nuk mundesh dot të shfrytëzosh një aset që ti ke. Në fushën tonë veçanërisht, nëse nuk e praktikon, nuk do të mundesh ta shfrytëzosh “veten” për të bërë gjëra të bukura në komunitetin, shoqërinë e botën ku jetojmë. Talenti në pikturë, muzikë, aktrim etj kërkon praktikë e vullnet”, thotë ajo.

Rastet e demotivimit nuk kanë qënë të pakta edhe për Lean, por ajo ka gjetur gjithmonë një dritare hapur për të marrë ajër, për të vazhduar krijmtarinë e saj.

“Më ndodh që demotivohem, mund ta lë vizatimin edhe për disa kohë por prapë kam një rikthim. Mund të them që është shumë e fortë brenda meje, përtej mërzitjeve apo rutinës së përditshme, e cila ka raste kur edhe artin e vret. Por, unë gjej gjithmonë një “arratisje” thjesht duke bërë një shëtitje, ku papritur përmes një detaji gati-gati të padukshëm, arrij të ulem e të skicoj. Mendoj për ta ardhmen, çfarë do të ndodhë derisa unë të përfundoj studimet tëk Akademia e Arteve. Por deri sa të mbërrijë ajo kohë, unë po studjoj dhe punoj fort për t’’ia dalë. Ne nuk jemi rinia e kafeneve. Pjesa për të cilën flas e për të cilët flitet shumë pak e njihen shumë pak, të rinj të talentuar që mundohen për t’ia dalë ka shumë. E them me bindje sepse kam njohur shumë ndonëse jam vetem 18 vjeç. Ka diçka të çuditshme tek ne artistët. Ne kemi një botë tonën, por përmes artit e transmetojmë atë në një mënyrë ku e bukura nuk ka fund. Arti ka të bëjë shumë me vullnetin. Po e le, të le edhe piktura. Nëse e lë për disa kohë mund të harrosh teknikat e vizatimit. Talenti dhe vullneti plotësojnë njëri-tjetrin. Nëse nuk punon, harron edhe atë që ke mësuar. Po punove, do të fitosh më shumë njohuri dhe do të jesh më i miri, në çfarëdolloj dege që do të zgjedhësh”, shprehet Lea.

Asaj i pëlqen të vizatojë veçanërisht sytë e njerëzve. “Sytë janë gjëja e parë që shoh tek një njeri dhe ato më bëjnë përshtypje. Mund të fiksoj edhe shikimin e ndonjë të panjohuri në rrugë dhe kur shkoj në shtëpi të vizatoj. I fotografoj me sy dhe e hedh në letër përmes skicimit”, tregon ajo. 18-vjeçarja ka edhe një mesazh për bashkëmoshatarët e saj.

“Asnjë i ri apo e re nuk duhet të heqë dorë nga ëndrrat e veta sepse të gjitha realizohen me punë dhe këtë e kam kuptuar vetë. Secili nga ne demotivohet por fokusi duhet të qëndrojë tek dëshira dhe ëndrra juaj për të ardhmen”. z.tosku/j.p/atsh

 

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Kulture

Përkujtohet Kuvendi i Besës në Senicë

Në fshatin Senicë, të njohur si “ballkon” i krahinës së Rrëzomës, 254 vite më parë…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Këngëtari grek u kërkon falje shqiptarëve: Faleminderit shumë! Disa herë Greqia ju ka lënduar

Këngëtari grek Andonis Remos ka dhënë një koncert mbrëmjen e djeshme në Pallatin e Kongreseve…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Biblioteka Publike “Dritëro Agolli” Fier, pēr të tretin vit radhazi nderon me çmime lexuesit më të mirë të vitit

Biblioteka Publike “Dritëro Agolli” Fier, pēr të tretin vit radhazi nderon me çmime lexuesit më…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Kadare nominohet për “The Booker 2024”

Në 2005 ishte fituesi i parë i këtij çmimi Shkrimtari i mirënjohur Isamil Kadare, nominohet…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Punuan veprat kryesore të Muzeut Kombëtar në Krujë, 5 artistë nderohen me titullin “Qytetar Nderi”

Pesë artistë të mirënjohur të arteve figurative në vend u nderuan me titullin “Qytetar Nderi…

LEXO ME SHUME