
Muzikanti afrikano-jugor, kitaristi i rrymës Jazz, Musa Manzini është operuar në tru për heqjen e një tumori me anestezi lokale, ndërsa i binte kitarës!
Manzini, 47 vjeç, i është nënshtruar ndërhyrjes, që zgjati gjashtë orë, në spitalin Albert Luthuli të Durban-it.
Pikërisht për të shmangur paralizën dhe humbjen e funksioneve cerebrale të kontrollit dhe lëvizjes së vullnetshme, veçanërisht të gishtave, mjekët i kanë kërkuar që ndërkohë që operohej të luante pjesë muzikore në kitarë.
Një prej kirurgëve të skuadrës së operacionit, Rohen Harrichandparsad, ka shpjegur që ekzekutimi i pjesëve muzikore nga Manzini, i ka mundësuar mjekëve një dallueshmëri më të qartë të problemeve, ndërsa ishin duke hequr masën më të madhe të tumorit.
Teza e kirurgëve pas kësaj praktike me rezultat të suksesshëm, është: vënia në punë e trurit nëpërmjet gjësë që di të bësh më mirë, parandalon rrezikun e madh të mpirjes së neuroneve, dhe si rrjedhojë edhe një hemorragji cerebrale fatale përgjatë operacionit.