Kuzhina

Petulla Gënjeshtare – Receta Unike e Gjysheve Shqiptare

Petullat gënjeshtare janë traditë e zonës së Korçës dhe rrethinave të saj. Nëse ka një kërkesë drejt nënave apo gjysheve për të gatuar diçka të mirë e të shijshme, padyshim në krye të listës së gatimeve shqiptare janë petullat.

Vështirë t’u rezistosh! Të ngrohta, me pak mjaltë, sheqer pluhur a kanellë, reçel apo djathë. Por edhe pa i shoqëruar fare, me asgjë, shija e tyre e plotë të përfshin tërësisht.

Fantastike për mëngjes dhe shoqëruese të këndshme për drekë, petullat mbeten një nga gatimet speciale jo vetëm për familjen por edhe miqtë e të afërmit

AgroWeb.org sugjeron më poshtë një recetë të lehtë dhe të shpejtë për përgatitjen e petullave gënjeshtare në shtëpi. Një mënyrë fantastike për t’i shijuar me familjen a me miqtë.

Quhen gënjeshtare sepse janë të fryra nga jashtë dhe bosh nga brenda. E megjithatë, shija e tyre është fantastike. Petullat gënjeshtare janë traditë e zonës së Korçës dhe rrethinave të saj. Dikur gjyshet i gatuanin ato mëngjeseve dhe i shërbenin të ngrohta për nipërit e mbesat teksa gjithë shtëpia kënaqej me shijen e tyre të mrekullueshme.

Përgatitja e Petullave Gënjeshtare në Shtëpi
Përbërësit
500 gr miell gruri

2 kokrra vezë të freskëta

1 gotë e gjysmë kos

Dy lugë kafeje me sodë

Kripë \ Përgatitja\ Në një tas të madh shtojmë miellin, sodën dhe kripën. Krijojmë një gropëz të vogël në mes dhe aty shtojmë dy vezët dhe kosin. I përziejmë të gjithë përbërësit dhe punojmë brumin me dorë derisa të krijohet një masë e njëtrajtshme dhe homogjene. Pasi brumi është gati, AgroWeb.org ju sugjeron ta lini të pushojë përreth një orë.

Më pas, brumin e ndajmë në dy pjesë të barabarta dhe secilën prej pjesëve e hapim në një petë me trashësi rreth 1 centimetër. Petën e presim në katrore, rrethore ose trekëndore të vogla me madhësi nga 5-6 centimetra. Vendosim tiganin në zjarr dhe hedhim vajin, pasi ky i fundit të jetë ngrohur nisim skuqjen e petullave./AgroWeb

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button