
Pulë e mbushur me gështenja dhe arra
Përbërësit: 1 pulë 1.5 kg kripë dhe piper të zi 50 gr gjalp, 1 lugë kafe piper I kuq, trumzë dhe rozmarinë
1 gjethe dafinë ,4 qepë të vogla,pak vaj ulliri,100 gr pançetë,500 gr kërpudha,400 gr gështenja,100 gr arra
Përgatitja: Pastrojmë pulën dhe në pjesën e brendshme të saj vendosim pak kripë dhe pak piper të kuq dhe nëse keni erëza të freskëta, rozmarinë dhe trumzë vendosim nga një degë brenda në bark. Lidhim këmbët e pulës. (Nëse erëzat nuk i keni të freskëta atëherë nga pak nga këto erëza i përziejmë me gjalp dhe i vendosim në barkun e pulës).
Masazhojmë me pak kripë pulën nga jashtë, e vendosim atë në tavë, e lyejmë me pak vaj ulliri nga jashtë, vendosim disa copa gjalpi mbi të dhe e vendosim pulën në furrë në temperaturë 180 -190 gradë Celsius për 30 minuta. Presim qepën Chalotte në fije, kërpudhat i presim në dysh nëse janë të vogla dhe në katërsh nëse janë më të mëdha.
Në një tigan ngrohim vajin dhe kavardisim qepën derisa të zbutet, shtojmë pançetën dhe I lëmë derisa qepa dhe pançeta të jenë karamelizuar. Shtojmë kërpudhat, i kauardisim pak në temperaturë të lartë, më pas shtojmë gështenjat dhe arrat.
Rregullojmë shijen me kripë, i lëmë të ziejnë për 3-4 minuta. Nxjerrim pulën nga furra, e spërkasim atë me lëngun që ka lëshuar dhe shtojmë mbushjen përreth saj. Vendosim përsëri tavën në furë në temperaturë 170 gradë, për 30 minuta të tjera.