Lajme

Rritja e tensioneve me Greqinë për kërkimet në det, Gjermania dërgon ministrin e Jashtëm në Turqi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se Turqia është një nga dhjetë vendet e vetme në botë që projektojnë dhe prodhojnë luftanijet e veta, raporton Anadolu Agency (AA). Duke folur në një ceremoni të dorëzimit të anijeve të reja në Stamboll, Erdoğan tha se Turqia po e vazhdon me vendosmëri rrugën e saj në industrinë e mbrojtjes, e kjo deklarate vjen ne një moment të marrëdhënieve të acaruara me Greqinë, për shkak të kërkimit të hidrokarbureve në brigjet e Qipros.

“Është e pamundur që kombet që nuk janë të pavarur dhe të fortë në fushën e mbrojtjes ta shohin ardhmërinë e tyre me siguri”, tha presidenti turk. Ai tha se synimi i Turqisë është zhvillimi i një industrie të mbrojtjes e cila nuk do të ketë asnjë nevojë nga jashtë në asnjë fushë kritike dhe ndërtimi i infrastrukturës së prodhimit. “Turqia është një nga dhjetë vendet në botë që projektojnë dhe prodhojnë luftanijet e veta”, theksoi Erdoğan. Sakaq, anija turke për kërkime sizmike Oruç Reis do të vazhdojë deri më 27 gusht punimet e saj për kërkime të hidrokarbureve në brigjet e Qipros.

Bëhet e ditur se një Navtex i ri është shpallur ku thuhet se punimet do të vazhdojnë deri më 27 gusht në zonën në të cilën anija Oruç Reis do të vazhdojë punimet sizmike. Në një njoftim të bërë më parë afati i punimeve ishte njoftuar deri më datën 23 gusht ndërkohë me njoftimin e ri ky afat është zgjatur edhe për katër ditë. Sipas kësaj Oruç Reis, bashkë me anijet Ataman dhe Cengiz Han do të kryejnë punimet sizmike në zonat e shpallura më parë në brigjet e Qipros në Mesdheun Lindor. Lidhur me këto tensione të rritura me Greqinë, shihet edhe ndërhyrja e Gjermanisë. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas nesër, të martën e 25 gushtit, do të zhvillojë një vizitë pune në Turqi.

Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Jashtme turke thuhet: “Në takimin që do të zhvillohet në Ankara mes ministrit tonë dhe homologut të tij gjerman parashikohet që të diskutohen marrëdhëniet dypalëshe, marrëdhëniet Turqi-BE, çështjet e Mesdheut Lindor dhe ato rajonale”.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: