Lajme

28 mars 1997 – Tragjedia e Otrantos Datë në historinë detare

28 mars 1997 – Tragjedia e Otrantos Datë në historinë detare

Mbrëmjen e 28 marsit 1997 mjeti detar “Katri i Radës” (A-451), në inventar të Forcave të Mbrojtjes Shqiptare, ndërsa kishte në bord rreth 115 persona, të gjithë shqiptar, u godit nga korveta italiane “SIBILA” (F-558) në Kanalin e Otrantos. Nga goditja fatale humbën jetën 81 qytetarë shqiptarë dhe vetëm 61 mundën të mbijetojnë.

Anija u mbyt në thellësinë 823 m dhe mbas nxjerrjes së saj trupat e 24 personave nuk mundën të gjendeshin. Anija kishte si destinacion Brindisin, Itali, me qëllim të një jete më të mirë. Pjesa më e madhe e të mbyturve ishin gra dhe fëmijë që gjendeshin në lokalet e brendshme të anijes dhe në pamundësi shpëtimi për shkak të mbytjes së menjëhershme të mjetit.

Në marsin e vitit 1997 Vlora, si edhe gjithë Shqipëria, ishin përfshirë në një anarki totale, ku shteti nuk funksiononte. Në datën 27 mars 1997 një grup trafikantësh kishin rrëmbyer nga Saranda mjetin “Katri i Radës” dhe e sollën atë në Vlorë. Kjo anije ishte pjesë e strukturës së Bazës Detare të Limionit, Sarandë, me numrër bordi A-451. Anija u bregëzua në molin “ZERO” të Portit të Vlorës dhe deri në mbasditen e datës 28 mars 1997 në të u imbarkuan rreth 115 vetë për lundrimin e tokës së premtuar, drejtë Italisë.

Eksodi shqiptar drejt Italisë kishte kohë që kishte filluar. Për të shkuar drejt Italisë u përdorën të gjitha mjetet detare të mundshme, anijet e peshkimit, tregtare, pa kursyer edhe anijet ushtarake. Për përballimin e kësaj situate, Italia kishte krijuar një bllokade detare, me qëllim pengimin e kalimit të anijeve shqiptare drejt Italisë. Në datën 28 mars 1997 fregata italiane “ZIFERO” (F 577) dhe korveta “SIBILA” (F-588) patrullonin në Kanalin e Otrantos.

“Katri i Radës” u nis nga Porti i Vlorës me 115 vetë në mbasditen e datës 28 mars 1997 me destinacion Brindizin Italinë, duke lundruar nëpërmjet Kanalit Jugor të Gjirit të Vlorës. Kapiten i anijes “Katri i Radës” (A-451) ishte Namik Xhaferri. Sapo “Katri i Radës” (A-451) doli nga Kanali Jugor i Gjirit të Vlorës u identifikua nga fregata italiane “ZIFERO” (F 577). Kapiteni i fregatës “ZIFERO (F-577) i bëri disa thirrje “Katrit të Radës” për t’u kthyer mbrapa, por thirrjet ishin të pasuksesshme. Në kuvertën e “Katrit të Radës” dalloheshin rreth 30 vetë.

Në pamundësi të ndalimit të “Katrit të Radës, fregata “ZIFERO” (F-577) ia kaloi detyrën karvetës “SIBILA” (F-588). Tashmë “Katri i Radës” kishte mbërritur në mes të Kanalit të Otrantos. Veprimet e komandantit të korvetës “SIBILA” (F-588), kapiten i rangut të tretë Fabrizio Laudadio, u bënë agresive. Në orën 16:30 ai bëri një manovër kërcënuese duke iu afruar “Katrit të Radës” më shumë se normat e lejuara. Afrimi ishte fatal dhe “Katëri i Radës” u përmbys dhe mbyt menjëherë. Korveta “SIBILA” (F-588) kishte një tonazh prej 1300 ton, kurse “Katri i Radës” kishte një tonazh prej vetëm 40 ton.

Mbas mbytjes së “Katrit të Radës, ndihma e korvetës “SIBILA”(F-588) nuk ishte e menjëhershme. Nga 115 veta që gjendeshin në bord, 34 vetë mundën të mbijetonin dhe u transferuan në Brindisi. Në 19 tetor 1997, pas një operacioni të vështirë 4-ditor, anija e specializuar “Performer”, nxorri nga 823 metra thellësi anijen “Kateri i Radës” (A-451). Brenda në anije u gjenën 58 trupa, kryesisht gra e fëmijë. 23 vetë nga kjo tragjedi ende janë të humbur.

Tragjedia e Otrantos e 28 marsit 1997 pati një jehonë shumë të madhe ndërkombëtare, edhe për faktin e deklaratave kontradiktore në politikën italiane. Në 5 prill 1997, deputetja italiane Irene Pivetti, ish-kryetare e Dhomës së Deputetëve, deklaroi se për të përballuar mbërritjen e mijëra shqiptarëve, ata duheshin hedhur në det. Për këtë deklaratë, ajo kërkoi falje pas 14 vjetësh.

Marina Luftarake Italiane menjëherë, në datën 29 mars 1997, nisi një hetim të brendshëm, ku konkludoi se kontakti mes anijeve “Sibila” dhe “Katri i Radës”, ka qenë një nga shkaqet e mbytjes. Në 17 nëntor 1998 Prokuroria e Brindisit përfundoi hetimin për këtë tragjedi. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Shkallës së Parë të Brindisit vendosi që Namik Xhaferi, drejtuesi i anijeas “Katri i Radës” të dënohet me katër vjet heqje lirie, ndërsa kapiteni i rangut të tretë Fabrizio Laudadio, komandant i korvetës “SIBILA” (F-588) të dënohet me tre vjet heqje lirie. Në vitin 2011 dënimi i tyre u ulën respektivisht në tre dhe dy vjet.

Në 29 janar 2012 në qytetin e Otrantos u inagurua monumenti i emigracionit, i krijuar nga skulptori grek Kostas Varotsos, me mbistrukturën e anijes shqiptare“Katri i Radës (A-451) . Të pranishëm ishin dhe autoritetet e Marinës Luftarake Italiane. Dy pjesë të anijes “Katri i Radës”, u kthyen në Vlorë, ku u fol se do të ishin pjesë e një muzeu por ngelën të magazinuara. Në vitin 1997 trupat e të mbyturve në Tragjedinë e Otrantos u sollën në Vlorë dhe u varrosën me një ceremoni shtetërore në Varrezat e Qytetit të Vlorës. Nga Enrik Mehmeti

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: