
Presidenti Ilir Meta propozoi anëtaren e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha për postin e kryetares së re të Kontrollit të Lartë të Shtetit në kulmin e përplasjes me mazhoracën për rastin “Lleshi”. Kreu i deputetëve të PS-së, Taulant Balla tha se me dekretin do të njihen ditën e enjte, ndërsa theksoi se PS vlerëson figurën e Tushës.
“Me dekretin do njihemi ditën e enjte, ku sipas Kushtetutës, kryetari njofton seancën plenare dhe deri në shqyrtimin nga komisioni përkatës do hezitoja të bëja çdo koment. Vlerësojmë personalitetin e zonjës ne funksionet që ka mbajtur.
Është sukses në kalimin e vettingut, meriton gjithë respektin po kini parasysh që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi merr jetë per shkak te prezencës së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Do ndjekim procedurën sipas Kushtetutës për funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. S’ do ketë as vonesa as nxitim”, – tha Balla.
I pyetur për çështjen “Lleshi”, Balla tha se Kushtetuta është shumë e qartë.
“Kjo çështje ka pas një zgjidhje që kur është propozuar nga kryeministri. Për të tejkaluar një problem që u krijua pa dashje nga ana e presidentit sepse kushtetuta është shumë e qartë”, – tha Balla.
Tusha është kandidatja e përzgjedhur nga presidenti Meta, mes 34 pjesëmarrësve të tjerë në këtë garë. Tusha është pretendente për të zëvendësuan Bujar Leskajn, të cilit në dhjetor të këtij viti i mbaron mandati. Leskaj deklaroi publikisht se nuk do të garonte më për këtë pozicion.