
Udhëheqësit e aleancës konservatore të kancelares në largim, Angela Merkel dhe të gjelbrit u takuan sot në Berlin për të eksploruar mundësitë e formimit të një koalicioni për të qeverisur Gjermaninë për katër vitet e ardhshme. Demo-kristianët e Merkelit (CDU), të udhëhequr tani nga Armin Laschet, së bashku me aleatët e tyre bavarezë të Unionit Social Kristian (CSU), po përpiqen të krijojnë një qeveri trepalëshe me të gjelbrit dhe Partinë Demokratike të Lirë (FDP).
Edhe social-demokratët (SPD) të cilët janë shfaqur si partia më e madhe me vetëm 25,7 për qind të votave përpara CDU/CSU me 24,1 për qind, po përpiqen gjithashtu të ndërtojnë një koalicion me të gjelbrit dhe FDP. Dy partitë më të vogla, të gjelbrit me 14,8 për qind dhe FDP me 11,5 për qind, ishin të parat që u takuan javën e kaluar për të hetuar pozicionet e përbashkëta.
Ndërsa të gjelbrit do të preferonin një marrëveshje me SPD dhe FDP, ata nuk e kanë përjashtuar mundësinë për të shkuar në qeveri me CDU/CSU. FDP e ka bërë të qartë preferencën e saj për CDU/CSU, por nuk i ka mbyllur derën as SPD-së. /os/atsh