A do të rikthehet Saimir Tahiri në Partinë Socialiste, kur të marrë fund beteja e tij me drejtësinë? Kjo është pyetja më e shpeshtë që po iu bëhet eksponentëve të mazhorancës në këto ditët e fundit.
Nëse kryeministri Rama tha dy ditë më parë se ai doli i pastër në Itali, dhe ata që e akuzuan duhet t’i kërkojnë falje, kreu i grupit të PS-së Taulant Balla shkon edhe më tej duke thënë se vendimi për t’u kthyer në PS është një vendim që i takon vetë Tahirit për t’u marrë.
“Unë e thashë dhe në fillim dhe sot kanë kaluar më shumë se 13 muaj kur prokuroria ngriti akuzat ndaj Tahirit.
Të gjithë e dimë që akuzat për të u ngritën në bazë të hetimeve në Itali dhe ai atje doli i pastër.
Partia Demokratike duhet t’ i kërkojë falje për baltën ndaj tij, ndërkohë kthimi në Partinë Socialiste është vendimarrje e vetë zotit Tahiri”, pohoi dje Taulant Balla në emisionin Java në RTSH.