Lajme

Agjencia e Mbikëqyrjes, tentativë për të kontrolluar Policinë e Shtetit

Ish-deputetja e LSI, Silva Caka u shpreh sot në një deklaratë për mediet, se, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore është tentativë për të kontrolluar dhe kapur Policinë e Shtetit.

“Qeveria e Edi Ramës nuk ndalet në kapjen e çdo segmenti të shtetit. Ajo po zhbën përfundimisht ligjin e SHÇBA-së, për t’a kthyer Policinë e Shtetit në një polici politike, që vepron nën urdhrat dhe shantazhin vetëm të qeverisë”, tha Caka.

“Projektligji i ri, i paraqitur nga mazhoranca, i cili suprimon Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme dhe krijon Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, nuk është gjë tjetër përveçse fundi i pavarësisë së të gjithë organeve që sigurojnë rendin dhe sigurinë publike, kryesisht e Policisë së Shtetit, nga politika dhe kapja që ka vendosur t’i bëjë pushteti”, u shpreh Caka.

“Në ligjin aktual për Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, ka 2 momente kyçe, të cilat garantojnë sadopak pavarësi të Policisë së Shtetit nga politika dhe këto 2 momente janë: emërimi i kreut të këtij institucioni dhe roli i tij në vlerësimin periodik të gradave bazë në Polici”, shtoi Caka.

“Aktualisht, drejtori i SHÇBA-së, emërohet nga Ministri i Brendshëm. Gjithashtu, SHÇBA është përgjegjëse për vlerësimin periodik të efektivëve të Policisë, të cilët mbajnë grada të ulëta, duke bërë që efektivët që mbajnë grada të nivelit të lartë, të jenë subjekt i kontrollit të një Komisioni të Jashtëm, në mënyrë që të garantohet pavarësia dhe të shmanget trysnia politike mbi ta”, nënvizoi Caka.

“Lëvizja Socialiste për Integrim, shpreh kundërshtimin e saj për miratimin e këtij projektligji, i cili në gjykimin tonë shihet si hapi i fundit drejt kontrollit të plotë të Policisë së Shtetit.  Ne do të informojmë të gjitha institucionet ndërkombëtare, brenda dhe jashtë vendit; sigurisht do të komunikojmë edhe me institucionet e Icitap dhe Pameca, të cilat prej vitesh asistojnë Policinë shqiptare, sepse vendosja e sundimit të ligjit dhe rendit në Shqipëri nuk bëhet me polici politike, por me një polici që i shërben vetëm zbatimit të ligjit”, tha Caka.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: