
Italia ka arrestuar tre persona që besohet se janë trafikantët që morën deri në 200 persona në një varkë që u përmbys të dielën herët në brigjet jugore të vendit, duke vrarë të paktën 64 emigrantë.
Oficeri i policisë Alberto Lipolis tha se një turk dhe dy pakistanezë i morën emigrantët në varkë, e cila u nis nga Turqia për në Itali pavarësisht motit të keq. Ata u identifikuan nga të mbijetuarit si “fajtorët kryesorë të tragjedisë”.
“Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se i kanë kërkuar secilit prej migrantëve rreth 8 mijë euro për udhëtimin vdekjeprurës”, theksoi Lipolis.
Kujtojmë që tragjedia u shënua mëngjesin e së dielës, ku varka me emigratë u përmbys në brigjet e Italisë. Ekipet e shpëtimit gjetën sot trupin e një burri tjetër, duke e çuar numrin e viktimave në 64, mes të cilëve rreth 14 fëmijë. Janë 80 të mbijetuar, të cilët kanë deklaruar se në bord ndodheshin 150 deri në 200 persona.