Lajme

Arrestimi i Adriatik Llallës në Itali, SPAK nis procedurat për ekstradimin në Shqipëri

SPAK nis procedurat për ekstradimin e ish-prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla në Shqipëri. Një ditë pas publikimit të lajmit për arrestimin e ish-kryeprokurorit Llalla më 10 dhjetor në Romë, Itali, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka përcjellë Ministrisë së Drejtësisë dokumentacionin e nevojshëm për ekstradimin e tij nga Italia në Shqipëri. Lajmin e arrestimit të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla e konfirmoi Interpol Tirana, ditën e djeshme.

Njoftimi i Interpol Tirana:

Një tjetër person në kërkim ndërkombëtar bie në pranga, falë shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe zyrës homologe të Interpol Romës. Kapet në Itali, me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, shtetasi shqiptar Adriatik Llalla. Nga Zyra Qëndrore Kombëtare e Interpol Tiranës, falë shkëmbimit të informacionit me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi provizor, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar Adriatik Llalla, 52 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar me 2 vite burg, për veprën penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjeter që ka detyrim ligjor për deklarim”.

Falë informacioneve të marra nga strukturat e Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e këtij personi, si dhe shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Policisë italiane u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i tij, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: