
Është përmbyllur konstatimi i objekteve që preken prej projektit të Unazës së Madhe, gjithashtu dhe verifikimi i aspektit ligjor të dokumentacionit të tyre, deklarojnë Autoriteti Rrugor Shqiptar, ALUIZNI, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, IKMT dhe Bashkia Tiranë.
ARRSH deklaron se 195 objekte janë vlerësuar si të prekura prej këtij projekti. 124 prej tyre rezultojnë pa dokumenta pronësie, ndërsa 71 janë të pajisura me dokumentet e pronësisë.
Nga objektet me dokumentacion të rregullt, vetëm për 59 prej tyre janë bërë matjet dhe verifikimet në funksion të procedurës së shponësimit. Për 12 objektet e tjera procesi i matjeve do të vazhdojë gjatë ditëve në vijim.
ARRSH ka hyrë në diskutime me ata banorë, objektet e të cilëve do të prishen pjesërisht. Bëhet fjalë për 72 raste, ku 27 prej tyre kanë dokumenta pronësie, ndërsa 45 raste nuk i kanë këto dokumtenta. Në këto raste, pjesa e paprekur e objektit do të qëndrojë vetëm atëherë kur inxhinierët konstruktorë do të konfirmojnë qëndrueshmërinë e tij.