
41-vjeçari Leart Keka është vrarë me armë zjarri sonte në Vlorë. Ngjarja ka ndodhur pranë Kishës Ortodokse ku u dëgjuan disa të shtëna.
Ai u qëllua nga një makinë e zezë në lëvizje me targa italiane. Policia ka ngritur prostoblloqe me qëllim kapjen e autorëve.
Ai kishte ndryshuar gjeneralitete, emrin edhe mbiemrin dhe nga të dhënat paraprake thuhet se ka pasur një konflikt të mëparshëm.
Keka rezulton se kishte qenë i dënuar për bashkëpunim në një vrasje. Në dhjetor të vitit 2005, ai ishte marrë si i pandehur për kryerjen e veprës penale të vjedhjes me pasojë vdekjen, të kryer në bashkëpunim me shtetasin Fjodor Mezyraj.
Një makinë është gjetur e djegur në fshatin Kotë në Vlorë dhe dyshohet se makina u përket atentatorëve të cilët ekzekutuan për vdekje Laert Kekën.
Vlorë/Informacion paraprak Rreth orës 21:50, në lagjen “28-Nëntori”, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi L. K., 41 vjeç. Nga kontrolli i zonës, në aksin rrugor “Kotë- Sevaster”, shërbimet e Policisë kanë konstatuar një automjet tip “Audi”, duke u djegur. Janë ngritur menjëherë pika kontrolli në hyrje/daljet e qytetit të Vlorës dhe në akset “Vlorë-Fier”, “Vlorë-Tepelenë” dhe “Vlorë-Himarë”.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e autorëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe në drejtimin e prokurorit, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.