Lajme

Atentati me vdekje në Selitë, 49-vjeçari solli të ëmën për vizitë te mjeku, autori ishte në dijeni të lëvizjeve të Edmond Papajt

Zbulohen detaje të reja në lidhje me vrasjen e biznesmenit Edmond Papa, dje në zonën e Selitës, në Tiranë. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se autori ka qenë i mirë informuar për lëvizjet e 49-vjeçarit.

Kamerat e sigurisë të zonës dhe jashtë lokalit ku ndodhi vrasja kanë fiksuar momentet kur autori ka qëndruar për disa minuta në këmbë pranë pallatit ku banonte vëllai i 49-vjeçarit.

Viktima ishte në brendësi të një lokali kur u qëllua me disa plumba dhe menjëherë u transferua në spitalin e Traumës, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Autori mësohet se ka vepruar i vetëm në momentet që ka qëlluar në drejtim të viktimës Edmond Papa. Në momentet që është afruar në ambientet e jashtme të lokalit Papa ka reaguar dhe ka qëlluar në drejtim të tij me mjetet që ka pasur përpara, tavëll duhani dhe të tjera. Në këtë moment autori ka qëlluar 9 herë dhe menjëherë është larguar nga vendi i ngjarjes po në këmbë. Bazuar në dinamikën e ngjarjes, dyshohet se kemi të bëjmë me një vrasës profesionist. Autori është futur nëpërmjet një tuneli në lokal dhe më pas është arratisur nëpër rrugica. Policia ngre dyshime se një person e ka ndihmuar duke e pritur me një automjet, për t’u larguar më pas nga “Unaza e Madhe”.

Ngjarja ndodhi rreth orës 16:30 në zonën e njohur në kryeqytet, Selitë. Papa kishte ardhur dje në mesditë bashkë me nënën e tij nga Saranda në Tiranë për të vizituar sot te mjeku.

Me origjinë nga Fieri dhe banues në Sarandë, Papa kishte pak kohë që ishte kthyer në Shqipëri, pasi vitet e fundit ishte zhvendosur në Mbretërinë e Bashkuar.  Automjeti tip “Benz” në pronësi të viktimës, ishte parkuar para lokalit ku ai po konsumonte një kafe. Përballë lokalit ndodhet dhe banesa e familjarëve të tij të cilët i vizitonte sa herë vinte në kryeqytet.

Për krimin e rëndë, policia ka ngritur dy pista kryesore që lidhen me skedimet e viktimës në Angli për trafikim lëndësh narkotike dhe një me ndonjë konflikt të mundshëm, pikërisht për këtë lloj aktiviteti të paligjshëm.

Ai është dënuar edhe në shtetin grek me 7 vite burg për trafikim droge. Po hetohen dhe bizneset e Papës në qytetin e Sarandës ku ai merrej me ndërtime dhe rezulton pronar i një hoteli.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close