
Efektivëve të policisë së Durrësit iu desh që ta merrnin dy herë në pyetje Aldi Mustafën. Në dëshminë e parë pas shpërthimit, 37-vjeçari nuk ka qenë bashkëpunëtor me hetuesit, ndërsa në dëshminë e dytë mësohet të ketë folur me emrat për personat te të cilët dyshon.
Disa nga këta persona janë shoqëruar në polici, por pas marrjes në pyetje janë lënë të lirë pasi kanë mohuar të kenë lidhje me vendosjen e lëndës eksplozive. Uniformat blu të Durrësit po kërkojnë edhe personat e tjerë për të marrë edhe dëshminë e tyre.
Për shpërthimin me lëndë plasëse që ndodhi të hënën në Shkozet ende nuk ka autor. Policia po heton të kaluarën e 37-vjeçarit, i cili është person me precedentë penalë ndërsa njihet edhe si miku i Aleksandër Lahos, që ka edhe pseudonimin “Rrumi i Shijakut”.
Mustafa është arrestuar në gusht të vitit 2021 bashkë me dy persona të tjerë pasi në makinë iu gjet një arsenal armësh, por pas qëndrimit disa muaj në qeli u la i lirë.
Besohet se vendosja e lëndës plasëse ka qenë një paralajmërim për 37-vjeçarin. Sasia e eksplozivit ishte vendosur në gomën e pasme të automjetit ndërsa u aktivizuar kur Mustafa po lëvizte me automjetin e tij. Nga shpërthimi 37-vjeçari nuk mori lëndime.
Kjo është hera e dytë që i shpëton një atentati. Edhe në vitin 2012 ai u qëllua me breshëri automatiku teksa po lëvizte me makinë në qytetin e Kavajës. Në atë kohë mbeti i plagosur.