Lajme

Basha, në fushatë me këmbën e gabuar

Lulzim Basha e humbi edhe njëherë mundësinë për ta shfrytëzuar ditën e dorëzimit të listave të deputetëve si një atu të fushatës së tij. Në vend që të demonstronte besim dhe siguri, ai adaptoi një sjellje prej fajtori duke iu shmangur ballafaqimit me kamerat dhe publikun. Ndryshe nga çdo ditë e zakonshme, ai nuk komunikoi me mediat, nuk dha asnjë shpjegim për zgjedhjet që bëri, madje i la të gjithë të interesuarit në ankth. Ndërkohë që qoftë Monika Kryemadhi, qoftë Edi Rama, i mbrojtën personalisht vendimet që kishin marrë dhe e prezantuan po vetë ekipin që do të hidhnin në betejë, Basha e bëri këtë përmes lajmeve të pakonfirmuara që rridhnin aty- këtu.

Atij i mungoi guximi për të marrë vëmendje në një ditë kur ajo ishte maksimale. Ai u dominua nga pasiguria se mos ndonjë i pakënaqur shkonte e dergjej në shtratin e armikut, para orës 12 të natës, më shumë sesa nga detyrimi për transparencë dhe llogaridhënie. Vendimi për t’i çuar listat në skadim të afatit, njësoj si PS-ja, ishte i turpshëm. Mos shpjegimi se përse ishin përjashtuar disa figura të njohura qe burracak. Mungesa e arsyetimit se përse disa të djegur nga komisioni Ruli u ricikluan, hodhi hije dyshimi mbi krejt procesin. I gjithë ky prezantim katastrofal në formë, tregon më qartë se çdo gjë thelbin e një fushate, që as nuk çudit me risi, as nuk inspiron me moral dhe as nuk ngre frymë për përmbysje të pashmangshshme. Ai nuk është asgjë më shumë sesa epilogu i një katër vjeçari opozitarizmi kaotik, ku radikalizmi shpesh është ndërthurrur me zbythjen dhe ku beteja kundër korrupsionit, herë pas here, është tradhëtuar nga flirtimi me oligarkët.

Tani e vetmja shpresë e çdo opozitari është që këto zgjedhje të shndërrohen në një referendum kundër regjimit kleptokratik të Ramës, kundër dhunimit sistematik dhe grabitjes spektakolare që na ka bërë ai, gjë që do ta bënte irrelevant faktin se kush i gjendet përballë.Ndërsa sa për opozitën zyrtare, pa vetëbesim dhe inspirim, mbetet  vetëm një ogur: së paku në ato lista që dorëzoi fshehtas, të ketë renditur njerëz të aftë për të mbrojtur votën nga makineria e stërmadhe manipulative që ka filluar punë.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: