Lajme

Basha takim me ministrin Roth

Kryetari në detyrë i PD-së, Lulzim Basha, zhvilloi sot një takim me ministrin gjerman të Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme federale, Michael Roth.

Pas takimit Basha theksoi se i ka kërkuar ministrit Roth të denoncojë masakrën e 25 prillit para se të jetë vonë.

“Pata kënaqësinë të pres ministrin e Shtetit, Michael Roth të cilin e informova mbi zhvillimet dramatike dhe masakrën zgjedhore të 25 prillit. Shqipëria humbi një mundësi të artë për shqiptarët, për demokracinë, por dhe për të ecur përpara me procesin europian të integrimit të vendit.

Ky është një proces i bazuar tek arritjet, tek meritat dhe për fat të keq në këto zhvillime, siç e keni parë dhe nga konkluzionet e KE apo rezoluta e Bundestagut, Shqipëria ka mbetur në vendnumëro për shkak të mosarritjeve të kushteve të vendosura, të cilat janë rënduar edhe më shumë me zhvillimet e 25 prillit.

Ne kemi bërë gjithçka në dorën tonë, opozita ka bërë gjithçka duke nisur me reformën në drejtësi dhe reformën zgjedhore. Qeveria i shkeli të dyja këto.

Ajo që i kam kërkuar ministrit Roth është të flasin dhe denoncojnë masakrën zgjedhore të 25 prillit para se të jetë vonë për demokracinë dhe Shqipërinë, përpara se Shqipëria të vazhdojë të jetë e mbushur me kriminelë në parlament. Gjermania ka qenë dhe është mbështetëse e madhe e Shqipërisë në çdo front dhe në veçanti në rrugën e integrimit europian”, deklaroi Basha.

Nga ana e tij, ministri i Shtetit për Europën, Michael Roth, është shprehur se për zgjedhjet i beson raportit të dalë nga OSBE/ODIHR, duke e cilësuar këtë të fundit si një institucion të paanshëm.

Ai tha se roli i opozitës është mjaft i rëndësishëm në një shoqëri demokratike dhe uroi që mosmarrëveshjes e opozitës dhe mazhorancës në vendin tonë të minimizohet. Po ashtu, Roth u ndal tek anëtarësimi i vendit në BE, duke thënë se shpejt mund të kemi çelje të negociatave.

“Dëshiroj t’ju falenderoj për miqësinë zoti Basha! Një vizitë në Shqipëri do të nënkuptonte jo vetëm një takim me qeverinë, por edhe ato të opozitës e përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Natyrisht që të gjitha kritikat që do të adresohen në këtë drejtim duhet të qartësoheshin e kjo duhet bërë nëpërmjet institucioneve. Ne i besojmë raportimeve të ODIHR-it, që është i pavarur.

Jam dakord me Bashën që e ardhmja e Shqipërisë gjendet në BE dhe askund tjetër. Nëse kjo rrugë do të jetë e suksesshme kjo nuk varet vetëm nga qeveria, por edhe Parlamenti dhe opozita. Shpresoj që nga debatet e së shkuarës të gjendet një qasje më e drejtë mes palëve.

Unë jam në politikën aktive prej 23 vitesh, prej tetë vite në qeveri, kam qenë dhe në opozitë, dhe në qeveri, këto elemente janë të rëndësishëm në një shtet. Ne nuk jemi armiq, por kundërshtarë.

Shërbimi i zotit Basha, ka qenë për mua tejet i rëndësishëm, për këtë sërish faleminderit. KE ka vlerësuar në mënyrë të kujdesshme nëse janë plotësuar kushtet e Shqipërisë për hapjen e negociatave dhe nisjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare”, tha ai.

Po ashtu, Roth tha se “shpresojmë shumë që më 22 qershor, KE të mbërrijë në çeljen e negociatave dhe konferencën e parë të anëtarësimin. Falenderojmë presidencën portugeze në këtë proces.

Ju të gjithë e dini që ky është hap i rëndësishëm drejt BE, do të jetë rrugë e gjatë, Gjermania do e mbështesë Shqipërinë në këtë drejtim, çelja e negociatave s’do të thotë që janë plotësuar të gjitha kushtet, por që Shqipëria ka një hapje të sigurt për anëtarësim”.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: