fbpx
Lajme

BE 1.5 milionë euro për Shqipërinë, përfitojnë 12 bashki

BE ka akorduar një fond prej 1.5 milionë eurosh për nxitjen e punësimit në Shqipëri dhe ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët. Përfituese janë 12 bashki në rang vendi, të cilat në bashkëpunim me shoqërinë civile, kanë nisur  zbatimin e 71 projekteve të fokusuara kryesisht në sektorë si turizmi; fuqizimi ekonomik i të rinjve, përfshirja sociale, mbrojtja e mjedisit, demokracia vendore,  barazia gjinore etj.

Shuma financiare me të cilën është mbështetur  secili projekt nuk e kalon vlerën maksimale prej 17 mijë eurosh dhe vlerën minimale prej 11 mijë eurosh. Programi (ReLOaD), është një iniciativë rajonale e cila financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP). Programi ka filluar zbatimin në 1 shkurt 2017 dhe do të përmbyllet në datë 31 janar 2020. Qëllimi i tij është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet pushtetit vendor dhe organizatave të shoqërisë civile me qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve. Në Shqipëri, programi ka vendosur partneritet me 12 bashki: Dibra, Durrësi, Elbasani, Librazhdi, Lezha, Prrenjasi, Përmeti, Tropoja, Shkodra, Tirana, Roskoveci dhe Korça.

Bletarët në Librazhd

Qindra qytetarë kanë përfituar në mënyrë direkte duke marrë shërbime të përmirësuara apo duke u punësuar dhe siguruar të ardhura për familjen e tyre. Rasti konkret është ai i 150 bletarëve nga fshati Stëblevë i Librazhdit të cilët përmes trajnimit dhe mbështetjes së ‘Reload’ kanë mundur të zgjerojnë aktivitetin e tyre në mbarështimin e bletëve dhe prodhimin e mjaltit.  Veli Hoxha, përfaqësues i  ‘’Shoqatës së Bletarëve Librazhd’’,  na tregon se bashkëpunimi me ‘Reload’ ishte shumë i vlefshëm për secilin bletar. ‘’Nga ky projekt kanë përfituar 150 bletarë. Falë trajnimit janë rritur aftësitë tekniko-profesionale të bletarëve, po kështu ky trajnim ka ndikuar në rritjen e numrit të bletëve, si dhe rritjen e rendimentit të prodhimit. Zona  Librazhdit është një zonë e pastër, me bimë dhe ujëra të pastra, pasi nuk përdoret asnjë lloj kimikati, dhe si pasojë edhe mjalti është shumë cilësor, dhe preferohet jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë vendit. Jemi rreth 40 familje që merremi me mbarështimin e bletëve të cilët janë kthyer edhe nga emigrimi dhe e kanë kthyer në biznes familjar prodhimin e mjaltit. Përmes programit Reload janë  trajnuar edhe shumë të rinj dhe gra gjithashtu. Mjafti është tepër cilësor por duhen bërë avancime për certifikimin e këtij produkti, në mënyrë që të gjej edhe tregje të rinj. Rendimenti i prodhimit të mjaltit shkon mesatarisht te 12 kg për një zgjua në vit, ose 10 kuintal në vit nxjerr një tregtar sipas koshereve që kanë. Problem për ne momentalisht janë sëmundjet e bletëve ku në 3 vitet e fundit kemi pasur humbje të afro 40 % të bletëve, por falë edhe trajnimit jemi njohur me medikamentet dhe teknikat e reja të kurimit të tyre,’’ thotë Veli Hoxha, ndërsa shtoi se program Reloadi i ka ndihmuar shumë pasi tashmë kanë shtim të numrit të krerëve (bletët), dhe trajnimi i të rinjve ka qenë një punë e frytshme për punësimin e tyre dhe rritjen e të ardhurave ekonomike për familjen.

Ndërsa një tjetër banor i fshatit Stërblevë tregon se duke investuar në këtë aktivitet ka zgjedhur të lërë emigrimin dhe ti dedikohet tërësisht mbarështimit të bletëve. Edhe pse i është dashur që gjithçka ta financoj vetë pa shumë mbështetje nga Bashkia, thotë se me këtë aktivitet po mban familjen dhe ka në plan ta zgjerojë vit pas viti. ‘’Kam dy vjet që merrem me mbarështimin e bletëve, jam kthyer nga Greqia pas 4 viteve emigrim. Është një biznes që po ecën mirë, mbaj familjen me të, por gjithçka e kam investuar totalisht vetë pa ndihmën e shtetit. Ky biznes ka vështirësitë e veta sepse një koshere blete që ta blesh do 70 mijë lekë të vjetra, plus kostove të tjera dhe zëvendësimit të bletëve kur ngordhin nga sëmundjet. Sigurisht që trajnimi na ka vlejtur shumë, por investimi vetëm, individualisht, është kosto shumë e lartë. Bletët janë i vetmi burim të ardhurash për familjen time. Kërkoj që ashtu si ne paguajmë taksa në shtet, kërkojmë edhe rimbursim për të vijuar këtë biznes. Prodhimi arrin afërsisht në 10 ton mjaltë në vit, ku ne shesim  15 mijë lekë të vjetra kilogramin,’’ thotë fermeri nga Stërbleva. Tashmë sasitë e prodhuara të mjaltit në zonën e Librazhdit kanë gjetur edhe treg të huaj, nisur nga cilësia bio e këtij produkti.

Kostumografia tradicionale

Një tjetër projekt i mbështetur nga Reload është edhe “Punishtja Artizanale e Rrajcës në Vegje dhe Kostumografi”  që synon promovimin dhe trajnimin e vajzave të reja dhe grave për vlerat kulturore dhe turistike të zonës. 11 gra dhe vajza nga Rrajca po trajnohen nga  etnografët e vjetër me qëllimin për të mësuar teknikat autentike të prodhimit artizanal të kostumografisë-etnografisë. ‘’Projekti synon të promovojë vlerat kulturore – etnografike të Bashkisë Përrenjas përmes aftësimit të grave dhe vajzave. Ai ka në fokus dy elementë kryesorë: të promovojë ruajtjen e origjinalitetit dhe metodës artizanale të përgatitjes së kostumit tradicional të Rrajcës dhe produkteve artizanale të vegjës përmes angazhimit (punësimit) të grave dhe vajzave të Rrajcës dhe promovimit të formave jo-intruzive siç është turizmi kulturor dhe të stimulojë modele/praktika tregtimi të këtyre produkteve përmes promovimit on-line dhe promovimit të drejtpërdrejtë,’’ thotë Eglantina Gollaj, menaxhere e projektit Reload.

Të rinjtë në vendimmarrje

‘Shoqata rinore SOEK IN’ ka marrë përsipër zbatimin e projektit “Krijimi i përfaqësisë së të rinjve në proceset e vendimmarrjes së qeverisjes vendore” në qytetin Librazhd. Projekti ka si qëllim rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në proceset vendimmarrëse në bashkinë e Librazhdit, duke krijuar për herë të parë në këtë bashki Këshillin Bashkiak rinor. Në këtë kuadër projekti synon të krijojë dhe fuqizojë një grup të rinjsh si dhe të mbështes (blerje pajisjesh) një qendër ku ky Këshill do të mblidhet. Bashkia Librazhdit do të ofrojë mjediset për funksionimin e kësaj strukture, e cila do të jetë zëri i të rinjve në proceset vendimmarrëse. Edhe në Korçë një projekt i ngjashëm ka nisur nga puna, ku rreth 100 të rinj, nxënës ekselentë të gjimnazeve të këtij qyteti kanë krijuar Këshillin Rinor përmes së cilit synojnë të përcjellin zërin e të rinjve në Këshillin Bashkiak dhe instanca të tjera shtetërore. Projekti ka si qëllim fuqizimin e bashkëpunimit midis të rinjve dhe pushtetit lokal përmes krijimit dhe fuqizimit të Këshillit Rinor. Më konkretisht, projekti do të fokusohet në: rritje kapacitetesh të nxënësve për pjesëmarrje aktive dhe vendimmarrje në politikat rinore, duke krijuar Këshillin Rinor Korçë, fuqizimi i të rinjve përmes programeve të mobilitetit, vullnetarizmit, dhe bashkëpunimit me shoqërinë civile si dhe fuqizimi i të rinjve përmes kartës rinore evropiane, nocioneve bashkëkohore të edukimit dhe shanseve për vendimmarrje.

Fuqizimi ekonomik i grave

Përmes projektit “Fuqizimi i rolit të gruas drejt politikave zhvillimore rurale” që po zbatohet në Korçë, synohet forcimi i rolit të gruas rome dhe egjiptiane në hapësirën publike, si faktor për fuqizimin ekonomik dhe social të saj. Në këtë projekt janë përfshirë gratë rome dhe egjiptiane në tre njësi administrative (Vithkuq, Drenovë dhe Voskop); gratë rome & egjiptiane në Korçë; janë 60 përfitues direkt (80% gra dhe 20% burra). Specifikisht projekti fokusohet në: krijimin e një mjedisi institucional më të favorshëm për pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në vendimmarrjen vendore, duke ngritur dhe fuqizuar grupet vendore te veprimit sipas qasjes leader; mbështetjen e grave rome dhe egjiptiane për fuqizimin ekonomik dhe social të tyre, përmes punëve artizanale dhe produkteve të kulinarisë.

Zhvillimi i turizmit

Projekti në Bashkinë Përrenjas; “Nxitja dhe promovimi i turizmit nëpërmjet guidave lokale” synon promovimin dhe nxitjen e turizmit në territorin e bashkisë Përrenjas si një mundësi për zhvillimin ekonomik e rural të zonës. Ai do të fokusohet në: përcaktimin dhe promovimin e destinacioneve turistike potenciale me anë të materialeve informuese, mediave dhe rrjetet sociale, trajnimin e të rinjve si guida lokale të gatshëm për të ushtruar profesionin e tyre për promovimin dhe nxitjen e turizmit në destinacionet e përcaktuara. Përmes këtij projekti janë trajnuar 10 të rinj që do të angazhohen në të ardhmen si guida lokale, të cilët synohen të jenë të rinj djem/vajza (20 -35 vjeç) dhe do të përzgjidhen të paktën 30 % vajza (por do të synohet edhe për më shumë), duke kontribuar edhe në uljen e mentalitetit të zonës dhe vështirësisë së terrenit.

Mbrojtja e Mjedisit

Projektit “Për një mjedis të pastër dhe komunitet të ndërgjegjësuar në Bashkinë Librazhd” synon rritjen e ndërgjegjësimit të banorëve dhe kryesisht të rinjve për mbajtjen pastër të mjedisit dhe për riciklimin e mbeturinave duke zbatuar ndarjen e tyre në burim. Katër shkolla të mesme dhe dy shkolla 9 vjeçare si dhe Bashkia Librazhd janë angazhuar në këtë projekt. Projekti “Ujëra të mbrojtur për komunitete të shëndetshme” synon ndërgjegjësimin e komunitetit mbi pasojat e ndotjes së mjedisit. Projekti ka si qëllim reduktimin e ndotjeve urbane në pellgun ujëmbledhës Shkumbin  nëpërmjet ndërgjegjësimit, informacionit dhe ndërhyrjeve konkrete për të sensibilizuar komunitetin, shkollat, bizneset ,strukturat shtetërore, OJF, etj… Edhe projekti “Promovimi i mbrojtjes së mjedisit përmes angazhimit të të rinjve” ka si qëllim rritjen e edukimit mjedisor të brezave të rinj për një rol sa më aktiv në mbrojtjen e mjedisit; mbështetur në dy shtylla kryesore:Aktivitete ndërgjegjësuese me të rinjtë duke u fokusuar tek krijimi i grupeve të gjelbërta në shkolla dhe hartimi i një manuali për mbrojtjen e mjedisit dhe organizimi i aktiviteteve konkrete në mbrojtje të mjedisit, si ditët e mbjelljes së pemëve dhe luleve dhe ditët kalendarike të  pastrimit. Në total  Programi Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD) financuar nga BE, kap një vlerë prej 10 milionë eurosh, me 200 projekte të mbështetura dhe me 38 mijë qytetarë që kanë përfituar.

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button