Categories Lajme

Bizneset e falimentuara, 80% po mbyllen nga Covid

Në 4 muaj, rreth 2800 biznese kanë kaluar në status pasiv. Bazuar në listën e përditësuar të Tatimeve për subjektet që kalojnë me status pasiv për periudhën maj-gusht, “Monitor” realizoi një sondazh me një kampion përfaqësuesish prej 205 biznesesh. Rreth 80% e të pyeturve pohuan mbyllje të aktivitetit për shkak të rënies së xhiros nga COVID-19, taksave të larta vendore, gjobat, anulim kontratash dhe monopolet. Shumë subjekte, të cilat pranuan se kishin përfituar ndihmën me Paketat Financiare 1 dhe 2, thanë se ndihma e shtetit ishte e pamjaftueshme për të mbijetuar.

Nga Dorina Azo

Adem Rreli, pensionist, një vit më parë vendosi ta kthejë vilën e tij 4-katëshe në dhoma hoteli “Bad and Breakfast”, në fshatin Surrel. Por biznesi nuk arriti të mbijetojë më shumë se një vit. Në pikun e fluksit të turistëve të huaj që vinin nga SHBA, Danimarka, Arabia Saudite, Franca dhe Gjermania, për shkak të pandemisë u detyrua të pezullojë aktivitetin.

Ish-fotografi, i pari për ofrimin e këtij shërbimi privat në Shqipëri, e bleu ndërtesën në vitin e rrëmujshëm 1997, dhuratë për bashkëshorten në ditën e Shën Valentinit. Ishte këmbëngulja e vajzës e cila jeton në Francë, që shtëpia, e cila përdorej vetëm për fundjavë nga familja e tyre, pas një investimi të kthehej në biznes, i regjistruar edhe në faqen më të madhe në botë për rezervime “booking”.

“Për momentin, aktiviteti është pezulluar, pasi të huajt nuk po vijnë nga frika e COVID-19. Vendasve nuk u kanë pëlqyer asnjëherë t’i frekuentojnë këto ambiente, janë më shumë të orientuar drejt bregdetit për pushime. Pas përfundimit të karantinës e riaktivizova shërbimin në ‘booking’, por rezultoi që nga të huajt nuk kishte asnjë kërkesë, pasi lëvizja është e vështirë nga pandemia. Për këtë arsye, jam i detyruar të vazhdoj ta mbaj të mbyllur vilën”, rrëfen zoti Rreli. Në ambientet e organizuara për shërbimin “krevat dhe mëngjes”, çmimi i fjetjes varion 200-240 euro/nata dhe 260 euro/nata nëse do të merren 5 dhomat e vilës.

Në Shqipëri janë rreth 2,865 biznese që kanë kaluar në status pasiv për muajt maj-fillim shtatori. Shumë prej tyre kanë bërë kërkesë për pezullim aktiviteti në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR), menjëherë pas pandemisë.

Nga lista e Tatimeve u përzgjodh një kampion përfaqësues prej 204 biznesesh apo 7% e totalit me status pasiv, të cilët u anketuan nëpërmjet telefonit nga “Monitor” dhe u pyetën në lidhje me arsyet e mbylljes së aktivitetit, sipas një përzgjedhjeje rastësore. Rezultatet e sondazhit tregojnë se më të prekur nga kriza e COVID-19 janë të vetëpunësuarit, në rrobaqepësi, berberët, lavazhe, bilardo, pastiçeri, por edhe ata në shërbime, si kafene, restorante, agjenci turistike dhe udhëtimi, shërbimi taksi, transporti i udhëtarëve dhe mallrave.

Rreth 57% e subjekteve raportojnë si arsyet kryesore që i detyruan të mbyllin aktivitetin krizën nga COVID-19, që ka çuar në rënien e fuqisë blerëse, mungesën e xhiros, pamundësinë financiare për të paguar qiranë dhe taksat. 23% e bizneseve të tjera, ndonëse ishin më rezistente ndaj pandemisë, raportuan si arsye kryesore të mbylljes së aktivitetit, taksat e larta lokale, mungesën e kontratave, reduktimin e punës, punimet në infrastrukturë, gjobat e tatimorëve dhe monopolet.

Në total, 80% e bizneseve që kanë mbyllur aktivitetin në periudhën maj-gusht kishin faktorë kryesorë krizën nga COVID-19, mungesën e xhiros dhe taksat e larta. Rreth 6% e subjekteve të tjera raportuan si arsye kryesore të mbylljes, efektet sezonale, siç ishin ato të dhënies së dhomave me qira në periudhën e verës, baxhot, të kultivimit dhe shitjes së mollëve dhe bizneset e prodhimit të brumit që punonin afër shkollave. Nga sondazhi rezultoi se arsye të tjera të mbylljes së aktivitetit ishin largimi në emigracion (me rreth 3%), për shkak të mungesës të punës në vend, sidomos te të rinjtë që punonin në lavazh dhe si berber. Të tjera biznese raportuan arsye personale, si lejet e lindjes apo problemet shëndetësore.

 

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

“Iku nga shtëpia dhe nuk u kthye më”, burri “ngre në këmbë” policinë: Më gjeni gruan!

Një 43-vjeçar ka shkuar në Komisariatin e Policisë së Durrësit, ku ka kallëzuar zhdukjen e…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Genc Tafilaj pyetet në SPAK: Spiuni i Bajrave, Aleks Ndreka na takoi me Dor Dulin në varimin e Indrit Rrajës

Plani për vrasjen e Dorian Dulit, Blerti Cafit, Gëzim Cafit dhe Genci Tafilit, pas ceremonisë…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Të rinjtë hedhin mobilie nga kati i pestë i pallatit, Balla: Turp! (VIDEO)

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka publikuar pamjet ku duket se si dy të rinj…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Në kërkim ndërkombëtar për drogë, vihet në pranga 59-vjeçari italian

Policia Kufitare Durrës ka arrestuar një shtetas italian, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar,…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Parashikimi i motit për sot, Vranësira dhe reshje shiu të herëpashershme

Ditën e sotme vendi ynë parashikohet të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme falë ndikimit…

LEXO ME SHUME