
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, i ka telefonuar kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas ngjarjeve të sotme në veri të vendit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
“Pas sulmit të tmerrshëm dhe frikacak terrorist të sotëm kundër policëve të Policisë së Kosovës, Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell foli me kryeministrin Albin Kurti”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga shërbimi i jashtëm i BE-së.
Ai dënoi ashpër agresionin e sotëm.
Përfaqësuesi i Lartë Borrell shprehu ngushëllimet e tij për familjen, kolegët dhe të dashurit e punonjësit të policisë që humbi jetën në krye të detyrës dhe u uroi shërim të shpejtë punonjësve të policisë të plagosur.
Përfaqësuesi i Lartë ka telefonuar edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thuhet në njoftimin e BE-së.
“Përfaqësuesi i Lartë Borrell përsëriti thirrjen e tij për sulmuesit që të dorëzohen menjëherë dhe lirimin e pelegrinëve në Manastirin e Banjskës, që ata të largohen të sigurt. Ai bëri thirrje për rivendosjen e qetësisë dhe stabilitetit”, thuhet në njoftim.
BE tha se EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, po monitoron situatën në terren dhe është i gatshëm të mbështesë institucionet e Kosovës në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve të saj, në përputhje me mandatin e tij dhe në koordinim të ngushtë me KFOR-in e NATO-s.
“Përfaqësuesi Special i BE-së për Kosovën në terren është në kontakt të ngushtë me autoritetet”.
Policia ka shoqëruar në stacionin e policisë në jug të Mitrovicës 49 pelegrinë, për t’i verifikuar dhe testuar për parafinë.
Është gjetur sasi e madhe e armatimit brenda manastirit, e po ashtu brenda automjeteve që gjendeshin pranë manastirit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.
Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hynë edhe terrorizmi.
Për ngjarjen, ka reaguar edhe Manastiri i Deçanit.
Manastiri në llogarinë zyrtare në Twitter, tani rrjet social “X”, ka dënuar ashpër sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës.